Edhe pse kanë kaluar 23 vite, shqiptarët e Kosovës ende e kanë të freskët kujtimin për luftën. Agresioni rus në Ukrainë, vrasjet e civilëve të pafajshëm dhe ikja e mbi 3.5 milionë qytetarëve nga shtëpitë e tyre, ka rikthyer në memorien tonë vitet 1998-99, kur Millosheviqi vepronte njësoj ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë.
Kosova ia hapi derën refugjatëve ukrainas, ashtu siç shqiptarëve ua kishin hapur derën dikur shumë shtete perëndimore, për t’i shpëtuar vrasjeve makabre nga ushtria dhe policia e Serbisë. Po ashtu, shqiptarët hapën edhe zemrën, duke u solidarizuar me protestë e mënyra të tjera që simbolizojnë dhembshurinë, dhe momentet që po përjetojnë momentalisht.
Për të na rrëfyer përjetimin dhe ikjen nga Ukraina, Telegrafi ka intervistuar një çift nga Kievi (kryeqyteti dhe qyteti më i populluar i Ukrainës) që tashmë kanë lënë vendin e tyre në flakë, për t’i shpëtuar argresionit rus.
Denis Kuderskiy së bashku me të fejuarën Lina, pas nisjes së luftimeve, kishin vendosur ta lënë Kievin për gjetur strehë në një vend më të sigurt – kështu ata kanë udhëtuar mbi 2000 km rrugë për gati një javë, për të arritur në Durrës – Shqipëri, e pastaj edhe në Kosovë.
“Jemi larguar nga Ukraina në momentin kur filloi gjithçka. Kur u zgjuam nga gjumi, me 24 shkurt, gjëja e parë që në mëngjes, ne nuk mund ta besonim se çfarë po ndodhte”, nis rrëfimin Denisi.
Megjithatë ai thotë se ukrainasit e dinin se do të ndodhte, dhe ishin të përgatitur për një veprim të tillë të presidentit rus, Vladimir Putin.
“Për dy javë të tëra ne po lexonim lajmet, ishim në fakt të përgatitur për këtë. Ne u zhvendosëm në pjesën perëndimore të vendit dhe për dy javë ne po lexonim lajmet, rreth asaj se çfarë po ndodhë. Ishim në gjendje ta kuptojmë ose të veprojmë në ndonjë formë nëse do të ishte e nevojshme. Por më 24 shkurt (dita kur filloi agresioni) kur ne u zgjuam, e kuptuam se Rusia veçse ishte mobilizuar me sulm të plotë drejt vendit tonë; dhe që do të bombardonin qytetet tona. Ata na thonin se do të bombardonin bazat ushtarake, por kjo nuk është çështja. Ne arritëm të iknim nga vendi. Dy orë pas kësaj, kufiri ishte mbyllur për njerëzit si unë (të moshës time)”, tha ai.
Familja e Denisit, pas bombardimeve ishte fshehur në bodrum për gati një javë, për të kaluar pastaj kufirin për në Rumani.
“Familjet tona, e imja ishte në Kiev kur filloi gjithçka, po fshiheshin në bodrum për pesë ditë ndoshta, pas kësaj arrita t’i bindja që të kërkonin ndihmë. Kompania jonë iu ofroi atyre ndihmë, duke i larguar nga Kievi për në zonën e Lviv, dhe prej atje ata arritën të kalonin kufirin për në Rumani. Në mesin e tyre ishte, babai im, nëna dhe gjyshja. Ata tani janë të sigurt në Rumani, por prindërit e të fejuarës time, nuk janë të sigurtë. Nëna e saj për momentin gjendet në Zhytomyr, dhe po bombardohet vazhdimisht nga trupat ruse”, vazhdon ai.
Siç rrëfen Denisi, familja e të fejuarës së tij Linës, gjenden në rrezik – nëna bashkë me gjyshen ndodhen në Zhytomyr, qytet në veri-perëndim të Ukrainës.
Për shkak të moshës, thotë se nuk kanë mundur të lëvizin, dhe kështu kanë mbetur të rrethuar nga forcat ruse dhe thekson se ato kanë nëvojë për ndihmë – “ i duhen ilaçe”.
