Pas dy muajsh pushim dhe ndeshjeve të klubeve tona në garat ndërkombëtare, Superliga e Kosovës kthehet në aksion me edicionin 2022/23.
Ballkani, do të tentojë të mbrojë titullin e kampionit, ndërsa Drita nga njohësit e futbollit vendor shihet si rivali kryesor i saj.
Pastaj vijnë Gjilani dhe Llapi, por edhe Prishtina, që kanë bërë disa ndryshime dhe kërkojnë minimumi një vend në garat evropiane.
Dukagjini, Malisheva, Drenica pasi shpëtuan sezonin e shkuar, këtë vit do të kërkojnë më shumë, pse jo ndonjë befasi.
Ferizaj dhe Trepça ’89 janë kthyer në elitë dhe me skuadrat e tyre, do të kërkojnë ta zgjasin qëndrimin .
Telegrafi Sport ua sjell një analizë për secilin skuadër, ku përfshihet formacioni i mundshëm, përforcimet, vitet në elitë, trajneri dhe lojtari kryesor.
Kampioni aktual shihet si favori edhe këtë vit, pasi në skuadër ka disa nga lojtarët më të mirë të futbollit vendor, ndërsa do të jetë sezoni i tyre i shtatë në elitë.
Sezonin e shkuar ata e mbyllën me 76 pikë, ndërsa në Evropë kanë arritur deri në play-off të Ligës së Konferencës.
Trajneri vazhdon të mbetet Ilir Daja, i cili ka sjell një qetësi në skuadër, gjë që i kishte munguar Ballkanit ndër vite.
Ata janë përforcuar me Qëndrim Zybën, Leonit Abazin dhe Lucas Cardoso.
Ballkani ka një organik shumë të pasur, ndërsa lojtarët kryesor janë Ermal Krasniqi, Edvin Kuç, Armend Thaqi, ndërsa këtë vit vlen të shikohet Albion Rrahamni.
Nënkampioni i Kosovës, Drita, do ta luajë sezonin e 20-të në elitë, ndërsa në Evropë, kaluan një raund, duke u eliminuar pastaj nga Antwerp.
Drita shihet si favorit për titull këtë sezon, ndërsa sezonin e shkuar tubuan 64 pikë.
Trajner mbetet Ardian Nuhiu, që tashmë e njeh ambientin në Gjilan, ndërsa skuadra është përforcuar me emra si Blend Baftiu, Besnik Krasniqi, Iran Junior, Ekow Mills, Kastriot Selmani, Leonat Vitija dhe Florjan Smakiqi.
Nga skuadra është larguar Arbnor Muja që ka kaluar në Belgjikë, por edhe disa të tjerë si Ardian Cuculi, Astrit Fazliu dhe Betim Haxhimusa.
Si lojtari kryesor shihet Muharrem Jashari, ndërsa këtë vit pritet shumë edhe nga Baftiu dhe Selmani.
Sezonin e shkuar e zunë venin e tretë me 62 pikë, ndërsa sezoni aktual do të jetë i 18-ti për Gjilanin në elitë.
Në Evropë nuk është se kishin fat, pasi u eliminuan nga Liepaja e Letonisë, me dy penallti. Këtë sezon me disa ndryshime që i kanë bërë, pritet të jenë sërish rivalizues për titull.
Trajner është emëruar eksperti i Superligës, Zekirija Ramadani, që ka fituar tre tituj kampioni në Superligën e Kosovës, ndërsa ai ka ofruar lojtarë si Baton Zabërxha, Përparim Islami, Granit Jashari, Arbnor Ramadani, Mevlan Zeka, Besart Krivanjeva dhe Theophilus Solomon.
Bardhëekuqtë kanë mbetur pa Gerhard Prognin e larguar, por edhe disa nga veteranët e tjerë.
Lojtari kryesor pritet të jetë Albet Dabiqaj, që ka shkëlqyer edhe në ndeshjet para-sezonale, ndërsa ndihmë pritet të jap edhe Ramadani.
Llapi sezonin e shkuar e mbylli në vendin e katërt me 54 pikë, por fitoi Kupën e Kosovës, duke e mposhtur Dritën në finale.
Ky do të jetë sezonin e 12-të i Llapit në elitën e futbollit kosovar, ndërsa nga Evropa u eliminuan që në raundin e parë.
Tahir Batatina vazhdon të mbetet trajner, ndërsa skuadrën e ka bërë paksa më braziliane me afrimet që i ka bërë. Juan Di Lorenzo, Trimor Selimi, Ardi Qorri, Gerhard Progni, Fernadihno, Robson, Albion Kurtaj, Andri Stafa dhe Sokol Kiqina.
Po ashtu skuadrës iu largua ylli Valmir Veliu drejt Turqisë, por edhe emra të tjerë.
Lojtari kryesor këtë sezon prite të jetë Ilir Krasniqi, i ndihmuar nga Francisco Riveira dhe Gerhard Progni.
Rekordmeni i futbollit të Kosovës, Prishtina, do ta fillojë sezonin e 24-të në Superligën e Kosovës, shifër që nuk e ka askush.
Sezonin e shkuar Prishtina e mbyll në vendin e pesë me 51 pikë dhe shumë probleme.
