Mbrëmë një aksident tragjik në rrugën Gjilan-Prishtinë ka rezultuar me humbjen e jetëve të tre të rinjve, pasi vetura e tyre doli nga rruga dhe ra në Liqenin e Badovcit.
Policia e Kosovës, së bashku me ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe zjarrfikësve, intervenuan menjëherë pas marrjes së informatave për aksidentin.
Trupat e të ndjerëve u nxorën nga ujërat e liqenit pas një operacioni të gjatë dhe të ndërlikuar.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një reagimi në rrjetet sociale, shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për familjet e viktimave, duke u zotuar për mbështetje të plotë në këto momente të vështira.
“Aktualisht, ekspertët e fushës janë duke bërë hetime për shkakun e aksidentit. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe në këto momente të rënda për ta jemi në krah të tyre. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve për vozitje të kujdesshme në mënyrë që të shmangim dhe të mos përsëriten aksidente të tilla” tha Sveçla në reagimin e tij.
Hetimet për aksidentin janë duke vazhduar nga ekspertët përkatës për të sqaruar të gjitha rrethanat që çuan në këtë tragjedi./Telegrafi/