Dy persona transportonin 34 kg kanabis në Lezhë, arrestohet edhe i dyshuari i dytë

Arrestohet 36 vjeçari në Tiranë, pasi ishte arratisur pesë ditë më parë në fshatin Balldre ngase transportonte rreth 34 kg kanabis, në bashkëpunim me një shtetas tjetër (i arrestuar).
Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit, këta 2 shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal të cilët kultivonin, prodhonin dhe shisnin kanabis në Lezhë.
“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Vakumi”, kanë bashkëpunuar me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, për lokalizimin dhe kapjen e tij. Si rezultat, u kap në Tiranë ndërkohë që udhëtonte me taksi dhe u vu në pranga shtetasi: M. N., 36 vjeç, banues në Lezhë”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se 5 ditë më parë, në rrugën e fshatit Balldre, në bashkëpunim me shtetasin D. N. (i cili u arrestua në flagrancë), po transportonte rreth 34 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, por gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, duke përfituar nga errësira dhe nga njohja e terrenit, ka mundur të largohet. /Telegrafi/


















































