Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Aleksandar Dashtevski, sot pasdite i shpalli rezultatet përfundimtare jozyrtare të zgjedhjeve pas votimit të djeshëm në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 49,93%.
Pothuajse gjysma nga gjithsej 1.814.317 votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore kanë votuar në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të djeshme.
Për të votuar kanë dalë 905.971 qytetarë, ndërsa nuk kanë votuar 908.346 zgjedhës. Nga numri i përgjithshëm i fletëvotimeve, 24.562 janë të pavlefshme
Me 363.086 vota, kandidatja presidenciale e OBRM-PDUKM-së, Gordana Siljanovska-Davkova, është fituese në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në vend.
Këtë e tregojnë të dhënat e fundit të përditësuara të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) sipas 99,91 për qind të votuesve të procesuar.
I dyti nga shtatë kandidatët për president sipas numrit të votave të fituara është presidenti aktual dhe kandidati për mandatin e dytë të mbështetur nga LSDM, Stevo Pendarovski, me gjithsej 180.500 vota.
Kandidati i “Frontit Europian” të udhëhequr nga BDI-ja, Bujar Osmani, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ka fituar gjithsej 121.088 vota, ndërsa kundërshtari kryesor i tij Arben Taravari nga koalicioni VLEN i partive opozitare shqiptare ka fituar 83.393 vota.
Nga blloku politik maqedonas, kandidati i Lëvizjes ZNAM dhe kryetar aktual i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, me 83.856 vota është i treti për nga numri i votave të fituara.
Kandidatja presidenciale e “Të Majtës”, Biljana Vankovska-Cvetkovska ka fituar gjithsej 41.331 vota, ndërsa kandidati Stevço Jakimovski ka fituar 8.121 vota.
Në 3 vende në Kumanovë votimi është ndërprerë për shkak të problemeve teknike, sepse është një numër i vogël i votave që nuk kanë ndikim në rezultatin përfundimtar, KSHZ-ja e anuloi dhe njoftoi se nuk do të ketë rivotim.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka konstatuar se në ditën e zgjedhjeve më 8 maj do të ketë ndryshime në këshillat zgjedhorë, kështu që në vend të 5 anëtarëve tani do të jenë 7 anëtarë./Telegrafi/