Në Balldre të Lezhës restaurohet kisha e Shna Prendes. Kjo kishë ishte shpallur monument kulture i kategorisë së I-rë në vitin 1984.
Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, shprehet se kjo kishë është objekt kulturor dhe historik me vlerë të madhe dhe se afresket në të janë unikalë.
“Është e vetmja kishë në vend që ka qartësisht darkën e fundit të Jezu Krishtit, por më shumë se 200 vjet para se ta pikturonte Da Vinci, çka i jep kësaj kishe vlera të pakrahasueshme”, shprehet Ndreu.
Kisha është ndërtuar në shekujt XII-XIII, mbi kodrën shkëmbore të një vendbanimi mesjetar. Burimet historike shënojnë fshatin Balldre (Balli i Drinit) që nga Mesjeta me popullsi të ardhur nga alpet e veriut (Kelmendit). Ajo i përket tipit Gotik. Më vonë pati një restaurim, i cili mendohet që është i vitit 1462 – sipas mbishkrimit të vendosur në anën e jashtme të Apsidës, ku shkruhet: “Në vitin e Zotit 1462 kujto o Zot shërbëtorët e tu, Perlatët së bashku me të gjithë miqtë e tyre”. /ata/