Në krye të skuadrës është emëruar Ismet Munishi, që ka rritur entuziazmin në kryeqytet, ndërsa ka ofruar lojtarë si Kreshnik Uka, Kushtrim Gashi, Besir Ramadani, Muhamet Useini, Gentrit Dumani, Ramiz Bytyqi, Hasan Hyseni dhe disa talentë të tjerë.
Po ashtu janë larguar emra të njohur si Lorik Boshnjaku, Leonit Abazi, Qëndrim Zyba, Besnik Krasniqi, Oto John e të tjerë.
Lider i skuadrës është Endrit Krasniqi, por aty janë edhe Gledi Mici dhe Leotrim Kryeziu, që kanë bërë përvojë me klubin e kryeqytetit.
Ish kampioni i Kosovës, Dukagjini, do ta zhvillojë sezonin e pestë në total në elitën e futbollit kosovar.
Sezonin e shkuar ata e mbyllën në vendin e gjashtë me 50 pikë.
Në krye të skuadrës është konfirmuar Armend Dallku me dy ndihmësit e tij Artan Luzi dhe Agon Ramadani, që janë edhe ‘goditjet’ më të mëdha të Dukagjinit.
Klubi ka ruajtur boshtin e sezonit të shkuar, ndërsa ofruar në skuadër emra si Oto John, Çendrim Kamberaj, Iljasa Zulfiu, Blendim Morina, Egzon Qerimi, Mhill Grabanica, Dior Zabërgja, Rinor Kuço dhe Vladyslav Khomutov.
Lider i skuadrës në fushë është kapiteni Altin Merlaku, por edhe emra si Elton Basriu dhe Ahmet Januzi janë aty për ta thënë fjalën e tyre.
Kuqezinjtë do të futen në sezonin e 23-të në elitën e futbollit kosovar, pasi është klubi i dytë me më shumë vite në Superligë, por pa ndonjë sukses të jashtëzakonshëm.
Drenica sezonin e shkuar kishte shumë probleme dhe e mbylli në vendin e shtatë me 50 pikë, probleme që i kanë trashëguar edhe këtë vit.
Edhe pse klubi sa i përket informimit është në gjumë të thellë, mësohet se skuadra kuqezi do të drejtohet nga Bekim Shotani.
Skuadrës i janë larguar lojtarët kryesor, si Kreshnik Uka, Genc Hamiti, Granit Jashari, Baton Zabërxha dhe Florjan Smakiqi, ndërsa kanë arritur të bëjnë disa afrime si Florent Avdyli, Altin Vojvoda, Arjan Abazin, Altin Gjokën dhe pritet edhe Mentor Zhdrellën.
Lider i skuadrës pritet të jetë Arbios Thaqi, që vitin e shkuar luajti me shumë sukses.
Për Malishevën do të jetë sezonin i dytë në elitë, ndërsa shpëtoi me barazh sezonin e shkuar duke e mposhtur Vushtrrinë për biletën e fundit.
Skuadra edhe këtë vit i është besuar Arsim Thaqit, i cili ka ruajtur një pjesë të mirë të skuadrës, ndërsa ka afruar edhe lojtarë të ri.
Medin Bajrami, Kastriot Rapuca, Alban Shillova, Drilon Hazrollaj, Kreshnik Bahtiri, Alush Gavazaj dhe Blert Tolaj janë disa nga goditjet e Malishëves.
Lider i skuadrës pritet të jetë kapiteni Dren Kryeziu, i ndihmuar nga Donart Vitija dhe Agron Bruqi.
U kthye në elitë si kampion i Ligës së Parë, grupi B, ndërsa ky do të jetë sezoni i tyre i 16-të në elitë.
Në Ligën e Parë ata tubuan 62 pikë, duke qenë dukshëm më të mirë se sa rivalët e tyre.
Trajneri do të jetë Arbnor Morina, që i drejtoi edhe në vitin e shkuar, ndërsa klubi ka kthyer në gjirin e saj disa nga lojtarët më të mirë ferizajas.
Astrit Fazliu, Betim Haxhimusa, Edon Sadriu, Bujar Shabani, Leutrim Rexhepi dhe Donat Hasani janë disa nga afrimet, ndërsa shumica e lojtarëve që luajtën në vitin e shkuar kanë vazhduar.
Lider i skuadrës është Florim Berisha, ndërsa aty janë edhe Fazliu dhe Shabani që njihen për lidershipin e tyre.
Kampioni i Ligës së Parë – Grupi B, me 58 pikë, kërkon ta thotë fjalën e saj edhe në Superligë.
Ish kampioni i Kosovës, për sezonin 2016/17 do të luajë për herë të 22-të në elitën e futbollit kosovar.
Skuadra edhe këtë vit do të drejtohet nga Shpëtim Idrizi, i cili bazohet në lojtarë të ri dhe të talentuar.
89-shi ka ofruar emra si Bleron Sekiraqa, Erdin Dushi, Ron Raqi, Egzon Fazliu dhe Guri Hana.
Në skuadër është portieri me përvojë Donat Kaçiu dhe mbrojtësi Samir Sahiti, ndërsa ylli në rritje konsiderohet Rilind Nimani.
SONDAZH