“Ndonëse unë arrita t’i bind prindërit e mi për ndihmë. Nëna e saj vendosi të qëndrojë në Zhytomyr, pasi po kujdeset për gjyshen e saj dhe për gjyshin. Gjyshja e saj është 85 vjeçe dhe po është vështirë të udhëtojë në këtë moshë. Dhe atyre iu duhen ilaçet, dhe nëse nuk ka ilaçe, ata do ta kenë shumë të vështirë, ky është problemi. Dhe siç e përmenda, duke qenë se babai i saj është në forcat e armatosura të Ukrainës, ai nuk mund të largohet, ai po ndihmon ushtrinë tonë për të luftuar kundër rusëve. Kjo është arsyeja pse nuk mund të largohen”, u shpreh ai.
Babai i Linës, ndodhet në front të luftës – ai po lufton kundër rusëve, tregon ai.
“Po sigurisht, ne tentojmë t’i kontaktojmë sa më shumë të jetë e mundur, vetëm që ta kuptojmë se janë mirë. Situata është e tmerrshme. Shumë shtëpi në Zhytomyr janë të shkatërruara, babai i saj (babai i Linës) është në forcat e vendit dhe po lufton kundër rusëve tani. Ne po mundohemi t’u ofrojmë ndihmë, në furnizimet me ilaçe e gjëra esenciale”, shtoi më tej.
Vrasja e civilëve të pafajshëm
Refugjati, Denis Kuderskye, ka thënë se ushtria ruse po vret gra e fëmijë, qëllimshëm.
“Po, ata po e bëjnë një gjë të tillë!”
“Imagjinoje, këtë, derisa po ndiqnim lajmet, e pamë se një raketë kishte goditur shtëpinë, dhe ishte 100 metra larg shtëpisë ku jeton miku im, nuk ka baza ushtarake aty. 90 për qind e qytetit të Mariupolit është e shkatërruar, 90 për qind e ndërtesave janë të prekura disi nga lufta. Ata vrasin fëmijë, at vrasin njerëz atje. Ata i ndjekin urdhrat. E dinë se çfarë po bëjnë. Nuk janë injorantë”.
“Ata kanë dy qëllime: demilitarizimin sigurisht, të detyrojnë ukrainasit të zgjedhin rrugën si të tyren. Dhe rusët po e bëjnë këtë me dhunë. Një nga mënyrat se si duhet ta zgjedhin këtë është duke sjell terror në vend”.
“Dhe atë se çfarë nuk mund ta marrin e shkatërrojnë. Ata specifikisht po vrasin njerëz të pafajshëm”, vazhdoi rrëfimi.
Ukrainasët, Denisi dhe Lina, rrëfejnë për Telegrafin tmerrin e luftës në vendin e tyre
Sipas Denisit, ukrainasit në disa vende po e shkrijnë borën për ta përdorur si ujë i pijshëm.
“Momentalisht, në qytetet tona që nuk janë të prekura aq shumë nga lufta, situata është në rregull, besoj se njerëzit mund t’ia dalin. Por dhimbja kryesore për ne ukrainasit është qyteti i Mariupolit”.
“Ndihma atje shkon një herë në 16 ditë”.
“Kështu që për 16 ditë ata po e shkrinin borën, për ta përdorur si pije. Dhe kjo faktikisht i kishte ndodhur një koleges time. Ajo jeton në rajonin Sumy dhe ata nuk kishin ujë, ata po e shkrinin borën dhe asnjë ndihmë humanitare nuk mund t’i arrinte”, thotë ai.
Vendet Evropiane duhet bërë më shumë për Ukrainën
“Ne me të vërtetë e vlerësojmë mbështetjen që po na e japin. Besoj sanksionet kundër Rusisë po fillojnë të kenë efekt. Është sikurse efekti Domino, fillon ngadalë, por njerëzit në Rusi po fillojnë ta urrejnë fuqinë për këtë, kështu që fillojnë të varfërohen. Por nuk mund ta shtyjnë Putinin, atij nuk i intereson kjo, atij nuk i interesojnë sanksionet të vendosura ndaj tij, sepse kur tenton të komunikosh me një person të tillë, dhe kur dikush i thotë atij që të mos bëjë diçka, dhe ai ia kthen që nëse unë e bëjë çfarë do të bësh ti? Dhe Evropa nuk ka se çfarë i thotë”.
