Site icon Telegrafi

Rritje vjetore me 32 për qind i numrit të turistëve të huaj në Shqipëri, regjistrohet niveli më i lartë historik

Shqipëria po përjeton në 2022 vitin më të mirë historik deri tani për sa i përket hyrjes së shtetasve të huaj, që si synim kryesor kanë turizmin.

Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën janar-shtator në vend kanë hyrë gjithsej 6.4 milionë shtetas të huaj.

Kjo shifër është 32 për qind më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 18 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2019, që mbante deri tani rekordin si viti më i mirë turistik, që më pas u ndërpre nga pandemia.

Vetëm në shtator, në vend hynë 761 mijë shtetas, me rritje 54 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 29 për qind në raport me nëntë mujorin e 2019-s.

Sipas INSTAT, 94 për qind e hyrjeve të shtetasve të huaj kishin si qëllim vizitë personale tek të afërm, apo qëllime turistike.

Sipas INSTAT, në shtator 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3.8 herë dhe Maqedonia e Veriut me 3.3 herë, krahasuar me Shtator 2021.

Gjatë 9-mujorit 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4.0 herë dhe Anglia me 2.0 herë, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 11.5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. /Telegrafi/

Exit mobile version