Vetëm një ditë para takimit të 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe pas takimeve në Beograd, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi sot në Prishtinë do të takojë krerët e shtetit.
Escobar ndodhet në Kosovë, pas vizitës në Beograd në përpjekje që takimi i 18 marsit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ku do të diskutohet plani i zbatimit të Propozimit evropian për normalizimin e raporteve të jetë i suksesshëm.
Ai të enjten në u takua me kryetarët e partive opozitare, ndërkaq pas takimit, asnjë nga përfaqësuesit e partive opozitare nuk ka folur për media dhe as emisari Esocbar.
Nga Presidenca e Kosovës kanë njoftuar se takimi ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe të dërguarit Escobar do të mbahet në ora 09:00, ndërsa në ora 10:00 pritet të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
E zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka bërë të ditur për Telegrafin se takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe të dërguarit të SHBA-së, Escobar do të mbahet të premten.
Takimi do të mbahet në orën 11:00.
Ndryshe, dy ditë më parë Escobar në Beograd takoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit tha se ka zhvilluar një “bisedë të hapur dhe korrekte”.
Vuçiq shkroi në llogarinë e tij në Instagram: “Besoj në përmirësimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”.
Ndërsa në komunikatën e Presidencës së Serbisë, thuhet se është diskutuar procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe mundësitë për gjetjen e zgjidhjeve përmes kompromisit dhe të qëndrueshme në dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian”.
“Presidenti Vuçiq përsëriti qëndrimin e pandryshuar të Serbisë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani dhe ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare”, thuhej në komunikatë, transmeton Telegrafi.
E ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier një ditë më parë tha se takimi i Ohrit është një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe Serbinë për të arritur marrëveshje mbi planin evropian për normalizim të marrëdhënieve.
Në një takim që ka zhvilluar me gazetarë në ndërtesën e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, Hovenier tha se aktualisht fokusi kryesor është te zbatimi i aneksit të marrëveshjes. /Telegrafi/