(Ky është një tregim i bazuar në ngjarje të vërteta dhe u dedikohet vetëm patriotëve. Prandaj, mos e lexoni nëse nuk jeni patriotë)
Një ditë shkova te dyqani i një turku për të blerë një lakër turshi. Disa herë e shikova për t’u bindur nëse ishte e vërtetë që emri i lakrës ishte ‘Skanderbeg’. Me emrin Skenderbe deri sot janë emërtuar sheshe, rrugë të qyteteve, shkolla, institucione, organizata të ndryshme, por edhe alkool. Por, lakër turshi …?!
Lakra më ktheu në fëmijërinë time kur Skënderbeu ka qenë shumë i popullarizuar në mesin tonë. Kjo ka qenë një kohë kur Kosova po e merrte formën e një njësie politike territoriale që mëtonte të ishte gjithnjë e më shumë shqiptare. Lexonim dhe dëgjonim tregime me shumë vëmendje për Skënderbeun i cili gjithnjë e më shumë depërtonte në literaturën që na lejohej neve.
E kishim pa edhe filmin i cili sapo kishte dalë për distribuim. Ne fëmijët tërë kohën mrekulloheshim nga fakti se Skënderbeu me një të rënë e kishte prerë demin në dysh dhe kishte bërë plot gjëra tjera të kësaj natyre. Në këtë mënyrë, Skënderbeu kishte arritur te caku, siç isha edhe unë, me tërë bagazhin historik, ideologjik dhe propagandistik për të krijuar efekt.
Me këto cilësi që kishte Skenderbeu, mjaftonte që të perceptohej si heroi im. Por, siç zbulova më vonë, ai nuk ishte heroi të gjithëve. Mbi të gjitha, mënyra se si na ‘servohej’ Skënderbeu, na bënte qe ta vazhdonim ‘luftën’ me një regjim që kishte përfunduar moti dhe ta harronim atë në të cilin jetonim. Në këtë mënyrë, edhepse kishte kaluar gati një shekull, turku ende ishte armiku ynë.
Në vazhdën e popullarizimit të personalitetit të Skënderbeut, nëpër kiosqe dhe nëpër tezga të qytetit, shiteshin edhe fotografi të tij. Para festës së 28 Nëntorit, që kremtohej në mënyrë gjysmë ilegale e diku edhe ilegale, unë i kisha blerë dy fotografi të tilla dhe i mbaja në xhepin e brendshëm të ’vindjaknes’. Fotografitë ishin edhe kartolina dhe tërë kohën mundohesha që t’i zgjedhja dy shokët më të mirë që t’ua dërgoja për vit të ri.
E mbaj mend që Skënderbeu në këtë kartolinë, bardhezi, qëndronte në profil, kurse në kokë e mbante një kapelë e cila, sikur ta kishte atë strehën përpara, do t’i përngjante kapelës së postierit. Në një fotografi tjetër që ishte po ashtu në shitje, Skënderbeu qëndronte sërish në profil, pak si mendueshëm, por në kokë e kishte përkrenaren dybrirëshe. Kjo fotografi ishte me ngjyra dhe kushtonte dy herë më shtrenjtë se ajo bardh e zi. Kjo ishte arsyeja që unë kisha vendosë t’i blija ato bardh e zi në mënyrë që me të njëjtin çmim ti kisha dy fotografi.
Një natë prindërit më morën me vete për një ndejë te një familje me të cilën ne kishim një lidhje të largët farefisnie dhe mbanin kontakte me të. Kjo familje kishte tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përafërsisht të moshës sime. Nëna e tyre ishte qytetare denbabaden dhe fliste turqisht. Nuk e di nëse ajo e mbante veten turke por unë, gjithsesi, e merrja për të tillë.
