Site icon Telegrafi

Rikthehen fluturimet sipas orarit në Aeroportin “Adem Jashari”, nuk përjashtohet rikthimi i mjegullës

Për shkak të mjegullës së dendur, disa fluturime dhe aterime u anuluan në Aeroportin e Prishtinës. Por, sot gjithçka shkoi sipas planifikimit. Megjithatë, nuk u përjashtua që në ditët në vijim të ketë edhe anulime apo shtyrje të tjera.

Ndonëse për shkak të mjegullës mbrëmjen e së enjtes u anuluan disa fluturime  nga Prishtina dhe në Prishtinë, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, të premten fluturimet i janë kthyer orarit të rregullt por me disa vonesa.

“Mbrëmë kemi pasur anulim të dy fluturimeve. Njëri ishte i Turkish Airlines tjetri i Pegasus. Këto fluturime kanë has në vështirësi në arritje dhe shkaku i mjegullës janë kthyer në vendin e nisjes…Sot kemi pasur disa vonesa të vogla, por tjerat kanë shkuar me kohë”, deklaroi Bujar Gashi.

Sipas Bujar Gashit nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në LIMAK në rast se mund të ketë anulime të tjera në ditët e ardhshme, zgjidhje për udhëtarët është aeroporti i Shkupit.

“Fluturimet që hasin në vështirësi për shkak të mjegullës do të aterojnë në Shkup si aeroporti më i afërt, ndërsa udhëtarët do të barten me autobusë”, shtoi më tej Bujar Gashi, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Mjegulla anulon fluturime drejt Prishtinës dhe nga Prishtina

Ndërkaq në një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjini, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës nuk përjashton mundësinë e rikthimit të mjegullës.

“Nuk përjashtohen mundësitë për mjegull, sidomos në orët e para dhe mbrëmjeve. Kjo vjen si pasojë e inversionit termik dhe disa parametrave fizikë. Aeroporti i Prishtinës atakohet më shpesh nga mjegullat, sepse në atë zonë kemi ujëra nëntokësore dhe strukturën e tokës qernozem”, thuhet në përgjigjen e IMK.

Si shkak i mjegullës së dendur që ka përfshirë pjesën e Prishtinës të enjten janë shkaktuar probleme në qarkullimin ajror meqë rast janë anuluar disa fluturime. /Telegrafi/

Exit mobile version