LAJMI I FUNDIT:

ShBA-ja duhet të përcaktohet se çfarë do të thotë “fitorja” në Ukrainë – ose do të humben edhe më shumë jetë atje

ShBA-ja duhet të përcaktohet se çfarë do të thotë “fitorja” në Ukrainë – ose do të humben edhe më shumë jetë atje

Nga: Frank Ledwidge / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Lufta e drejtë dhe e domosdoshme për Ukrainën, i vë luftërat e fundit katastrofale të zgjedhjes – si Iraku dhe Afganistani – në kontekstin e pistë që ato meritojnë. Megjithatë, ka sinjale shqetësuese se politikanët perëndimorë nuk e kanë nxjerr mësimin më jetik të këtyre konflikteve – domosdoshmërinë për objektivat e qarta dhe një strategji e qartë për sukses.

Kjo mund të duket e qartë, por vlen të thuhet se kjo është fushatë ushtarake dhe kur bëhet fjalë për mbështetjen ushtarake, ShBA-ja deri tash ka qenë nëse jo i vetmi atëherë lojtari më i rëndësishëm. E, siç qëndrojnë gjërat, ShBA-ja nuk ka arritur t’i artikulojë qëllimet e veta të luftës. Dëgjojmë shumë për ato që ShBA-ja “mbështet”, si “integriteti territorial i Ukrainës”. ShBA-ja mbështet shumë gjëra: të drejtat e njeriut, proceset demokratike e kështu me radhë. Këto nuk janë të njëjta me qëllimet e saj të luftës. Synimet e NATO-s në luftën e Kosovës të vitit 1999, për shembull, ishin të qarta: forcat serbe jashtë Kosovës; një forcë paqeruajtëse dhe një administratë civile ndërkombëtare; si dhe kthimi i refugjatëve. Objektivat e luftës së Gjirit të vitit 1991 ishin edhe më të thjeshta: dëbimi i forcave irakiane nga Iraku. Vlen të kujtohet, dhe jo pa qëllim, se këto ishin fushatat e fundit të suksesshme ushtarake të Perëndimit.


Është koha e fundit që ShBA-ja (dhe për rrjedhojë NATO dhe aleatët e saj) të artikulojë objektivat e veta dhe të ofrojë mbështetjen në përputhje me rrethanat. Dështimi për ta bërë këtë rrezikon një konflikt pa cak, të gjatë – dhe në të vërtetë të papërcaktuar – me humbje të mëdha e të panevojshme jetësh.

Deri tash kemi pasur të paktën tri artikulime shumë të ndryshme të strategjisë së gjerë të ShBA-së për Ukrainën. Së pari, në mars 2022 Joe Biden – ndoshta në një moment të pamatur që u tërhoq shpejt – bëri vërejtjen se Vladimir Putini “nuk mundet të qëndrojë në pushtet”. Me fjalë të tjera, kërkonte ndryshim regjimi. Menjëherë më pas, në deklaratën më bindëse për politikën amerikane që kemi dëgjuar deri tash, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, deklaroi: “Duam ta shohim Rusinë të dobësuar në atë shkallë sa nuk mund t’i bëjë më gjërat që ka bërë me pushtimin e Ukrainës”. Kjo mund të përmblidhet si “gjakosi ata derisa kjo dhemb dhe vazhdo t’i gjakosësh”.

Së fundmi në muajin e kaluar, sekretari i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi qartë: “Fokusi ynë është të vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë, e kjo është të sigurohemi se Ukraina do të ketë në duart e veta atë që i nevojitet për ta mbrojtur veten, atë që duhet që të zmbrapset agresioni rus, të marrë përsëri territorin që i është marrë që nga 24 shkurti”. Mund ta përmbledhim këtë si “u jepni atyre sa duhet për të mbrojtur veten dhe për të rimarrë pak tokë, por ata duhet të pajtohen”. Kjo nuk përfshin Krimenë dhe po ashtu pjesën më të madhe të Donbasit.

Nëse supozojmë se Bideni foli gabimisht për ndryshimin e regjimit (jo domosdo supozim i saktë), ne kemi të paktën dy synime shumë të ndryshme që nënkuptojnë rezultate shumë të ndryshme. Së pari, qasja e “gjakosjes së Rusisë deri ne shterim” trajtohet më së miri duke vazhduar luftën për aq kohë sa të jetë e mundur, duke angazhuar dhe degraduar forcat e armatosura të Rusisë sa më shumë dhe për sa kohë të jetë e mundur, ndërsa mundësisht të ruhet lufta në një nivel të intensitetit të menaxhueshëm. Kjo do të thotë përdorimi i forcave të Ukrainës si ushtri përfaqësuese. Dan Crenshaw, kongresist republikan, e përmblodhi këtë qasje si “investim në shkatërrimin e ushtrisë së kundërshtarit tonë, pa humbur asnjë trupë të vetme amerikane”.

