AGK: Komunikata e Menaxhmentit të RTK-së është intimidim ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj një komunikate të Menaxhmentit të RTK-së, duke e cilësuar atë si formë intimidimi publik ndaj gjashtë redaktorëve të këtij mediumi.
Në reagimin e saj, AGK tha se komunikata e RTK-së përmban elemente kërcënuese, pasi Menaxhmenti thekson se “çdo deklarim i pabazuar në fakte, që përhap dezinformata duke dëmtuar integritetin e institucionit, nuk do të tolerohet tutje dhe të gjitha këto veprime do të trajtohen në përputhje me ligjin dhe rregulloret e RTK-së në fuqi”.
Sipas AGK-së, një deklaratë e tillë paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për masa ndëshkimore ndaj gjashtë redaktorëve, të cilët dolën publikisht kundër vendimit për largimin e tyre nga drejtimi i emisioneve informative.
“Ky është një kërcënim i hapur që synon të heshtë zërat kritikë brenda transmetuesit publik. AGK e dënon fuqishëm këtë formë censure dhe veprimet arbitrare të Menaxhmentit aktual”, thuhet në reagim.
AGK ka shprehur përkrahje të plotë për redaktorët në kërkesën e tyre për anulimin e vendimit të Menaxhmentit, duke theksuar se autonomia profesionale dhe liria e shprehjes duhet të mbrohen në institucionet publike të informimit.
















































