Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sot (e enjte) në rrjetet sociale, duke e cilësuar xhudisten Majlinda Kelmendi si simbol të suksesit në vendin tonë.
Kurti dhe Kelmendi ishin të dy pranishëm të mërkurën në në palestrën e qytetit të Mitrovicës “Minatori”, në kuadër të programit “Kosova, Shtet i Xhudos”.
Aty pati shumë nxënës që donin ta takonim kampionen olimpike, e cila së bashku me xhudistë të tjerë demonstruan teknika profesionale të sportit të xhudos.
Sot (e enjte), përmes një postimi në profilin privat në Facebook, Kurti ka thënë se Majlinda është simbol i suksesit dhe se qëndrueshmëria ndaj vështirësive, përkushtimi për triumf, dhe modestia e saj ndaj suksesi, janë tri virtyte të Majlindës të cilat e bëjnë atë: kampione në tatami, kampione në jetë dhe kampione përjetë.
Postimi pa ndërhyrje i Albin Kurtit
Në kuadër të programit “Kosova, Shtet i Xhudos”, dje ishim pjesëmarrës në aktivitetin demonstrues të kampiones tonë Olimpike, Majlinda Kelmendi.
Në palestrën e qytetit të Mitrovicës “Minatori” e cila ishte mbushur përplotë me nxënës entuziast për të takuar Majlindën, ajo së bashku me xhudistë të tjerë demonstruan teknika profesionale të sportit të xhudos.
Majlinda Kelmendi është simbol i suksesit në Republikën e Kosovës.
Qëndrueshmëria ndaj vështirësive, përkushtimi për triumf, dhe modestia e saj ndaj suksesit – janë tri virtyte të Majlindës të cilat e bëjnë atë: kampione në tatami, kampione në jetë dhe kampione përjetë.
Përmes programit të xhudos, përveç që po sigurojmë zhvillimin e sportit në vend, njëkohësisht po krijojmë mundësi për të rinjtë tanë që të shprehin talentin e tyre, të jenë aktiv dhe të shëndetshëm si dhe të jenë të suksesshëm.
Uroj që shumë të tjerë të ndjekin rrugën e suksesit të Majlindës, Norës dhe Distrias.
Kosova është shtet i xhudos!
/Telegrafi/