Shtëpia më e madhe evropiane e futbollit, UEFA ka publikuar emrat e futbollistëve që janë në garë për më të mirët e edicionit të fundit në Ligën e Kampionëve.
Plot 14 futbollistë janë në garë për katër pozitat, portieri, mbrojtësi, mesfushori dhe sulmuesi më i mirë.
Kampioni aktual i Evropës, Bayern Munich ka plot shtatë futbollistë dhe në secilën pozitën ndodhet së paku nga një yll i gjermanëve.
Manuel Neuer, Jan Oblak dhe Keylor Navas do të konkurrojnë për portierin e vitit në Ligën e Kampionëve.
E çmimi si mbrojtësi më i mirë i vitit sigurisht që do të shkoj në Munich, pasi për atë pozitë konkurrojnë tre futbollistët e Bayernit, David Alaba, Joshua Kimmich dhe Alphonso Davies.
Thiago Alcantara, Thomas Muller dhe Kevin De Bruyne konkurrojnë për mesfushorin më të mirë të edicionin 2019/20.
Ndërkohë për sulmuesin e vitit janë në garë tre top sulmues, dyshja e PSG-së, Kylian Mbappe dhe Neymar si dhe top shënuesi i sivjetmë i Ligës së Kampionëve, Robert Lewandowski.
Por si rrallë herë më parë, dy futbollistët më të mirë në botë, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo nuk janë pjesë e futbollistëve konkurrues për çmimin e më të mirit të vitit në Ligën e Kampionëve.
Kujtojmë që edicionin e kaluar këto çmime u fituan nga Alisson Becker, Virgil Van Dijk, Frenkie de Jong dhe Lionel Messi. /Telegrafi/