Në 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka marrë pjesë në homazhet shtetërore të mbajtura në Kompleksin Memorial në Reçak, së bashku me krerët më të lartë të shtetit dhe përfaqësues të shumtë institucionalë e qytetarë.

Në një njoftim publik, Aliu ka bërë të ditur se homazhet janë zhvilluar në prani të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministrit Albin Kurti, Kryeparlamentarit Dimal Basha, ambasadorit dhe mikut të Shtimes, William Walker, si dhe familjarëve të dëshmorëve e martirëve, përfaqësuesve institucionalë, luftëtarëve, invalidëve e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta.


“Së bashku me krerët e shtetit, përfaqësues institucionalë, familjarë të dëshmorëve e martirëve, luftëtarë, invalidë e veteranë të UÇK-së dhe qytetarë, bëmë homazhe dhe vendosëm kurora me lule në Kompleksin Memorial në Reçak, ndërsa në nderim të dëshmorëve bëmë homazhe edhe në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime dhe në Mollopolc”, ka theksuar Aliu.

Kryetari i Shtimes ka vlerësuar Masakrën e Reçakut si një nga dëshmitë më të rënda të krimeve kundër njerëzimit të kryera nga agresori serb ndaj popullit të Kosovës, duke theksuar se kjo ngjarje pati ndikim vendimtar në zhvillimet ndërkombëtare.

“Masakra e Reçakut mbetet një nga dëshmitë më të rënda të krimeve kundër njerëzimit. Ajo ngjarje vendimtare inicioi ndërhyrjen e NATO-s, ku falë angazhimit të ish-ambasadorit të OSBE-së, z. William Walker, e vërteta e Reçakut mori përmasa ndërkombëtare dhe lufta jonë çlirimtare fitoi përkrahje të fuqishme”, ka deklaruar ai.

Sipas Aliut, edhe pas 27 vjetësh, dhimbja për Reçakun mbetet e gjallë, por sakrifica e martirëve shënoi një kthesë historike për popullin e Kosovës. “Edhe sot kjo plagë na dhemb, por historia dëshmon se sakrifica e Reçakut ndryshoi rrjedhën e fatit tonë kombëtar dhe i tregoi botës çmimin e lirisë”, ka thënë Aliu.

Në përfundim, kryetari i Komunës së Shtimes ka shprehur respekt dhe mirënjohje të përhershme për të gjithë dëshmorët e kombit dhe viktimat civile.

“Me respekt e mirënjohje të përhershme nderojmë të gjithë dëshmorët e kombit dhe përkujtojmë e vlerësojmë viktimat civile. Lavdi dhe nderime të përjetshme!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/