Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar nga New Yorku se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të shtyjnë për vetëm katër ditë vendosjen e sanksioneve ndaj Naftës Industriale të Serbisë (NIS), dhe se këto sanksione do të hyjnë në fuqi më 1 tetor. Sipas tij, ky vendim është i dhimbshëm, por jo i papritur.

“Kjo nuk është një lajm i mirë për ne, por ishte i pritshëm duke marrë parasysh rrethanat ndërkombëtare dhe raportet e tensionuara mes Perëndimit dhe Rusisë. Fatkeqësisht, ne jemi bërë një dëm kolateral i këtyre marrëdhënieve të tendosura. Serbia do të paguajë një çmim jashtëzakonisht të lartë për këtë situatë”, u shpreh ai.


Udhëheqësi serb theksoi se përballë këtij vendimi, vendi do të përballet me sfida të mëdha ekonomike dhe energjetike, sidomos me afrimin e dimrit, raporton nova.rs.

“Na pret një kohë e vështirë dhe një dimër i rëndë. Megjithatë, unë dhe qeveria do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që qytetarët të mos ndjejnë mungesa. Do të luftojmë që të sigurojmë ngrohje në të gjitha shtëpitë dhe që njerëzit të kenë një dimër të ngrohtë dhe sa më të qetë”, tha ai.

Vuçiq u shpreh gjithashtu i shqetësuar për ndikimin që këto sanksione do të kenë në sektorët kyç të ekonomisë dhe në stabilitetin energjetik të vendit. Ai nënvizoi se Serbia është përpjekur të qëndrojë neutrale në krizën mes Rusisë dhe Perëndimit, por se ndikimi i konfliktit është i pashmangshëm edhe për vendet që nuk janë palë direkte në konflikt.

Në fund, ai apeloi për mirëkuptim dhe solidaritet nga qytetarët, duke thënë se "sot më shumë se kurrë, është e nevojshme uniteti kombëtar dhe mbështetja e ndërsjellë për ta kaluar këtë periudhë të vështirë që na pret". /Telegrafi/