Një grua nga Maryland akuzohet se ka vrarë nënën e saj, më pas ka copëtuar trupin e saj me një sharrë elektrike dhe i ka vënë flakën për të hequr qafe provat, me ndihmën e vajzës së saj.
Gjithçka dyshohet se i ka paraprirë një debat për një kartë krediti. Margaret Craig, 71 vjeç, kishte vdekur për më shumë se një javë kur policia zbuloi pjesët e trupit të saj në bodrumin e shtëpisë së familjes, transmeton Telegrafi.
Kur policët zbritën në bodrum, ata menjëherë ndjenë erë dekompozimi. Hetuesit besojnë se vajza ka vrarë nënën e saj më 23 maj.
E dyshuara Candice Craig (44) thirri vajzën e saj 19-vjeçare Salia Hardy, mbesa e gruas së vrarë, një ditë më vonë për ta ndihmuar atë të copëtonte trupin.
Në bodrum, policia gjeti fillimisht gjak dhe më pas ind pranë tre qeseve plastike të bardha plehrash. Ata gjetën gjithashtu një thikë, si dhe një sharrë elektrike me zinxhir dhe mjete pastrimi.
Mbesa e gruas fatkeqe tha në seancë se nëna dhe gjyshja e saj kishin debatuar për një kartë krediti. Gjyshja dyshohet se ka kërcënuar se do të denoncojë gjithçka në polici dhe pikërisht aty debati ka shkuar në vrasje.
Salia ka deklaruar se e ka gjetur trupin e gjyshes në vaskën e kaltër në dhomën e saj të gjumit. Të nesërmen, nënë e bijë u përpoqën të hiqnin qafe kufomën. Nëna u akuzua për vrasje, ndërsa vajza për ndihmë dhe nxitje në krim.
Sipas mediave amerikane, në ditën e nënës dy vite më parë, Candice ka shkruar një mesazh zemërthyer në rrjetet sociale. Ajo deklaroi se nëna e saj është “personi numër një” në jetën e saj. /Telegrafi/