Veseli: Transformimi i FSK-së në ushtri, në koordinim me partnerët ndërkombëtar

Kryeparlamentari Kadri Veseli gjatë vizitës në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se do të vazhdojnë ta përkrahin këtë forcë dhe se Parlamenti i Kosovës është i gatshëm që në të ardhmen, të marrë vendim për transformimin e kësaj force në ushtri, në koordinim të plotë me partnerët perëndimor si NATO-n dhe SHBA-të.
Veseli tha se në FSK është duke u bërë një punë e jashtëzakonshme.
“Ne do të vazhdojmë përkrahjen për FSK-në. Parlamenti i vendit tonë është i gatshëm të marrë çdo vendim, që është në interes të sovranitetit, në interes të fuqizimit të shtetit tonë. Kjo është ajo çfarë do të bëjmë dhe në të ardhmen. Në koordinim të plotë me partnerët tanë perëndimor të NATO-s, me SHBA-në do të kemi dhe vendimmarrjen e transformimit. Ndërsa deri në transformimin e plotë të FSK-së në ushtrinë e ardhshme të Kosovës do të ketë përkrahje të FSK-së, në ngritjen e fuqizimit e kapaciteteve të veta. Këta janë duke e bërë një punë të jashtëzakonshme. Ushtarak të FSK-së, kanë treguar suksese të veçanta, në çdo pjesëmarrje. Në çdo garë ndërkombëtare, shquhen për sukses, shquhen për seriozitet. Janë partner të sigurt të NATO-s dhe e ardhmja e FSK-së do të jetë në NATO. Kjo është ajo çka dua të inkurajoj dhe ministrin, për një punë shumë të mirë, të cilën është duke e bërë në FSK. Në të njëjtën kohë dhe gjeneralin. Iu lumtë”, tha ai.
Ndërsa, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, tha se kjo vizita e Veselit është nder dhe respekt për FSK-në.
“Ne gjatë kësaj vizite, e njoftuam me të arriturat e FSK-së, me procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, si dhe me objektivat strategjik, që unë si ministër dhe komandant, që i kemi për vitin 2018. Edhe njëherë shfrytëzoj rastin, që ta falënderoj kryetarin për vizitën. Vet vizita e kryeparlamentarit, është një respekt dhe nder që i bëhet FSK-së”, tha ai.
Kryetari i Kuvendit tha se FSK është institucioni me reputacionin më të lartë në Republikën e Kosovës dhe se e tërë kjo sipas tij, duke iu falënderuar pjesëtarëve të kësaj force.
















































