Situata e krijuar në Shqipëri nga tërmeti i fuqishëm i së martës dhe fakti që thuajse të gjitha forcat janë të angazhuara në këtë drejtim, tashmë ka nisur të shfrytëzohet nga trafikantët e drogës, raporton Panorama.al.

Me shpresën se askush nuk do e ketë vëmendjen tek veprimtaria e tyre e kundërligjshme, po tentojnë të zhvillojnë aktivitetin.


Një rast i tillë u zbulua në Pikën e Kalimit kufitar të Qafë Botës.

dd1 1

Burime të Panorama.al bënë të ditur se Policia Kufitare ndaloi për verifikim një automjet tip “Volkswagen Bora”, ngjyrë blu, që drejtohej nga shtetasi Qemal Selmani, 51 vjeç, nga Saranda, i cili shoqërohej nga bashkëshortja.

Nga intervistimi dhe verifikimet në sistem oficerëve të Policisë u lindën dyshime për qëllimin e udhëtimit të tij drejt Greqisë, ndonëse ai vetë ishte shprehur se po shkonte për blerje bashkë me gruan.

dd3

Për këtë arsye Policia e ka kaluar automjetin e tij për kontroll në vijën e dytë.

Me gjithë verifikimet e imtësishme të kryera në automjet, nuk është arritur të gjendet asgjë e kundërligjshme, por duke pasur dyshime të arsyeshme për një tentative trafikimi, është vendosur që automjeti të shoqërohej drejt Kakavijës, ku është futur në skaner dhe aty, në pjesën e brendshme të gomës së pasme, në trup të makinës, u gjetën disa pako me peshë totale 5 kilogramë heroinë.

Në këto kushte u krye arrestimi në flagrancë i Qemal Selmanit, me akuzën e “trafikimit të lëndëve narkotike”, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia e lëndës narkotike dhe automjeti.