Site icon Telegrafi

Rrëzimi i pjesshëm i Ligjit të Pagave nga Kushtetuesja, reagojnë partitë opozitare

Gjykata Kushtetuese ka shpallur të pavlefshme disa pjesë të Ligjit për paga në sektorin publik.

Gjykata Kushtetuese thotë se ankesa e Avokatit të Popullit për Ligjin për paga është shpallur e pranueshme dhe ka konstatuar se disa nene të këtij ligji janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Për këtë vendim menjëherë kanë reaguar subjektet politike opozitare.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se Qeveria është shkelëse e vazhdueshme e Kushtetutës.

“Prapë e shkelen Kushtetutën. Ky pushtet është i dobët, ndaj është pushtet shkelës kronik i ligjit dhe Kushtetutës”, ka shkruar Gashi.

“Veç një pushtet i dobët e shkel ligjin dhe Kushtetutën pandalshëm. Veç të dobëtit vuajnë për ta luajtur të fortin. Veç të dobëtit tentojnë të shkelin çdo gjë; hakun e njerëzve dhe çdo gjë tjetër”, ka vijuar tutje Gashi.

Lexo po ashtu Gjykata Kushtetuese rrëzon disa nene të Ligjit të Pagave, i kërkon Kuvendit që brenda 6 muajsh ta ndryshojë

Nga ana tjetër Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri thotë se “ligjet e kota” të kësaj qeveria janë në rënie të lirë.

“Bie Ligji i Pagave, ligje koti që bien herë me rënie të lirë, e herë sipas rrjedhës kaskadë! Rrëzim pasi rrëzimi, dështim pas dështimi, nga qeverisja e mashtrimit dhe kamuflimit”, ka shkruar Tahiri.

Ai u ka bërë thirrje zyrtarëve të kësaj Qeverie të “trajnohen” nga ish-anëtarët e Kushtetueses për të mos shkelur më tej Kushtetutën.

“Anëtarët e kësaj qeverie, i madh e i vogël, kanë nevojë për trajnime nga ish Gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, nga njohës të shtetit të së drejtës, si dhe nga njohës të ndarjes së pushteteve në një shtet demokratik”.

“Ku je nisë, o kryeministër, këto janë rezultate të një logjike të mbrapshtë”, ka reaguar ndër të tjera Tahiri./Telegrafi/

Exit mobile version