Site icon Telegrafi

Situata në veri, Sindikata e Policisë: Krizë humanitare, zyrtarët policor në Leposaviq dhe Jarinjë kanë mbetur të bllokuar

Foto: Ilustrim

Sindikata e Policisë së Kosovës thotë se është duke i përcjellë me vëmendje gjendjen aktuale në Kosovë, ku Policia e Kosovës vazhdon synimin e saj në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ngritjen e partneritetit me qytetarët.

Në njoftimin e Sindikatës thuhet se Policia e Kosovës ushtron autorizimet e tyre dhe kryejnë detyrat në mënyrë të ligjshme, të bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjeve tjera në fuqi dhe në Kodin e Etikës, duke vepruar në mënyrë të paanshme për të mbrojtur jetën, pronën, sigurinë, kontrollin e kalimit kufitar për të gjithë pa dallim etnie apo nacionaliteti.

“Me të njëjtin qëllim qëndrojnë zyrtarët policorë edhe në dy lokacionet e veriut të vendit, në Leposaviq dhe Jarinje ku janë të bllokuar nga barrikadat e vendosura nga grupe jolegjitime kriminale. Bllokimi i rrugëve ka hyrë në ditë në tetë dhe si pasojë është cenuar lëvizje e lirë e qytetarëve dhe organeve të rendit dhe zyrtarët policor në Leposaviq dhe Jarinjë kanë mbetur të bllokuar pa pasur mundësi t’ju bëhet ndërrimi sipas rregullave për funksionim normal”, thuhet në njoftim.

“Sindikata e Policisë dhe të gjithë pjesëtarët e policisë janë duke i përcjellë nga afër këto zhvillime si dhe janë shumë të shqetësuar për fatin e kolegëve të bllokuar, prandaj u bëjmë thirrje urgjente Presidencës, Qeverisë, KFOR-it, EULEX-it dhe ambasadave të QUINT-it që të bashkërendojnë veprimet dhe menjëherë të krijohen kushtet për lëvizje të lirë dhe zyrtarëve policor t’ju bëhet ndërrimi”, thuhet në reagimin e sindikatës.

“Zyrtarët policor në këto dy lokacione të bllokuara po qëndrojnë me moral shumë të lartë, por shëndeti dhe jeta e tyre është e rrezikuar seriozisht për shkak të kushteve të vështira të krijuara nga rrethanat dhe ambienti në të cilin qëndrojnë”, thuhet më tej.

“Duhet të kuptojmë se edhe durimi e ka fundin e vet edhe për ata që janë atje edhe për ne. Në këtë rast është tejkaluar gjithçka nga normalja sepse kemi të bëjmë me rrezikun e jetës nga sëmundje të ndryshme të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve që banojnë në atë pjesë, tani më kemi të bëjmë me krizë humanitare, prandaj duhet të intervenohet urgjentisht!”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version