Site icon Telegrafi

Sot diskutohet nëse duhet të ketë orë policore në Maqedoni

Komisioni për Sëmundje Ngjitëse në mbledhjen e sotme do të vendosë nëse nga 1 qershori do të ketë lehtësim të masave kufizuese, respektivisht nëse do të hiqet ora policore si dhe mbajtja e maskave në hapësira të hapura.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, gjatë ditës së djeshme theksoi se mbajtja e maskave në hapësira të hapura do të jetë tema e parë në të cilën do të diskutojnë anëtarët e komisionit. Sipas tij, duhet të ketë lehtësim të masave për shkak të përmirësimit të gjendjes epidemiologjike në vend, përkatësisht ulja e vazhdueshme e rasteve të reja me coronavirus.

“Komisioni për Sëmundje Ngjitëse do të diskutojë për lehtësimin e masave. Duke marrë parasysh numrat, që tregojnë dobësim të epidemisë, unë jam optimist se javën e ardhshme do të ketë lehtësim të masave. Megjithatë, të gjitha masave u duhet revizion shtesë. Ne si Ministri të Shëndetësisë dhe si Qeveri, mezi presim që t’i heqim masat, por pa rrezikuar shëndetin e qytetarëve”, tha Hasani.

Hasani shton se personalisht ai është për heqjen e orës policore, por këtë vendim e merr Komisioni për Sëmundje Ngjitëse.

“KSI do të merr vendim në bazë të gjendjes epidemiologjike, të parametrave dhe në bazë të informacioneve që i kemi nga llojet tjera që janë rrezik potencial për vendin tonë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm”, tha Hasani.

Ndryshe, për shkak të uljes së numrit të të infektuarve, spitalet mbyllën një pjesë të kapaciteteve që kishin të bëjnë me trajtimin e pacientëve me coronavirus./Telegrafi/

Exit mobile version