Abdixhiku: Sot vendimmarrja i kthehet sovranit dhe vendoset fati i qyteteve tona për katër vitet e ardhshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku votoi sot për kryetarin e ardhshëm të Prishtinës, gjersa theksoi se sovrani vendos për fatin e qyteteve për katër vitet e ardhshme.
Abdixhiku theksoi se qytetarët e Kosovës tregojnë standarde të larta gjatë proceseve zgjedhore.
“Sot në Kosovë, si gjithmonë zgjedhjet trajtohen dhe janë festë... Ditë e mirë dhe shpresojmë të jetë një proces i mbarë e i mirë siç ka diture gjithherë populli i Kosovës të sillet në proceset zgjedhore. Sot është dita kur vendimmarrja i kthehet sovranit dhe kështu vendoset fati i qyteteve tona për katër vitet e ardhshme.
Jam i lumtur për nivelin demokratik që si shoqëri tregojmë në proceset zgjedhore. Disa çështje i marrim të mirëqena, por më besoni se standardet e Ballkanit Perëndimor, besa edhe të Evropës mënyra si organizojmë zgjedhjet e i pranojmë zgjedhjet është mrekulli e veçantë demokratike me të cilën populli i Kosovës duhet të krenohet”, tha ai.
Abdixhiku tuje shtoi se LDK deri tani nuk ka ndonjë ankesë dhe se vëzhguesit dhe komisionarët i kanë në vendvotime.
“Jam i bindur se gjithçka do të shkojë mbarë e mirë. Le të sillemi si duhet, le të punojmë secili në rrugën e mbarë e të mirë, për të tjerat vendos qytetari i republikës”, tha ai.
Abdixhiku u pyet edhe për zgjedhjet nacionale.
“Tani besoj nga dita e nesërme do të kthejmë fokusin tek zgjedhjet nacionale. Pritjet tashmë janë se në fund të dhjetorit do të kemi festën tjerë zgjedhore dhe vendimmarrjen demokratike në Republikën e Kosovës”, tha ai. /Telegrafi/

















































