Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në kilometrin e 7-të të Autostradës “Ibrahim Rugova”, në drejtimin Prizren – Morinë.

Sipas Policisë së Kosovës, në aksident janë përfshirë një veturë e tipit VW Tiguan dhe një kamion i tipit Mercedes.


Si pasojë e përplasjes, një pasagjere ka humbur jetën, ndërsa dy persona të tjerë kanë pësuar lëndime.

“Një pasagjere (gjinia femërore) si pasojë e lëndimeve nuk iu ka mbijetuar plagëve dhe është konstatuar e vdekur nga mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë për Telegrafin.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore dhe prokurori kujdestar, me urdhërin e të cilit trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

Hetimet lidhur me shkaqet e aksidentit dhe rrethanat tjera janë duke u zhvilluar nga njësitet hetimore.

Policia ka bërë thirrje për vigjilencë të shtuar në trafik dhe respektim të rregullave rrugore, në mënyrë që të shmangen rastet tragjike./Telegrafi/