LAJMI I FUNDIT:

Reportazh nga jugperëndimi i Anglisë: ‘You are entering Cornwall’

Reportazh nga jugperëndimi i Anglisë: ‘You are entering Cornwall’

Në verën e vitit të vështirë 1998, Paddy Ashdown shkoi në Shqipëri dhe nga kufiri e kishte vështruar situatën në Kosovë. Kur u kthye në Londër, deklaroi para mediave: ’E kam parë Kosovën duke u djegur pamëshirshëm nga forcat serbe. Kosova është e bukur sikur Somerseti’. Ky ka qenë një krahasim i fuqishëm i cili me siguri ka krijuar ‘tërmet’ në mendjen e anglezit. Anglezi nuk e duron djegien e pjesës më të bukur të vendit të tij! Dhe, për bukuri të tilla veçohet tërë jugperëndimi i këtij vendi, nga Weymouth deri në St. Ives.

RËNDËSIA E KRIPËS

Në restorantin ‘China Peking’ që gjendet në vargun e ndërtesave elegante të bulevardit që shtrihet rreth detit në Weymouth, hyri një njeri duke u mbajtur për parmakët e shkallëve. Riga e shiut të mbrëmjes së vonshme ia kishte lagur flokët dhe supet. Dukej sikur që e kishin përzënë nga pabi ku me siguri e kishte tepruar me sjelljet e tija të papranueshme. Pasi e mbylli derën, i bëri dy hapa, mori qëndrim serioz dhe duke u munduar ta fshihte gjendjen e tij, siq bën çdo i dehur, e ngriti gishtin tregues dhe iu drejtuar kuzhinierit dhe në intervale i tha këto fjalë: ‘Ushqimin që e mora para disa ditësh këtu, kishte shumë kripë’!


Kuzhinieri matanë banakut rrotullonte ushqimin tim të porositur në një tigan të madh dhe të thellë. Për shkak të distancës dhe zhurmës në kuzhinë, kuzhinieri nuk e dëgjoi mirë vërejtjen e njeriut i cili dukej të ishte i gjatësisë dhe moshës sime. Kjo e shtyri njeriun që ta përsëriste edhe një herë ankesën.

‘OK, OK, mirë, unë më jo shumë kripë ushqimi’, ishte përgjigja e kuzhinierit kinez.

‘Veç desha të ta bëj me dije që ushqimi me shumë kripë nuk hahet’, ia ktheu njeriu që ankohej dhe ktheu shpinën për t’u larguar me hapa të pasigurt, ashtu siç erdhi. Duke e hapur derën, e ktheu kokën për të na shikuar në mënyrë triumfuese. Sapo e mbylli derën, pesë apo gjashtë veta të ulur në dy tavolina ia plasën gazit. Pas një qetësie të shkurtë, njëri nga mysafirët e porositi një fantë. ‘Mos i qit shumë sheqer’, ishte fjalia përcjellëse e porosisë. Përsëri restorantin e kaploi një jehonë e gazit.

Njeriu ankues, përkundër gjendjes së tij të dehur, ia arriti të krijojë situatë komike dhe të theksojë një të vërtetë të madhe të përcjell me një fakt shumë të rëndësishëm. Që nga koha (e panjohur deri sot) e zbulimit të kripës, njeriu dhe kripa, si mëlmesë apo mall, kanë qenë të lidhur ngushtë ndër veti. Asgjë si kripa nuk e ka përcaktuar ndjenjën e njeriut për masën. Ushqimi vërtetë nuk hahet pa kripë. Nuk hahet as me shumë kripë. Mungesa dhe përdorimi i tepërt i kripës është rrezik për shëndetin e njeriut.

Weymouth

Në historinë e Anglisë, kripa ka luajtur rol më të madh se në vendet tjera. Pos shëndetit, kripa ka qenë e rëndësishme për ekonominë e kësaj shoqërie dhe vokabularin linguistik. Në anglisht fjala ‘rrogë’ (salary) vjen nga fjala ‘kripë’ (salt). Ky term, më tutje, e ka burimin nga fjala romake ‘salarius’ që ishte shuma e parave shtesë që u ndahej ushtarëve romak për blerje të kripës.