Në qasjen e dytë të përshkruar nga Blinkeni, deklarohen një grup shumë i kufizuar objektivash territoriale. Por, ato në asnjë mënyrë nuk përputhen me qëllimin e deklaruar dhe të qartë të Ukrainës për të rimarrë të gjithë kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht – përfshirë gjithë Luhanskun, Donjecin dhe mbi të gjitha Krimenë. Në fakt, në asnjë moment nuk është bërë një deklaratë e qartë dhe e duhur nga ShBA-ja se është politika e saj për t’i mbështetur operacionet ushtarake për të rimarrë territoret e humbura të Ukrainës.

Deri tash, armatimi i bartur në Ukrainë nuk ka përfshirë sasi të konsiderueshme të llojit të pajisjeve të rënda që do t’ia lejojnë Ukrainës të rimarrë tokën e vet. Aftësitë kryesore këtu, siç kërkohet nga komanda ushtarake e Ukrainës, janë tanket e prodhuara nga ShBA-ja, automjetet e blinduara luftarake dhe ndryshimi në sasinë e artilerisë. Këtu po flasim për qindra, jo për dhjetëra. Në fillim të këtij muaji, ShBA-ja njoftoi transferimin e 50 automjeteve të blinduara luftarake të llojit Bradley. Ukrainasit kërkuan deri në 700.

Derisa mbështetja e Perëndimit është bujare dhe shumë e vlerësuar, ka një të vërtetë të rëndë në qendër të saj. Ajo që u dha ishte e mjaftueshme për ukrainasit për t’i sfiduar forcat tokësore të Rusisë – veçanërisht përparimin e mëparshëm të artilerisë – dhe për ta mbrojtur hapësirën e saj ajrore. Por, është e pamjaftueshme që Ukraina të zhvillojë luftë manovruese në shkallë të gjerë për t’i rimarrë provincat gjithnjë e më mirë të mbrojtura nga Rusia. Okupimi i vazhdueshëm i këtyre provincave, meqë ra fjala, përbën qëllimin e qartë dhe parësor të luftës së Rusisë.

Furnizimi copa-copa me pajisjet ushtarake perëndimore flet për “Rusinë e gjakosur deri në shterje” të Austinit dhe objektivin shumë të kufizuar të Blinkenit për ta rikthyer Ukrainën në linjat e kontrollit të 24 shkurtit 2022. Sigurisht se nuk ka asnjë provë që ShBA-ja do të mbështesë diçka të ngjashme me objektivin ukrainas të rifitimit të të gjitha territoreve të saj të pushtuara – një fitore të qartë. Në të vërtetë, ka indikacione se ShBA-ja ngurron shumë që Ukraina të tentojë ta bëjë këtë.

Vendosja e qëllimeve të përcaktuara mirë do t’ia lejonte ShBA-së të kalibrojë ndihmën me një sërë planesh dhe oraresh të qarta. Kjo do t’ia jepte Ukrainës një shkallë sigurie se çfarë mund të presë dhe do t’ia mundësonte asaj t’i planifikojë operacionet në përputhje me rrethanat. Nëse synimet e Austinit ose në fakt të Blinkenit përfaqësojnë politikën e vërtetë të ShBA-së, atëherë është me rëndësi që Ukraina ta kuptojë këtë. Alternativa është që Ukraina mund ta shohë veten duke planifikuar operacione në shkallë të gjerë duke qenë e pasigurt nëse do të marrë materialin e nevojshëm për t’i përfunduar ato, dhe të shkojë kështu në rrezik të madh dështimi. Kjo është situata në të cilën tashti ndodhet ajo.

Ashtu si në luftërat e krijuara keq të dy dekadave të fundit, rëndësia e synimeve dhe strategjisë së qartë të luftës mund të mos bëhet e dukshme në ditët e para të një fushate. Në anën tjetër, bëhet e qartë kur gjërat shkojnë keq. Nuk mund të rrezikojmë përsëri në një kauzë vërtetë të drejtë, duke mos i artikuluar qartë objektivat tona. /Telegrafi/