Telegrafi

Shpërtheu në lot kur njoftoi se po shkonte në Arabinë Saudite, Ruben Neves tregon arsyen e sinqertë prapa këtij vendimi

(Foto: Twitter/Wolves TV/Al Hilal)

Ruben Neves shpërtheu në lot një muaj më parë kur njoftoi për largimin e tij nga Wolverhampton Wanderers dhe kalimin te klubi saudit, Al Hilal.

Edhe pse kërkohej nga klube, si Manchester United e Arsenal, ai vendosi të shkonte në Arabinë Saudite, ku u transferua për një shumë prej afro 55 milionë euro.

Në lamtumirën emocionuese, 26-vjeçari nuk mundi t’i mbante lotët, ndërsa në një intervistë të sinqertë ka rrëfyer se pas gjithçkaje qëndrojnë kushtet financiare që ia ofruan sauditët.

Lexo po ashtu Ruben Neves shpërtheu në lot në intervistën e lamtumirës, Wolves publikon një video thellësisht emocionuese

Ai ka thënë se familja është trofeu më i madh që mund të fitohet, prandaj dëshiron të kujdeset për ta, gjë që është shumë më e rëndësishme për të sesa prestigji në fushat e futbollit.

“Duke i siguruar familjes time jetën që kam ëndërruar gjithmonë për ta, ishte arsyeja kryesore pse nuk kisha dyshime për pranimin e kësaj oferte. Kam tre fëmijë dhe një grua, ndërsa kujdesi për ta është trofeu im më i madh”.

“Projekti ‘Al Hilal’ është më i miri në Azi. Rrjetet e mia sociale janë ‘çmendur’ qëkur erdha te Al Hilal dhe është e pabesueshme të shohësh se sa tifozë kanë ata që janë të apasionuar pas futbollit”, ka deklaruar portugezi.

Kujtojmë që Neves është vetëm njëri nga yjet e shumta evropiane që kanë vendosur ta vazhdojnë karrierë në Saudi Pro League, duke nisur nga Cristiano Ronaldo e Karime Benzema te Roberto Firmino, N’Golo Kante, Marcelo Brozovic, Kalidou Koulibaly e shumë të tjerë që pritet të shkojnë. /Telegrafi/