Amerika duhet ta fitojë garën për mineralet e rralla

Nga: Young Kim / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Më 4 prill, Kina vendosi kontroll të paprecedent mbi eksportin e shtatë prej 17 elementeve të rralla, duke shkaktuar alarm te kompanitë mbrojtëse amerikane. Nëse kontrollet e eksportit në prill ishin kambanë alarmi për Uashingtonin, njoftimi më i fundit i Pekinit është shuplakë në fytyrë.
Kontrollet e reja të Kinës kërkojnë që vendet e huaja të pajisen me licenca për produkte që përmbajnë vetëm 0.1 për qind të elementeve të rralla me origjinë kineze. Duke filluar nga 1 dhjetori, Pekini mund të refuzojë licencat për çdo kompani që ka lidhje me ushtri të huaja, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara. Teksa ky veprim mund të duket si sulm i papritur në zinxhirët e furnizimit, në të vërtetë është strategji e menduar dhe afatgjate nga ana e Republikës Popullore të Kinës (RPK).
Gati tri dekada më parë, ish-udhëheqësi kinez Deng Xiaoping deklaroi: “Lindja e Mesme ka naftën, Kina ka mineralet e rralla”. Që nga ajo kohë, Pekini ka punuar pa ndërprerje për të ndërtuar një kontroll global mbi elementet e rralla, të cilat janë themeli i teknologjisë moderne, industrisë automobilistike dhe asaj mbrojtëse.
Kina e ka përdorur shumë herë më parë si armë gjeopolitike, dominimin e saj në prodhimin e mineraleve të rralla. Këto kontrolle të reja eksporti nuk janë thjesht përgjigje ndaj luftës tregtare ShBA-Kinë. Ato përfaqësojnë një fazë të re dhe agresive të një strategjie shumëvjeçare për të detyruar botën të pranojë dominimin e Pekinit në fushën e mineraleve të rralla.
Kina kontrollon rreth 70 për qind të nxjerrjes dhe 90 për qind të ndarjes dhe përpunimit të mineraleve të rralla. Kontrollet më të fundit synojnë të forcojnë mbërthimin e zinxhirëve të furnizimit që çojnë këto materiale nga miniera në treg - dhe të parandalojnë vendet e tjera nga krijimi i sistemeve të tyre alternative.
Elementet e rralla janë komponentë kryesorë për prodhimin e gjysmëpërçuesve, automjeteve elektrike dhe platformave të avancuara ushtarake - si aeroplanët luftarakë F-35 dhe raketat Tomahawk. Gati çdo aspekt i konkurrencës ShBA-Kinë, nga gara për inteligjencën artificiale deri te gatishmëria ushtarake, varet nga qasja e sigurt ndaj këtyre materialeve. ShBA-ja nuk mund të lejojë të varet nga Kina për teknologjitë që fuqizojnë jetën, ekonominë dhe të ardhmen tonë.
Tani është momenti të përkushtohemi ndaj një strategjie për sigurinë minerare. Kjo strategji duhet, para së gjithash, të zgjerojë nxjerrjen dhe përpunimin vendas të elementeve të rralla dhe mineraleve të tjera kritike. Në gusht, isha anëtarja e parë e Kongresit që vizitova minierën Mountain Pass të kompanisë MP Materials - e vetmja minierë në funksion të elementeve të rralla në vend, pas investimit historik të Pentagonit dhe marrëveshjes për blerje të rezervuar. Ndërsa ky partneritet prej miliarda dollarësh është hap i guximshëm dhe i domosdoshëm drejt pavarësisë minerare, duhet një kohë që të hyjë në prodhim operacioni nga miniera në magnet i MP-së.
Nëse duam të thyejmë kontrollin e hekurt të Kinës sot, duhet të pranojmë se prodhimi vendas nuk mjafton. Duhet të punojmë me aleatët dhe partnerët tanë globalë për të ndërtuar zinxhirë elastikë dhe të diversifikuar furnizimi. Si kryetare e Nënkomitetit për Çështje të Jashtme të Dhomës për Azinë Lindore dhe Paqësorin, kam propozuar një projektligj dypartiak për të formalizuar Partneritetin për Sigurinë e Mineraleve (MSP) dhe mbetem e përkushtuar për të autorizuar sërish Korporatën për Financim të Zhvillimit të ShBA-së (DFC) për të bashkuar partnerë të besueshëm dhe me industrinë në identifikimin dhe investimin në projekte strategjike për mineralet kritike në mbarë botën.
Të mobilizosh vendet e lira kundër praktikave monopoliste të Pekinit nuk është vetëm ekonomi e mirë, është domosdoshmëri strategjike. Australia dhe Kanadaja kanë burime të pasura minerale dhe ekspertizë të thellë në miniera. Ekonomitë e përparuara të Japonisë dhe Koresë së Jugut janë veçanërisht të rrezikuara nga përdorimi si armë i tregut nga Kina. Në rajonet e pasura me minerale, si Afrika dhe Amerika Latine, kompanitë kineze kanë bërë një kolonializëm të burimeve të shekullit XXI, duke shfrytëzuar punëtorët dhe ndotur mjedisin. Amerika ka mundësinë të jetë partneri i zgjedhur në secilin prej këtyre rasteve - duke vendosur standardin global për zinxhirë të besueshëm furnizimi, të gjurmueshëm dhe të qeverisur në mënyrë etike për mineralet e rralla.
Jam inkurajuar nga nënshkrimi këtë javë i Kornizës Historike për Mineralet Kritike nga presidenti Donald Trump, për të përshpejtuar projektet e përbashkëta me Australinë dhe për të forcuar partneritetin tonë jetik AUKUS. Marrëveshjet inovative si kjo janë thelbësore për të sfiduar monopolizimin e mineraleve nga Kina. Megjithëse ka pasur skepticizëm nëse presidenti Trump do të takohet me Xi Jinpingun këtë muaj, besoj se pjesëmarrja e tij në APEC në Korenë e Jugut është shumë e rëndësishme dhe do të dërgojë një mesazh të fortë për aleatët në rajon se Amerika është e hapur për biznes.
Jam e bindur se Amerika ka kapacitetin për të fituar garën për mineralet kritike. Pekini mund të ketë një përparësi 30-vjeçare, por ne kemi çdo mundësi për të ndërtuar një ekip të jashtëzakonshëm - nga aleatët dhe partnerët në Indo-Paqësor te operatorët e minierave dhe inxhinierët e hapësirës ajrore këtu në Shtetet e Bashkuara. Kontrollet e prillit mund të na kenë zgjuar. Tani jemi zgjuar dhe gati për të hyrë në garë. /Telegrafi/

















































