Telegrafi

Rrahmani shkëlqen me gol dhe asistim për Sparta Pragën – protagonist edhe Krasniqi

Sparta Praga ka arritur që të shënojë fitore me rezultat të pastër 2-0 ndaj Hradec Kralove në kuadër të javës së shtatë në elitën e futbollit çek.

Kontribut direkt në këtë fitore të Spartës kanë dhuruar yjet kosovarë Albion Rrahmani dhe Ermal Krasniqi.

Rrahmani arriti që në këtë sfidë të shënojë një gol dhe të asistojë tek një tjetër, ndërsa Krasniqi asistoi tek goli që e shënoi pikërisht Rrahmani.

Ai fillimisht dha një asistim për Lukas Haraslin në minutën e tetë për rezultatin 1-0, para se të shënojë golin e dytë dhe të parin për të në ligën çeke pas asistimit të Krasniqit.

Paraqitjen pozitive të të dy reprezentuesve kosovarë e zbehu fakti që Rrahmani u desh të zëvendësohej në minutën e 50-të të takimit për shkak të lëndimit, i cili shpresojmë se nuk do t’ia pamundësojë grumbullimin me Kosovën.

Për atë që dhanë në fushë në këtë takim, Rrahmani mori notën 7.7 nga Sofascore ndërsa Krasniqi u notua me 7.4.

Për Rrahmanin ky ishte debutimi i tij në ligën çeke pra njëkohësisht goli i parë, ndërsa për Krasniqin ky ishte asistimi i dytë në shtatë ndeshje teksa ka edhe një gol të shënuar./Telegrafi/