Site icon Telegrafi

Rritet presioni i Turqisë ndaj Kosovës, vjen lista me emrat e bizneseve “gyleniste” që duhen “dëbuar” (Video)

Turqia po vazhdon presionin mbi autoritetet e Kosovës për mbylljen e bizneseve por edhe deportimin e shtetasve turq nga Kosova, e që sipas tyre, ndërlidhen me rrymën e Fetullah Gylenit. Së fundmi në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka ardhur një letër me një kërkesë të tillë.

Shteti i Kosovës është mes “dy zjarreve”. Derisa ambasadat e shteteve të fuqishme dhe aleate të Kosovës [SHBA, Britani, Gjermani] po kërkojnë përgjegjësi institucionale për deportimin e gjashtë shtetasve turq, vitin e kaluar, në institucionet e Kosovës ka arritur një letër tjetër nga Turqia.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka ardhur letra me kërkesën që bizneset turke, të cilat përkrahin rrymën ‘gyleniste’ të dëbohen nga Kosova. E, shtetasit turq të deportohen në Turqi.

RTV Dukagjini mëson se përmes kësaj letre është dorëzuar edhe lista e bizneseve që në vendin  tonë, e që kërkohet të mbyllen për lidhje me rrjetin e klerikut mysliman që jeton në SHBA, Fetullah Gylen.

Gjithashtu, precizohet në këtë letër, se depërtimi i shtetasve turq, duhet të bëhet në koordinim me Agjencinë e Inteligjencës së Turqisë (MIT).

Njoftohet se e njëjta letër i është dërguar edhe 22 shteteve të tjera, e që sipas tyre,  kjo kërkesë po respektohet.

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, figurojnë rreth 700 biznese turke në Kosovë, që operojnë në fusha të ndryshme.

Ndryshe, pas depërtimit të shtetasve turq, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan kishte  paralajmëruar aksioni të reja.

“Operacioni i fundit në Kosovë (Operacioni i MIT-it në Kosovë kundrejt strukturës së FETO-s në Ballkan) nuk është as i pari, nuk do të jetë as i fundit. Prej këtu e falënderoj presidentin e Kosovës”, kishte deklaruar Presidenti i Turqisë në atë kohë.

Edhe homologu i Erdoganit, Hashim Thaçi pati deklaruar se kushdo që është terrorist për Turqinë do të cilësohet i tillë edhe për Kosovës./RTV Dukagjini/

Exit mobile version