LAJMI I FUNDIT:

Sllovenia ndihmon Kosovën në implementimin e reformës së TVSH-së

Sllovenia ndihmon Kosovën në implementimin e reformës së TVSH-së

Ministri i Financave Bedri Hamza gjendet për vizitë zyrtare në Slloveni ku është pritur në takim nga ministrja e Financave të Sllovenisë, Mateja Vraniçar Erman, ku diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë për bashkëpunimin ndërministror.

Sipas kumtesës së lëshuar nga Ministria e Financave, ministri Hamza e njoftoi homologen e tij sllovene  për progresin dhe të arriturat në të gjitha fushat në Kosovë, në veçanti fushën e financave si dhe për  reformat fiskale që janë ndërmarrë kohëve të fundit nga Ministria e Financave për të mbështetur sektorin privat, si bartës  i zhvillimit ekonomik në vend, njofton Telegrafi.

Hamza kërkoi mbështetjen e Ministrisë së Financave të Sllovenisë  në përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe administrative, teknologjisë informative, për fillimin e reformës më të madhe në Kosovë deri më tani, e që është bartja e mbledhjes së TVSH-së nga kufiri në brendi të vendit.


Ndërsa, ministrja e Financave të Sllovenisë Mateja Vraniçar Erman, duke falënderuar Ministrin për vizitën vlerësoi lartë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, dhe bëri të ditur se Kosova dhe Sllovenia, nuk kanë ndonjë temë të hapur në fushën e financave.

Ajo gjithashtu shprehi gatishmërinë e Ministrisë së Financave të Sllovenisë për të mbështetur Kosovën , në implementimin sa më të mirë të reformës së TVSH-së, të cilën reformë Sllovenia e ka filluar së implementuari nga qershori i vitit 2016.

Sipas saj, kjo reformë shkon në të mirë të bizneseve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Andaj, duke e ditur rëndësinë e kësaj reforme, Ministria e Financave e Sllovenisë do të ju mbështes”, bëri të ditur Erman. /Telegrafi/