Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po qëndron në Mbretërinë e Bashkuar, përkatësisht në Londër, ku po zhvillon takime të shumta.
Atë fillimisht e priti në aeroportin e Londrës, kryeministri Rishi Sunak, me të cilin më pas vazhduan bisedën në Downing Street, transmeton Telegrafi.
Ndërsa para pak çastesh mbajti një fjalim para deputetëve britanikë, të cilët i falënderoi për kontributin e dhënë për Ukrainën.
“Londra ka qëndruar me Kievin që në ditën e parë, në sekondat dhe minutat e para të luftës… ia zgjati dorën kur bota akoma nuk e dinte si të reagonte”, tha Zelensky.
“Jam këtu para jush falë trimërisë dhe heronjve të luftës që janë nëpër istikame nën goditjet e vazhdueshme të artilerisë së armikut, që për çdo moment po mbrojnë vendin dhe kufijtë. Faleminderit Britani”, shtoi presidenti ukrainas duke iu referuar ndihmës që britanikët i dhanë ukrainasve në stërvitjen e ushtarëve të Kievit.
Ai gjithashtu kishte një mesazh personal për ish-kryeministrin britanik Boris Johnson, duke thënë se ka treguar “karakter të fortë” nga fillimi i luftës.
Sipas tij, fitorja e Ukrainë do ta ndryshojë botën dhe të shtyjë sa më larg forcat e agresorit.
“Mbretëria e Bashkuar po marshon së bashku me ne fitoren më të rëndësishme, do të jetë një fitore mbi idenë e luftës”, theksoi Zelensky.
Ai madje zbuloi helmetën e pilotit ukrainas para deputetëve britanikë, që kishte të shkruar “kemi lirinë, na jepni krahë për ta mbrojtur”.
Krejt në fund të fjalimit që u përcoll me duartrokitje të mëdha tha: “Zoti e bekoftë Britaninë e Madhe dhe rroftë Mbreti. Slava Ukraini”. /Telegrafi/