Kosova ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet e rëndësishme të këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, ndërsa pas stërvitjes së sotme ka folur Valon Berisha.
Pas stërvitjes tifozët e pasionuar të Kosovës kanë pasur mundësi për të qëndruar pranë e për të takuar yjet e tyre të preferuar.
Berisha ka folur për stërvitjes duke thënë se janë përgatitur për Zvicrën, duke e ditur që është kundërshtar i fortë.
“Jemi duke u përgatitur për Zvicrën. E dimë që është kundërshtare e fortë. Kemi zhvilluar dy ditë stërvitje intensive, për t’iu përshtatur ritmit të lojës dhe të caktojmë sistemin se si do të futemi në ndeshje. E kemi analizuar Zvicrën. Kanë qenë dy stërvitje të mira. Ekipi është në fokus, pasi e dimë që Zvicra është kundërshtare e fortë dhe do të jetë ndeshje e vështirë. Por në futboll të gjithë e dimë se gjithçka është e mundur. Nëse organizohemi mirë dhe japim maksimumin, ekziston mundësia për të nxjerr një rezultat pozitiv”, ka thënë Berisha.
Ai tutje shtoi se e dinë mirë që kanë përkrahje të madhe dhe shpreson që tua kthejnë me lojë të mira.
“Kemi shumë shqiptarë që jetojnë në Zvicër e që do të na përkrahin edhe ata. Të gjithë e dimë se stadiumi do të jetë i mbushur dhe do të ketë atmosferë të mirë, por sigurisht se do të jetë edhe një ndeshje e vështirë. Të gjithë e dimë këtë. Ne do të mundohemi për një rezultat pozitiv. Atmosfera është e mirë në grup, trajneri fokusin e ka tek ekipi, jo zhurma përreth. Falënderojmë ‘Dardanët’, por edhe të gjithë që na mbështesin dhe na shikojnë në çdo ndeshje. Besojmë se do t’i kemi mbështetës edhe në ndeshjet e ardhshme”, përfundoi Berisha.
Për të vazhduar përgatitjet, Dardanët do të zhvillojnë stërvitjen e radhës nesër në orën 11:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Telegrafi/