Site icon Telegrafi

Zyrtare: Sunaj Keçi, trajner i ri i Drenicës

Drenica ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Sunaj Keçit si trajner të tyre të ri për sezonin 2023/24.

Klubi drenicas në sezonin e fundit ka rënë nga Superliga e Kosovës dhe këtë sezon do t’i zhvillojë garat në Ligën e Parë.

Kur po afron fillimi i sezonit, kuqezinjtë nga Skenderaj kanë filluar përgatitjet për sezonin e ri, duke emëruar trajnerin i cili do të prijë drejt rikthimit në Superligë.

Është trajneri i njohur Sunaj Keçi, i cili është prezantuar sot (e shtunë) në ambientet e klubit, teksa ka nënshkruar kontratë një vjeçare.

“Në ambientet e klubit futbollistik Drenica, sot Presidenti i klubit, z.Gëzim Ramadani ka prezantuar kryetrajnerin e skuadrës për edicionin e ri 2023/24, Sunaj Keçin”.

“Klubi ka arritur marrëveshje me Keçin deri në përfundim të këtij edicioni. Klubi vazhdon punën për kompletimin e skuadrës për edicionin e ri, dhe se shpejti do të prezantohen afrimet dhe përforcimet e klubit”, thuhet në njoftimin e Drenicës.

Ndryshe, Keçi me parë ka drejtuar Hajvalinë, Flamurtarin, kurse ka qenë edhe ndihmës-trajner të FC Llapi për një kohë të gjatë. /Telegrafi/

Exit mobile version