Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, i është përgjigjur kritikave të deputetëve të PDK-së lidhur me mënyrën për furnizimin me tekste shkollore të nxënësve.
Përmes një postimi në Facebook, Kelmendi ka thënë se PDK kishte shqetësime se “nuk janë bërë tendera milionësh për blerjen e teksteve me shtëpitë botuese dhe kundërshtuan që buxheti të shkojë te prindërit dhe nxënësit”.
Kelmendi theksoi se reagimet e deputetëve përmbajnë shtrembërime të fakteve dhe mungesë njohurish.
“Ata ndanë brengen se po subvencionojmë drejtpërdrejt prindërit jo vetëm për tekste por edhe për materialet e tjera shkollore. Çka të bie në sy me të parën në reagimet e tyre është shtrembërimi i fakteve por edhe një dozë jo e vogël e mungesës së njohurive”.
Ai vuri në dukje se qytetarët kanë reaguar pozitivisht, me 60,244 aplikime të suksesshme brenda 24 orëve për subvencionet e drejtpërdrejta për prindërit, jo vetëm për tekste, por edhe për materialet e tjera shkollore.
Sipas tij, aplikimi është i lehtë dhe i shpejtë.
“Krejt ndryshe është reagimi i qytetarëve. Për 24 orë janë proceduar me sukses 60,244 aplikime.
Aplikim i lehtë dhe i shpejtë”, ka deklaruar Kelmendi./Telegrafi/