Site icon Telegrafi

Rrëfimi për pazare në prokurorinë e Prizrenit: Filmohen aferat korruptive (Video)

I akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë Granit Paçarizi, ka rrëfyer për emisionin “Drejtësia në Kosovë” momentin dhe arsyet pse ai e ka akuzuar për mitë-marrje prokurorin nga Prizreni Bajram Hamitaga.

“Jam qu në këmbë dhe i kam thënë prokurorit se nuk je i drejtë, sepse ke kërkuar pesë mijë euro”, ka thënë Paçarizi për “Drejtësia në Kosovë”.

Ai ka shpjeguar reagimin e prokurorit pas akuzës e po ashtu reagimin e gjykatësit të rastit.

Familja Paçarizi ka rrëfyer në emisionin “Drejtësia në Kosovë” për ofertat për mitëdhënie për mbylljen e rastit të tyre.

Emisioni ka sjellë edhe pamjet e filmuara të takimeve të familjes Paçarizi dhe shoferit të prokurorisë Luan Delili gjatë negociatave për të heshtur akuzat për mitëdhënie.

Prokurori Bajram Hamitaga edhe pse ka pranuar se ka qenë pjesë e një takimi me familjen Paçarizi ka thënë se nuk i ka kërkuar para asnjëherë kësaj familje.

Ai ka deklaruar se akuzat e familjes Paçarizi kanë për qëllim që ta shpëtojnë të akuzuarin Granit Paçarizi nga përgjegjësia penale.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Bajram Hamitaga, është shfaqur i habitur kur ekipi i “Drejtësia në Kosovë” i ka prezantuar pamjet filmuara ku shihet shoferi i tij duke negociuar me familjen Paçarizi rreth lëndës të cilën është duke e hetuar Hamitaga.

Hamitaga ka mohuar ta ketë dërguar shoferin e tij te familja Paçarizi për të negociuar për lëndën, ndërsa nuk ka dhënë shpjegim të qartë për arsyet pse shoferi i tij ka ditur për veprimet e prokurorit.

Ai ka deklaruar se asnjëherë nuk ka biseduar me shoferin Luan Delili për punën e tij si prokuror.

Hamitaga ka deklaruar se ndaj shoferit duhet të ndërmerren masa nëse ai ka keqpërdorur emrin e tij në takimin me familjen Paçarizi.

Shoferi i prokurorisë së Prizrenit Luan Delili është filmuar gjatë takimeve me familjen Paçarizi ku janë diskutuar çëshjet rreth aktakuzës së prokurorisë për Granit Paçarizin.

Takimi i shoferit me familjen është mbajtur pak ditë pasi Granit Paçarizi gjatë një seance gjyqësore akuzoj prokurori Hamitaga për mitëmarrje.

Njëri nga aktorët kryesorë të negociatave, shoferi Luan Delili nuk ka pranuar të flasë rreth takimit të tij me familjen Paçarizi.

Detajet e plota mund t’i ndiqni në emisionin e publikuar më poshtë:

 

Exit mobile version