Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka vendosur që seanca e sotme të mos vazhdojë për shkak të pengesës që i bënë deputetët e PDK-së e AAK-së.
“Nuk shoh kushte që të vazhdojmë pasi një pjesë e opozitës po insiston që kjo seancë të mos vazhdojë. Seanca vazhdon javën e ardhshme kurdo që të krijohen kushtet”.
Konjufca megjithatë ka thënë se situata të tillë nuk do të mund të shihen më.
“Vetëm se ju paralajmërojë se seancat e Kuvendit nuk mund të vazhdohen pafundësisht apo për shkak të betejave tona politike që i kemi. Megjithatë principi më i rëndësishëm i shtetit është funksionimi i demokracisë, e në kuadër të kësaj funksionimi i parlamentit është guri themeltar i demokracisë”, përfundoi Konjufca.
Veteranët e kanë theksuar disa herë gjatë ditës kërkesën e tyre që të mos mbahet asnjë seancë, derisa të tërhiqet Projektligji për pagat – i miratuar në lexim të parë më 14 qershor – në të cilin nuk është përfshirë rritja e pensionit të tyre.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka konsideruar këtë kërkesë të paarsyeshme, duke thënë se në seancën e së enjtes nuk ka qenë në plan që të diskutohet tema për të cilën kanë protestuar veteranët.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar gjatë ditës që të anulojë pjesëmarrjen e tij në Forumin e Prespës për Dialog, që zhvillon punimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ashtu që të takohet të premten me përfaqësuesit e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)./Telegrafi/