KOSOVA, E BUKUR SI SOMERSET… POR, ANGLEZËT NUK E DUROJNË SHKATËRRIMIN E BUKURISË

Nëse udhëtoni nga Weymouth në perëndim, duhet të kaloni nëpër Devon që është një rajon gjeografik shumë i bukur dhe njësi administrative e rëndësishme për Anglinë. Kur hyni në pjesën e quajtur Somerset të Devonit, reliefi apo natyra duket familjare. Ky vend i përngjanë Kosovës. Në verën e vitit të vështirë të 1998-tës, ish-udhëheqësi liberal-demokrat dhe politikani shumë i rëndësishëm britanik, Paddy Ashdown, kishte bërë kërkesë që ta vizitonte Kosovën, por Beogradi e kishte refuzuar. Ashdown shkoi në Shqipëri dhe nga kufiri e kishte vështruar situatën. Kur Ashdown u kthye në Londër, deklaroi para mediave: ’E kam parë Kosovën duke u djegur pamëshirshëm nga forcat serbe. Kosova është e bukur sikur Somerseti’. Ky ka qenë një krahasim i fuqishëm i cili me siguri ka krijuar ‘tërmet’ në mendjen e anglezit. Anglezi nuk e duron djegien e pjesës më të bukur të vendit të tij dhe së paku brengoset nëse diku digjet një vend siç është Somerset dhe tërë rajoni i Devonit.

Në zemër të bregdetit të Devonit zë vend qyteti Torquay që shqiptohet përafërsisht si: Toërkii. Qyteti i nënshtrohet temperaturave më të larta se vendet tjera në Angli dhe ka plazhe të bukura më rërë të imët. Lirisht krahasohet me vendet më të bukura të rivierës franceze dhe është shumë i vizituar. Në fund të muajit maj, 97 për qind të hoteleve dhe bujtinave janë të zëna me mysafirë. Gjatë sezonit veror shifra është e plotë dhe tregon për popullaritetin e këtij qyteti. Në disa aspekte Torquay është Ulqini i Anglisë.

Torquay

Sikur në çdo pjesë të Anglisë, sidomos në bregdet, ushqimi më i kërkuar është ‘Fish and Chips’. Prandaj, restorantet që e shesin vetëm këtë lloj ushqimi janë të mbushura plot. Një vajzë e re që merrej me porosinë time, e mbështjelli ushqimin tim pa e bërë atë pyetjen e zakonshme: ’Salt and vinegar, Sir?’. Dihet, çipsi nuk hahet pa kripë e uthull.

AKULTURIMI NË ANGLI

Sapo largoheni nga Plymouthi, një port dhe qytet i Anglisë apo Devonit që ka luajtur rol të madh në krijimin dhe zhvillimin e Perandorisë Britanike, lajmërohet tabela: ‘You are entering Cornwall’ (Jeni duke hyrë në Cornwall). Në shumë vende tjera shihet edhe shenja që ju dëshiron mirëseardhje në gjuhën kornishte: ‘KERNOW a’gas dynergh’. Me të hyrë në Cornwall vëreni se keni shkuar në një vend që dallohet nga Anglia: ashpërsohet natyra, ngritet temperatura e motit, në qiell shtohet numri i pulëbardhave me gjithë krrakatjet e tyre dhe imponohet pamja bregdetare.

Territori dhe popullata e Cornwallit është përafërsisht tri herë më e vogël se e Kosovës. Edhe pse ky vend praktikisht ka qenë gjithmonë pjesë e Anglisë, banorët janë dalluar nga kultura dhe gjuha me anglezët. Ata kanë folur gjuhën kornishte (Cornish) që ka patur prejardhje nga ajo britanike. Lidhjet kulturore dhe ato të origjinës së kornuellasve janë të afërta me uellsianët, por jo me anglezët. Megjithatë, ndikimi anglez ka bërë që deri në fillim të shekullit XIX të zhduket në tërësi jo vetëm gjuha e këtij populli po edhe folklori, zakonet, mënyra e veshjes dhe karakteristikat tjera dalluese. Me pak fjalë, Cornwalli është shkrirë në Angli. Dekadave të fundit janë bërë orvatje të ringjalljes së gjuhës dhe kulturës. Megjithatë, interesimi ka qenë i ulët dhe sot numri i atyre që e dinë gjuhën kornishte nuk është më i madh se disa qindra. Ekziston edhe një tendencë e ngritjes nacionaliste e cila, sikurse edhe tendenca për kthimin e gjuhës, nuk ka gjetur përkrahje që do të rezultonte në ndonjë organizim politik për t’i bërë presion Londrës.

