Me 59 vota për, 2 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës para dy ditësh ka votuar raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar në rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.
Në raport është konstatuar se gjatë deportimit dhe procedimit të shtetasve turq kanë ndodhur 31 shkelje ligjore, dhe se vendimi për revokim të leje-qëndrimeve në Kosovë dhe urdhri për dëbim me forcë të shtetasve turq ishin në kundërshtim me ligjet, Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare.
Kryetari i këtij Komisioni Hetimor Parlamentar, Xhelal Sveçla, tha për Telegrafin se pas votimit të raportit në Kuvend, tashmë me raport duhet të merren organet e drejtësisë.
“Sipas informatave që kemi, prokuroria ka filluar hetimet edhe para se ky raport të miratohej pasi që ne e kemi dorëzuar një dosje me materiale muaj më parë. Ajo çka tash do të duhej të ndodhte është që organet e drejtësisë me urgjencë të trajtonin një raport që përveç fakteve të shumta të pakontestueshme është edhe i miratuar nga organi më i lartë i vendit”, ka thënë Sveçla për Telegrafin.
Sveçla tha se presin nga Prokuroria që të ftojë në pyetje të gjithë ata që morën urdhrin dhe anashkaluan komplet procedurat, që jashtëligjshëm të dëbohen shtetasit turq e deri të urdhërdhënësi i këtij veprimi.
Ndryshe, më 29 mars të vitit 2018, autoritetet në Kosovë kishin arrestuar gjashtë shtetas turq, punonjës të Institucioneve në pronësi të klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë.
Të gjashtët ju dorëzuan autoriteteve turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi, shumë kritika ndaj institucioneve.
Kryeministri Haradinaj, kishte shkarkuar ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi, pas arrestimeve.
Ndërsa në korrik të vitit të kaluar ishte themeluar Komision Parlamentar për hetimin e operacionit i cili gjeti 31 shkelje ligjore gjatë operacionit.
Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të komisionit, janë bërë Agjencia e Zbulimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, klerikut që akuzohet se qëndronte para grusht shtetit të korrikut të vitit 2016.
Kleriku Gulen që jeton në Shtetet e Bashkuara i ka mohuar vazhdimisht akuzat.
Thuhet se fondacioni i tij FETO drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi. /Telegrafi/