Kryetari i Komunës së veriut të Mitrovicës, Erden Atiq ka reaguar pas sulmit me granatë dore i cili ndodhi mbrëmjen e së hënës në objekt të kësaj komune.
Atiq përmes një statusi në rrjetin social në Facebook e ka quajtur sulmin e mbrëmshëm “sulm i organizuar terrorist”.
Sipas tij, institucionet në veri do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla.
“Sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës sonë është padyshim sulm i organizuar terrorist. Këto akte kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do t’ia dalin. Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla”, ka thënë Atiq.
Po ashtu, kryetari i veriut të Mitrovicës i ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që ta trajtojnë këtë rast me urgjencë.
“Në anën tjetër, unë i bëj thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta trajtojnë me urgjencë rastin dhe kryesit e këtij sulmi të vihen sa më parë para drejtësisë”, tha ndër të tjera Atiq. /Telegrafi/