Kur hymë brenda ne fëmijët u ndamë në një dhomë që të mos u pengonim prindërve në muhabet. Nuk vonoi shumë dhe unë me mburrje të madhe ua tregova fotografitë e Skënderbeut. Tashti, unë prisja lëvdata nga ta. Për habinë time të madhe ata u stepën dhe më shikuan me përbuzje të pashpjegueshme. Shumë shpejtë filloi debati ‘pro et contra’ Skënderbeut. Në anën time doli motra e tyre e cila krijoi antiskenarin e dramës ‘Halili dhe Hajrija’. Debati eskalonte dhe zërat tona ngriteshin, derisa dy vëllezërit definitivisht morën rolin e Hamzës, tradhtarit të Skënderbeut. Së paku unë i shihja në këtë mënyrë. Në një moment njëri nga ta, me plot nervozë, u ngrit në këmbë e mori një vizore të plastikës për ta përdorur si thikë dhe i doli vëllait të tij pas shpinës. Ia kapi kokën në stilin e sotshëm të ISIS-it dhe filloi ta imitonte prerjen në qafë të vëllait të tij duke më thënë: ‘Qe, qeshtu ja ka ba sulltan Murati Skënderbeut’. Me fjalë tjera, sulltani ia kishte prerë kokën Skënderbeut!
‘Nuk është e vërtetë’, u thashë dhe vazhdova të argumentoja se si Skënderbeu i kishte luftuar me sukses hordhitë pushtuese-barbare-turko-aziatike për ta mbrojtur Shqipërinë heroike me pasardhës të ilirëve, siç e vërtetonin edhe librat tona. Unë, atëherë, sikur edhe sot, kam qenë i mendimit se duhet ta argumentoj poentën time deri në fund, pa përdorur dhunë. Megjithatë, sikur çdo shqiptari, edhe durimit tim i erdhi fundi kur njeri prej tyre me plot urrejtje bërtiti në drejtim timin: ‘Ta qifsha Skënderbeun që u konë i killaft’. Kur ai i tha këto fjalë, mu duk sikur që ma shau nënën time të dashur së bashku me babanë tim që në ato momente gjendeshin në dhomën tjetër ku kuvendonin hareshëm me nikoqirët. Ky ishte momenti kur unë u ngrita në këmbë dhe fillova sulmin e rrufeshëm fizik. I përdora grushtet, shkelmat e në një rast edhe kokën. Edhe ata e bënin të njëjtën gjë ndaj meje. Kur motra e tyre bërtiti me një zë të lartë e të thekshëm trishtimi, prindërit tanë hynë në dhomë të cilën ne e kishim bërë tollovi nga përleshja. Ende pa përfunduar çaji, u prish muhabeti dhe ne dolëm nga banesa e tyre derisa që të dy palët (prindërit), në mënyrë kurtuazie, i kërkonin falje njeri tjetrit.
‘Qysh bre për Skenderbegin me ba ti gjithë atë hallakamë?’ – më pyeti baba kur dolëm te shkallët. Unë e shikova me habi dhe në fytyrën e tij vërejta një brengosje të tij serioze për ardhmërinë time. Por, unë në atë moshë nuk isha në gjendje ta kuptoja brengën që ka prindi për fëmijët. Për të më dekurajuar edhe më tej nga frymëzimi im, ai më tha: ‘Po, a e din more ti që kjo puna e Skenderbegit asht moti kohë. Qe 400 vjet që ka dekë.’ Ky konstatim i babait tim, jo që nuk ishte në anën time, por më krijoi edhe dëshprim. ‘Qe 500 vjet’, i thashë me plot nervozë sa për ta korrigjuar pasaktësinë e tij. Atëherë nuk ka qenë lehtë me ja kthy fjalën babës. Pasi që ishte fjala për Skënderbeun, unë e theva këtë rregull të hekurt. Kur ai i dëgjoi fjalët e mia u kthye nga unë, më ndali dhe me një cinizëm më tha:’Qy… a 500 vjet kokan ba, a?’
Në atë moment ai e bëri gati shuplakën, të cilën unë po e prisja me kohë, por që ajo, për ndonjë arsye, po vonohej. Para se të ndeshej shuplaka e tij në fytyrën time, unë, pasi që isha i përgatitur për mbrojtje, e bëra një eskuivazh si të Aziz Salihut, dhe pak nga shuplaka që më preku pas qafe e më shumë nga rrëshqitja mbi shtresën e hollë që kishte krijuar bora e mbrëmjes së atij nëntori, u përplasa mbi ‘gipekun’ e Shkodës tonë. Për shkak të peshës sime, ‘gipeku’ filloi lëvizjen dhe së bashku me te filloi ta lëvizte kokën edhe ai qeni i plastikës i cili qëndronte për hijeshi pas hapësirës së karrigeve të pasme. I ngjitur për ’gipeku’ e shikoja qenin se si e lëvizte kokën poshtë-lartë, në shenjë pohimi, sikur që donte ta miratonte veprimin e babait tim. As qeni i plastifikuar nuk ishte në anën time dhe vazhdonte ta tundte kokën sa që goja e tij gati i prekte tentenet e nanës sime që i kishte vënë për zbukurim në pjesën e epërme të dritares. U binda që heronjtë sikur unë janë gjithmonë në konflikt me botën reaksionare dhe për këtë arsye e kanë jetën e vështirë.