“Por si e shoh tani, e kuptoj që vendet evropiane nuk dëshirojnë të dërgojnë trupat atje. Janë njerëzit e tyre, dhe nuk ju intereson për neve aq shumë, pasi në rast reagimi mund të vdesin dhjetëra mijëra njerëz më shumë”.
“Por, si e shoh tani është se vendet evropiane e shohin se kjo nuk është luftë midis Rusisë dhe Ukrainës, por Putinit dhe Ukrainës, por nuk është çështja. Nëse Kievi bie, reagimi i tyre i vetëm do të ishte se janë thellë të shqetësuar, [jemi thellësisht të shqetësuar për situatën] kjo është gjëja e vetme që ne do të marrim. Jo sanksione, në fakt do të ketë sanksione sa për të i treguar botës që atyre ju intereson, por jo masa shtesë”.
“Rusia do të ndalet, vetëm kur është e detyruar të ndalet, kështu funksionon Rusia për momentin. Dhe kur vendet evropiane thonë se kjo nuk është lufta e tyre dhe që nuk duan të ndërhyjnë, pra, Ukraina ka 40 milonë banorë, por ofron ushqim për 400 milionë njerëz, dhe në thelb çmimet po rriten jo vetëm për naftë dhe gay, por edhe për ushqim dhe nuk do të mjaftojë, kjo është gjëja e parë. Dhe kjo është ajo që ata nuk po e kuptojnë se nëse ne i nënshtrohemi Rusisë, dhe se do t’i bashkohemi, a do të jenë të sigurta vendet evropiane?!”.
Mesazhi për europianët
“Na mbështesni me çkado që mundeni, sepse nëse vendi ynë dështonë, nuk do të jeni as ju të sigurt, do të duhet gjithmonë të përballeni me Rusinë, ne e kemi Rusinë në kufi”.
“Nëse ai nuk ndalet, po, jam i sigurt se do të ketë ndihim, nëse nuk ndalet në Ukrainë, në pesë ose në 10 vjetët e ardhshme, do të nisë një luftë në Evropë në momentin që ata e rindërtojnë ekonominë e tyre, e cila është e shembur momentalisht, dhe gjëja e vetme që do të bënte një ekonomi e shembur është të bëjë një luftë. Putinit nuk i ka interesuar kurrë për njerëzit e tij, e vetmja gjë që i intereson është pushteti dhe kur e sheh që mund të humb fuqinë ai do të nisë luftë në të gjithë botën”.
“Por, politikanët evropianë, ata tentuan të luajnë një politikë që ata nuk e kishin kuptuar. Ata tentuan ta dënojnë Putinin, por kjo nuk do të funksionojë me të. Mesazhi i vetëm që këta njerëz në pushtet e kuptojnë është forca, dhe me sa duket asnjë nga ministrat evropianë nuk e kuptojnë këtë, sepse ata janë të zgjedhur për katër, ose pesë vjet dhe ai (Putini) është në pushtet për 25 vjet është tashmë një diktator dhe nuk i intereson për njerëzit e tij. Kjo është ajo që duhet ta kuptojnë vendet evropiane në terma të negocimit”.
“Po negocioni me një person që është në kontroll të plotë dhe ju nuk jeni, Kështu që në vend se të shqetësoheni, filloni të veproni. Filloni të ndihmoni, të ndihmoni me ushtri, të na ndihmoni me inteligjencë, ndihmoni njerëzit që janë në nevojë, ne i falendërojmë njerëzit dhe vendit që po i pranojnë ukrainasit në vendet e tyre, por ne kemi nevojë për mbështetje në qytetet tona që janë të bllokuara nga ndihmat dhe njerëzit po vdesin çdo ditë”, përfundoi Denis Kuderskiy./Telegrafi/