Ish-konkurrentja e spektaklit “Britain’s Got Talent”, Susan Boyle, ka befasuar duke u shfaqur në skenën e këtij kompeticioni duke interpretuar një këngë nga “Les Miserables”.
Gjatë paraqitjes së saj në emision, 62-vjeçarja u tregoi prezantuesve Ant McPartlin dhe Declan Donnelly detajet se pse u tërhoq nga skena.
Ajo deklaroi se në prill të vitit të kaluar pësoi një goditje të lehtë në tru, gjë që e bëri të mos ishte e sigurt nëse do të mund të performonte më.
“Është ndjenjë e shkëlqyer. Në fakt, është jashtëzakonisht e veçantë për mua, sepse prillin e kaluar, pësova një goditje të lehtë në tru”.
“Kam luftuar si e çmendur për t’u rikthyer në skenë. Dhe ia kam dalë”, është shprehur Susan.
Goditja në tru (insulti cerebral) është një urgjencë mjekësore. Goditja në tru ndodh kur ndalon qarkullimi i gjakut në tru. Brenda pak minutash, qelizat trunore nisin të vdesin. Janë dy lloje goditjesh në tru.
Më e shpeshta quhet iskemia trunore kur ndodh bllokimi i një ene të gjakut për shkak të mbylljes nga ndonjë tromb dhe kështu pamundësohet qarkullimi i gjakut në tru.
Ndërsa lloji tjetër quhet goditja hemorragjike që shkaktohet kur një enë e gjakut dëmtohet dhe gjaku rrjedh brenda trurit.
‘Mini-goditjet në tru’ ose sulmet kalimtare iskemike (TIA) ndodhin kur furnizimi me gjak në tru është i ndërprerë përkohësisht.
Kjo amvise skoceze u bë e famshme në vitin 2009 pas konkurrimit në sezonin e tretë të spektaklit “Britain’s Got Talent”.
Asokohe la përshtypje të madhe te anëtarët e jurisë dhe publiku me interpretimin e këngës “I Dreamed a Dream” nga muzikali “Les Miserables”.
Edhe pse e fitoi vendin e dytë, performanca e saj në audicion pati disa milionë shikime në YouTube dhe inicioi ndërtimin e një karrierë muzikore. Megjithatë, për shkak të presioneve të famës, shëndeti i saj u përkeqësua dhe ajo qëndroi për një kohë në një institucion psikiatrik. /Telegrafi/