Rruga për në shtëpi atë natë ishte e gjatë, pasi që qortimet e babës nuk kishin fund. Disa herë më tha: ‘Mos u merr me këto punë. Bani detyrat dhe lexo naj libër.’ Problemi qëndronte në faktin se Skënderbeu ishte në librat që i lexoja. Madje, Skënderbeu ishte edhe në librin e Matematikës ku ai nuk duhej të ishte, por unë e kisha vizatuar portretin e tij. Në ambientin tim, Skënderbeu ishte figura dominuese se kështu e kërkonte hesapi atëherë.
Nuk fjeta atë natë se kjo punë nuk duhej përfunduar me kaq pasi që për shkak të Hamzajve unë e hëngra edhe shuplakën edhe qortimet. Mbi të gjitha, Hamzajt e kishin tradhtuar kombin dhe duhej të dënoheshin. Do të hakmerresha gjithsesi pasi që këtë e kërkonte nderi i kombit, por edhe kisha mundësi.
Në atë kohë grupet e dhunshme të adoleshentëve, të cilat ne i quanim banda, kanë qenë në modë. Unë kam qenë pjesëtar i një bande të përbërë me luftëtarë të rreptë e të devotshëm që numëronte 15 deri 20 veta dhe së bashku me shokun tim të ngushtë ishim në komandë të saj. Banda jonë ishte mjaft e rrezikshme dhe ishte treguar e suksesshme në betejat që i zhvillonim kundër dy bandave tjera të qytetit që përfaqësonin dy lagje tjera, e që kryesisht ishin nxënës të shkollës sonë e cila në atë kohë quhej “Vlladimir Nazor”. Ne frymëzoheshim nga filmat e Robin Hudit, Ivanhoes, Vinetës dhe Olldshetërhendit, por më shumë nga filmi i Skënderbeut. Veprimet e këtyre heronjve ne i zbatonim në praktikë kundër atyre me të cilët nuk pajtoheshim. Betejat i zhvillonim në fushën mbi konviktin Nr. 1 të studentëve që atëhërë ishte konvikti i vetëm në qytet.
Të nesërmen në shkollë unë e mblodha ‘Këshillin e Luftës’ dhe kur u tregova për ngjarjen, shpirtrat u trazuan, kurse morali u ngrit dhe morëm vendim për të vepruar sa më shpejt kundër tradhtarëve. Vendimi nuk ishte shumë i qartë, pasi që disa mendonin se duhej ‘larë lesh’ në Hamzajtë kurse disa, që vinin nga një krah më radikal, mendonin se ata duhej ‘ekzekutuar’. Në fakt, ‘ekzekutimi’ nuk vinte në shprehje, pasi që armët tona ishin shpatat e drunjta dhe shigjetat me hark pos njërit që e kishte një topuz nga plastika. Megjithatë, këto armë mjaftonin që ne të përgjakeshim në fushëbetejë.
Para se të fillonte beteja, unë e lansova një aspekt të luftës speciale sa për ta frikësuar dhe demoralizuar kampin e armikut. I mora dy kartolinat e Skënderbeut për t’ua dërguar Hamzajve dhe në të dyja i shkrova këto fjalë: ‘Skënderbeu ta qiftë nanën turke për këtë Vit të RI 1971’! Nuk pati nevojë të nëshkruhesha se dihej kush dërgonte urime të tilla. Me plot mburrje dhe në mënyrë ceremoniale i futa kartolinat në sandëkun e verdhë të postës dhe në prani të anëtarëve të bandës e cila në këtë rast më duartrokiti. Dërgimi i fotografive të Skënderbeut ishte shpallje formale e luftës. Sa i përkiste anës sonë, ne ishim të gatshëm dhe lufta me tradhtarët mund të fillonte në çdo moment.
