Tahiri: Kosova përballë sfidave urgjente, nevojitet formimi i menjëhershëm i institucioneve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar lidhur me caktimin e datës së konstituimit të Kuvendit të ri nga presidentja e vendit.
Ai ka theksuar se Kosova ndodhet përballë sfidave urgjente dhe kërkon një qeverisje të përgjegjshme.
“Më 15 prill, Presidentja ka caktuar datën e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, plot 65 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve,” ka thënë Tahiri.
Sipas tij, Kosova përballet me tri sfida kryesore:
Kriza ekonomike dhe sociale – Kostoja e jetesës po bëhet e papërballueshme për shumë familje, ndërsa vendi ka nevojë për një qeveri që vendos mirëqenien e qytetarëve në qendër të agjendës së saj.
Siguria publike – Rritja e rasteve të vrasjeve dhe krimeve të rënda po e cenon seriozisht stabilitetin e shoqërisë.
Sanksionet e BE-së – Masat e vendosura nga Bashkimi Evropian po dëmtojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe perspektivën e saj euroatlantike.
Në këtë kontekst, ai ka kërkuar formimin e menjëhershëm të institucioneve të reja me një qasje ndryshe nga qeverisja e deritanishme.
“Kosova mundet #mamirë me një qeveri të drejtuar nga Bedri Hamza, e cila do të adresojë efektivisht sfidat që e presin vendin,” ka shtuar Tahiri.
Sipas tij, qytetarët kanë shprehur vullnetin e tyre për ndryshim përmes votës dhe tani është koha për veprim institucional konkret dhe të përgjegjshëm.



















