Dikur Cornwall ka qenë vend i minierave në të cilat ka qenë i punësuar një numër i madh i xehetarëve duke luajtur rol të rëndësishëm edhe në ekonominë britanike. Sot nuk funksionon asnjë minierë. Të gjitha janë mbyllur gjatë kohës së qeverisjes së konservatorëve të udhëhequr nga Margaret Thatcher. Sot funksionon vetëm një lloj miniere e kripës së detit e cila konsiderohet si shumë e shëndetshme dhe shitet me çmim të shtrenjtë.

NË RESTORANTIN E RICK STEINIT DHE LARGIMI NGA LONDRA E SHTRENJTË

Pas mbylljes së minierave, rajoni është orientuar kah turizmi. Bregdeti i Cornwallit është i gjatë diku rreth 150 kilometra dhe ka qindra plazhe të bukura që lagen nga valët e Oqeanit Atlantik, por që u përngjajnë atyre mesdhetare. Është befasi për të huajt kur dëgjojnë se kjo pjesë, gjatë verës, arrin shpesh temperatura mesdhetare. Prandaj, Cornwall është shndërruar në vend turistik apo rivierë të rëndësishme për britanikët, por edhe për të huajt, në mesin e të cilëve dominojnë gjermanët.

Falmouth është qyteti më i rëndësishëm në bregdetin jugor të Cornwallit. Qytetin e ka bërë atraktiv porti i përshtatshëm i cili tërheq anijet e mallrave dhe ato të ekskursioneve me njerëz nga bota. Falmouth i josh turistët edhe për shkak që është vend historik dhe ka disa plazhe të bukura. Restorantet janë të shumta dhe ofrojnë ushqime nga mbarë bota. Në mesin e tyre është edhe restoranti më i njohur i peshkut, pronar i të cilit është Rick Stein, kuzhinier britanik me prejardhje gjermane dhe me famë botërore. Restoranti është shumë i popullarizuar edhe për shkak të çmimeve të arsyeshme. Në dokumentarin e tij me shtatë episode shumë të shikuara ‘From Venice to Istanbul’, Rick Stein e ka paraqitur me shumë simpati edhe ushqimin që përgatitet në Shqipëri.

Falmouth

Mark është pronari i bujtinës ‘Traggena’ e cila nga kompetentët e turizmit është vlerësuar me pesë yje. Ai, para disa viteve e ka shitur shtëpinë e tij në Londër dhe me të njëjtat para e ka blerë bujtinën luksoze me shtatë dhoma, duke mos i llogaritur tri dhomat tjera në të cilat jeton ai me gruan dhe vajzën. Shtëpive në Londër, në mënyrë të pakuptueshme, u është rritur çmimi dekadave të fundit. Prandaj, kjo është arsyeja që shumë njerëz e lëshojnë Londrën për të blerë shtëpi më të mëdha e më të bukura gjetiu në Britani të Madhe. Madje, disa prej tyre me shumën e shitjes së një shtëpie të zakonshme, mund të blejnë edhe hotele në SHBA, Kanada, Australi dhe Zelandë të Re.

PËR ANGLEZËT, TË GJITHË BALLKANASIT JANË TË NJËJTË

Mark, me sjellje të shërbëtorit të përulur, i pret mysafirët në hyrje të bujtinës. Ma rrëmben çantën nga dora. I dhashë shenja se nuk do t’ia jepja, por nuk kishte mundësi t’i rezistoje insistimit të tij. Duke u ngjitur shkallëve, Mark thotë se është larguar nga puna dhe jeta e Londrës për të kaluar në profesionin e hotelierit që sjellë më pak brenga e më shumë para. Duke e hapur derën më pyet nëse më pëlqen dhoma? Dhoma, së bashku me banjon, është aq mirë e rregulluar dhe aq shumë e pastër sa që më shkon mendja që kurrë askush para meje nuk ka hyrë në te.

‘Mendova se jeni nga Afrika e Jugut’, thotë Marku kur i tregova se nga isha. Unë këtë vlerësim e pranoj me shumë dëshirë si kompliment. ‘Por, dy qentë e mijë janë nga Bosnia’, vazhdoi ai duke i lavdëruar shtazët e tija të dashura shtëpiake. Këtë e tha me siguri për të krijuar ndjenjë të mirë për mua. Për ballkanasin ky nuk është ndonjë kompliment, por unë në këtë rast jam anglez. Sado që mundoheni që në Angli t’i shpjegoni dallimet që ekzistojnë në mes vendeve ballkanike, orvatjet përfundojnë pa rezultatin që e dëshironi. Për shumëkënd Bosnja, Kosova, Serbia, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia e deri diku edhe Greqia së bashku me Turqinë, janë një vend që gjendet diku në fund të Evropës dhe, nëse ka dallime mes tyre, ato janë të pakta. Ndoshta gjendja e vërtetë e Ballkanit është mu kjo.