Problemi që na doli ishte se Hamzajt, si tipa urbanë që ishin, nuk kishin bandë të tyre dhe ne nuk takoheshim me ta. Ata jetonin larg nesh, në qendër të qytetit, dhe shkonin në një shkollë tjetër e cila, nëse nuk gaboj, quhej “Aca Maroviq”. Prandaj, ata lirisht mund ta injoronin gatishmërinë tonë për luftë. Banda jonë e kontrollonte pjesën e qytetit që fillonte mbi shtëpitë tona në “Aktash II”, kurse vija e fundit ishte nga konvikti nr. 1 në jug e deri të shtëpia e Veli Devës në veri. Matanë kësaj vije guerilja jonë paraurbane nuk sulmonte pasi që nga aty kontrollin e merrte milicia e shtetit, e cila edhepse nuk na pëlqente, ne nuk planifikonim ndonjë sulm kundër saj. Me fjalë tjera ne i ruheshim konfliktit të armatosur me milicinë zyrtare dhe kjo gjë ‘a priori’ i bënte Hamzajt të ishin të mbrojtur. Me fjalë tjera, ne e mbronim kombin në periferi, kurse problemin e kishim në qendër, aty ku nuk kishim qasje.
I planifikuam disa kurthe për ta dhe i ndjellnim në mënyra të ndryshme. Vazhdimisht dikush nga ne i thërriste në telefon kinse për takim shoqëror ose për ndonjë ndeshje sportive, por Hamzajt si duket e ndjenin rrezikun dhe nuk e ‘hanin grepin’. Disa muaj u munduam t’i fusnim në dorë për t’ua dhënë hakun, por kot. Nuk pati mundësi të hakmerresha. Vitet kaluan shpejt dhe kjo punë dikur u harrua. Madje, unë kurrë më as që i kam pa në jetën time Hamzajt. Pos, në një rast që ndodhi nëpërmes kontaktit elektronik, audio-vizuel.
Gjatë viteve të 90-ta, pas mbylljes së televizionit tonë, shikonim shpesh kaseta VHS. Një ditë qëllova diku mysafir kur ma lëshuan një kasetë të një shoqërie kulturo-artistike të cilat unë, në fakt, nuk i kam merak. Por, duke dëgjuar dhe shikuar grupin që këndonte, papritmas pashë diçka që për mua ishte mjaft shokuese. Në mesin e grupit folklorik pash dy veta që përngjanin në Hamzajt. E luta të zotin e shtëpisë që ta kthente kasetën pas pa i treguar pse. Nuk mund të besoja në atë që shihja. Hamzajt ishin veshur me kostume kombëtare dhe njeri me çifteli e tjetri me sharki këmbëkryq mbi një postaqi këndonin këngë patriotike. Për t’u siguruar deri në fund, e mora njërin në telefon që i njihte dhe që i takonte shpesh.
‘Po, ata janë’, më tha ai. E pyeta nëse këndonin këngë për Skënderbeun? ‘U… shumicën e këngëve për Skënderbeun i kanë’, më tha. Kjo për mua ishte më shumë se habi. Merreni me mend, Hamzajt tashti ishin transformuar në patriotë dhe para tyre njeriu, në këtë rast unë, mund të ndjehesha inferior në aspektin kombëtar. Këtu vjen në shprehje ajo thënia: ‘Me t’u dokë vetja shkâ karshi tyne’. Madje, jo moti, nga një burim i besueshëm, kam marrë vesh se njëri nga Hamzajt është këshilltar diku në Qeveri.
Sidoqoftë, sot jam shumë i lumtur që nuk kam pasë fat t’i fusja Hamzajt në dorë kur planifikoja dënimin e tyre. Sikur plani im dhe i bandës sime të realizohej, Kosova sot do t’i kishte dy patriotë më pak ose dy patriotë me aftësi të kufizuara siç u thonë sot invalidëve.
Brenda një gjenerate, bota ka ndryshuar shumë. As Skënderbeu nuk është më ai i moçmi, i fëmijërisë sime. Edhe banda ime është tretur dikah dhe më ka lënë në vetmi për të shikuar se si Hamzajt e dikurshëm hedhin vallen e tyre të sotme.
***
Patriotë të të gjitha vendeve, moshave, gjinive dhe madhësive, Gëzuar 28 Nëntorin.
P.S.: Përndryshe lakra turshi ‘Skanderbeg’, e cila shihet në fotografi, ishte shumë e mirë, sidomos për sarma!