Departamenti i AAK–së për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë, vlerëson se dështimi i krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, është si pasojë e paaftësisë dhe neglizhencës së qeverisë së vendit, e cila sipas AAK-së ka krijuar imazh të keq dhe përshtypje negative, duke u tallur me të ardhmen e Forcave të Armatosura dhe sigurinë nacionale të Kosovës.
Kjo situatë, sipas AAK-së, në mënyrë eksplicite ka ardhur si rezultat i vizionit të munguar nga LDK-ja, përkatësisht nga kualiteti i dobët i qeverisjes së koalicionit PDK – LDK.
Në një reagim të kësaj partie thuhet se AAK ka qenë dhe është kundër çdo lloj ndërhyrjeje që e anatemon substancën e të qenit ushtri tipike e Kosovës, moderne dhe në NATO.
Ndërsa vonesat e pakuptimta politike e ligjore në këtë drejtim, sipas AAK-së, janë të paarsyeshme dhe krejtësisht të papranueshme.
Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë i AAK –së, konsideron se krijimi i Ushtrisë së Kosovës, duhet të mbetet prioritet strategjik.
“Ne si parti insistojmë, që kjo çështje të procedohet në Kuvend, sa më parë të jetë e mundur dhe Forcat e Armatosura të Kosovës, të mos mbeten peng e pazareve politike ndërmjet Qeverisë dhe Listës Serbe. Ne si Departament për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë i AAK-së, kërkojmë që FAK –u, përkatësisht Ushtria e Kosovës të konsiderohet prioritet strategjik për Kosovën dhe përpara çdo lloji nisme në Kuvend dhe menjëherë të veprohet në themelimin e FAK –ut”, thuhet në një komunikatë për media.
Departamenti i AAK–së për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë, po ashtu i vlerëson negativisht, paqartësitë qeverisëse për themelimin e FAK-ut nga koalicioni PDK – LDK dhe Lista Serbe.
Qeveria Mustafa sipas tyre nuk ka treguar minimumin e përgjegjësisë kushtetuese, aftësi politike e as kadrovike të menaxhimit dhe të ekspertizës së sigurisë, për t’iu ofruar qytetarëve krijimin e ushtrisë, klimën e mirëbesimit, aspektin e sigurisë dhe të mbrojtjes, në të gjitha nivelet e saj për perspektivën e euro-atlantike të Kosovës dhe qytetarëve të saj. /Telegrafi/