Site icon Telegrafi

​Veteranët duan t’u rriten pensionet: Krerët e shtetit s’kanë nevojë të shkojnë për vizita në Hagë

Shoqatat e dala nga lufta, përfshirë veteranët, familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës kanë paralajmëruar një protestë për të hënën në ora 11:00 para Kuvendit të Kosovës, pikërisht në kohën kur pritet të fillojë seanca që do të shqyrtojë projektligjin për rritjen e pagës minimale, por që lë jashtë rritjes së beneficioneve për këto kategori.

Të njëjtit i kanë kërkuar krerëve të shtetit që të respektojnë obligimet ligjore e morale që kanë ndaj veteranëve të luftës dhe të mos shtyhen se kush shkon më shpejtë të vizitojë krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të OVL e UÇK-së, deklaroi në një konferencë për media, se Qeveria nuk po tregohet bashkëpunuese me organizatat e dala.

“Ne si organizata të dala nga lufta duke e pa që Qeveria e Kosovës përmes Kuvendit po tenton ta ndryshojë ligjin, për këto kategori veteranet e luftës se UÇK-së, ligj i cili i lidh veteranet e luftës me pagën minimale dhe duke e pa qe ata kanë ftuar një seancë për ta ndryshuar ketë ligj ne leximin e parë atëherë në orën 11:00 kemi vendosur të dalim në protestë dhe i ftojmë veteranet e luftës, invalidët, familjet e dëshmoreve por edhe qytetarët në përgjithësi të dalin, për shkak se këtu po bëhet një diskriminim ndaj kategorive të dala nga lufta… 1:45 Përveç këtyre ne kemi probleme edhe në zyrat për kategori te organizatës te dala nga lufta e cila është pranë Qeverisë së Kosovës për arsye se kur është bërë aplikimi dhe që ju ka njoftuar statusi njerëzve, ka hetuar një proces verifikimi, prokuroria dhe i ka marrë të gjitha dosjet që janë në atë zyre dhe për shkak te këtyre dosjeve veteranët, invalidët, familjet e dëshmorëve, por edhe fëmijët e tyre qe janë studentë apo që kanë çështje të tjera për të kryer shërbime në atë zyre kane probleme, sidomos është e turpshme kur veterani vdes dhe bashkëshortja nuk mund ta gëzojë pensionin apo ka familje dëshmori që nuk munden ta gëzojnë pensionin për shkak te një problemi teknik”, theksoi Klinaku.

Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve është shprehur i pakënaqur me qeverisjen e Kurtit, duke thënë se me ardhjen e kësaj Qeverie ka filluar edhe diskriminimi i kësaj kategorie.

Ai ka shtuar se do të duhej të hetohej se cili është problemi që një kryeministër insiston t’i dëmtojë këto kategori.

“Diskriminimi ka filluar me marrjen e kësaj Qeverie dhe mjaftueshëm kjo Qeveri është deklaruar që nuk e çmon, nuk e respekton rrugën plotë sakrificë, krenari se si kemi ardhur deri këtu… Në vend që kjo Qeveri t’ju përgjigjet kërkesave tona për ngritjen e benificioneve, të bëjë maksimumin për t’i zbatuar ligjin që është dalë nga Parlamenti që është aprovuar për këto kategori, kjo insiston që t’i largojë kategorinë e veçante, që pa këtë kategori nuk do të ishim sot të lirë veteranët e luftës që lidhen me pagën minimale… Një kryeministër i tillë që insiston me çdo kusht do të duhej të hetohej se cili është problemi që një kryeministër në emër të luftës vjen dhe ulet në atë karrige dhe insiston t’i dëmtoje këto kategori… Do të ju bëjë thirrje deputeteve të Kosovës që t’i thërrasin arsyes dhe të mos bëjnë një gabim të tille që të votojnë një ndryshim ku e përjashton këtë kategori”, tha ai.

Fadil Shurdhaj, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, deklaroi se pavarësisht kërkesave për takime që kanë bërë ndaj kryeministrit dhe kryetarit të parlamentit nuk kanë pranuar asnjë përgjigje në lidhje me kërkesat që janë adresuar.

“Kërkesë kemi pas për takim me kryeministrin, kërkesë i kemi bërë edhe kryetarit të parlamentit, Glauk Konjufca, por nuk kemi marrë përgjigje, as pozitive, as negative. Kështu që kërkesat tona që i kemi dërguar si shoqatë e invalidëve nuk kemi marrë përgjigje dhe asnjë kërkesë deri tani nuk është realizuar”, tha ai.

Po ashtu, Klinaku ka përmendur edhe krerët institucionalë të cilët paralajmërojnë vizita tek ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në paraburgim nga Specialja, duke thënë se nuk kanë nevojë të bëjnë luftë se kush po i viziton më shpesh.

Klinaku u shpreh se të njëjtit duhen të kryejnë obligimet që kanë ndaj veteranëve dhe mund të mos shkojnë fare t’i vizitojnë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare në Hagë.

“Ditëve të kaluara por edhe dje, janë duke luftuar se cili ka shkuar më shumë t’i vizitojë krerët e UÇK-së apo pjesëtaret në Hagë, dhe cili do të shkojë për t’i vizituar dhe nuk bëjnë asgjë me këto vizita. Qëllimin kryesor e kanë që nëse dalim ne protestë ne, ta trullosin opinionin që mos të dalin masa e madhe në protestë për shkak se këta gjoja qenkan për UÇK-në. Ata s’kanë nevojë të bëjnë mbështetje më vizita atje, ata kanë nevojë t’i kryejnë obligimet ligjore që i kanë si shtet, qoftë me pagesat që do të ja kryen apo shërbimeve avokateve, familjar për vizita, sepse krerët e UÇK-së për të gjithë pjesëtarët atje ata nuk kanë nevojë as për u që të shkojë t’i vizitojë, kanë nevojë veç familja të shkojë për vizitë, por shteti si shtet duhet të përkujdeset për ta”, u shpreh ai.KP/Telegrafi/

Exit mobile version