U vranë në kufi me Jugosllavinë, familjarët për 66 vjet kërkojnë eshtrat

Për gazetën Panorama, familjari i tyre thotë se Nikoll Gjura, Gjergj Gjura, Pjetër Gjura dhe Nikoll Pal Gjura u larguan më 24 tetor të vitit 1948 nga mali në drejtim të Jugosllavisë, por u vranë nga rojet kufitare.
“Kam 66 vite që i kërkoj eshtrat e tyre. Në kohën e komunizmit më thoshin që ata punojnë me CIA-n amerikane me armë në dorë për të vrare Enver Hoxhën dhe për të rrëzuar pushtetin popullor. Sot në demokraci më thonë se nuk kemi burime arkivore. Nuk kam lënë arkiv në Shqipëri pa kërkuar. U kam shkruar të gjithë pushtetarëve, por askush nuk më ka dhënë asnjë përgjigje”, thotë familjari.
Tentativa e të afërmve për të gjetur eshtrat ka rezultuar e kotë, ndaj familja Gjura ka vendosur të ngrejë një memorial në varrezat e Laçit, ku ata të mund të shkojnë dhe të vendosin së paku një buqetë me lule. /Panorama/





















































