Site icon Telegrafi

SHBA fillon një sulm ajror në Siri, në veprimin e parë ushtarak të administratës Biden

Shtetet e Bashkuara filluan sulmet ajrore në Siri të enjten, veprimi i parë ushtarak i ndërmarrë nga administrata e Joe Biden.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, sulmi kishte për qëllim objektet afër kufirit irakian të përdorura nga grupet e milicisë të mbështetur nga Irani.

Pentagoni tha se sulmet ishin hakmarrje për një sulm me raketa në Irak në fillim të këtij muaji që vrau një kontraktor civil dhe plagosi një anëtar të shërbimit amerikan dhe trupa të tjerë të koalicionit.

“Unë jam i sigurt në cakun që kemi ndjekur, ne e dimë se çfarë kemi goditur”, u ka thënë sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, gazetarëve që fluturonin me të nga Kalifornia në Uashington.

Duke folur menjëherë pas sulmeve ajrore, ai shtoi: “Ne kemi besim se ai shënjestër po përdorej nga të njëjtët militantë Shia që kryen sulmet”, duke iu referuar sulmit me raketa të 15 shkurtit në Irakun verior.

Austin tha se ai ishte që ia rekomandoi një veprim të tillë, presidentit Biden.

Më parë, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, kishte thënë se veprimi i SHBA ishte një “përgjigje proporcionale ushtarake” e marrë së bashku me masat diplomatike, duke përfshirë konsultimet me partnerët e koalicionit.

“Operacioni dërgon një mesazh të qartë: Presidenti Biden do të veprojë për të mbrojtur personelin amerikan dhe të koalicionit”, tha Kirby.

Kirby tha se sulmet ajrore amerikane “shkatërruan objekte të shumta në një pikë të kontrollit kufitar të përdorur nga një numër i grupeve militante të mbështetur nga Irani”, përfshirë Kataib Hezbollahun dhe Kataib Sayyid al-Shuhada.

SHBA ka fajësuar Kataib Hezbollah për sulme të shumta që synojnë personelin dhe interesat e SHBA-së në Irak në të kaluarën.

Detaje të mëtejshme nuk ishin në dispozicion menjëherë. /Telegrafi/

Exit mobile version