Falmouth ka diku rreth 28,000 banorë dhe ka universitet. Këto dhe arsye tjera e radhisin ndër 20 qytetet me jetë më kualitative në Britani të Madhe. Në mbrëmje fillon festivali i ushqimeve botërore në qytet. Turistëve iu pëlqejnë festivalet, sidomos këto të ushqimit, dhe janë plot vizitorë që nga hapja e deri në mbyllje. Si shumica e qyteteve britanike që janë të vjetra dhe historike, ashtu është edhe Falmouthi. Ka kështjellë, muze, galeri të arteve dhe pamje të bukur të pjesës së vjetër, përfshirë portin i cili rrethohet me lokale të lloj-llojshme. Pas mesnate, qytetin e mbushur me vizitorë e mbulon qetësia sikur të ishte kazermë ushtarake. Në fakt, kjo është gjendja që e dëshirojnë turistët, pasi që pjesën tjetër të natës e kanë për pushim.

Edhe ushqimi i mëngjesit dhe shërbimi në bujtinë është e kualitetit të lartë sikur të gjitha kushtet tjera. E, para se të largohemi më lindë vetëm një dëshirë: sikur hotelierët tanë të vinin në këtë bujtinë apo në ndonjë tjetër e ta shihnin se si punohet në turizëm.

ARTI I NJERËZVE TË FORTË

Shtegtimi në drejtim të perëndimit kalon nëpër shumë vende tjera atraktive, por qyteti më i njohur është Penzance i cili gjendet diku rreth 40 kilometra nga Falmouthi. Penzance është po ashtu qytet mesjetar me klimë të butë dhe plazhe të bukura. Megjithatë, gjëja e parë që i bie ndërmend anglezit mesatar për këtë qytet janë piratët. Dikur moti Penzance ka qenë çerdhe e piratëve. Kjo është arsyeja që Gilbert dhe Sullivan, i pari dramaturg kurse i dyti kompozitor, janë autorë të operës shumë të popullarizuar komike, ‘The Pirates of Penzance’ (Piratët e Penzansit) e cila për herë të parë është shfaqur në Londër në vitin 1878.

Penzance: St Michael’s Mount

Penzances atraktivitetin turistik ia shton edhe St. Michael’s Mount që është një ujdhesë mal. Ujdhesa, në maje të malit, ka një kështjellë dhe ndërtesa tjera dhe lidhet me pjesën e qytetit me një rrip të hollë toke që përngjanë me Shën Stefanin e Malit të Zi.

Vazhdimi i udhëtimit, në mënyrë të domosdoshme e shtyn vizitorin në drejtim të një fshati të vogël bregdetar që quhet Porthcurno. Fshati, por edhe i tërë rajoni i Cornwallit, ka hyrë në histori duke u bërë atraksion turistik për shkak të një vepre të jashtëzakonshme të një gruaje. Fjala është për Teatrin Minack të cilin e ka ndërtuar Rowena Cade (1893-1983). Rowena me duart e saja e ka ndarë shkëmbin përgjysmë ku e ka skalitur dhe gravuar skenën dhe ulëset. Ajo ka punuar disa vite e vetmuar për ta bërë shkëmbin teatër të përshtatshëm për shfaqje i cili është hapur në vitin 1932. Por, Rowena ka vazhduar të punojë në te deri në fund të jetës së saj. Themelet e skenës së teatrit i rrahin valët e Atlantikut dhe ky vend është jo vetëm turistik, por edhe artistik. Në këtë teatër nga muaji maj e deri në shtator shfaqen drama e opera nga grupe profesionale, por kryesisht nga ato amatore. Numri i aktorëve të njohur botërorë që kanë aktruar në këtë teatër është i madh.

VENDI MË I NDRIÇUAR NË BRITANI

Vetëm pak kilometra larg teatrit gjendet një pikë tjetër turistike që quhet Land’s End apo Fundi i Tokës. Mijëra vizitorë dalin nga autobusët dhe veturat e tyre për ta parë këtë vend. Land’s End është shembull që tregon se si krijohet atraksioni turistik nga asgjëja. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë vend. Është breg i zakonshëm shkëmborë i komercializuar, rreth të cilit jo moti janë ndërtuar disa restorante dhe shitore të suvenireve. Në aspektin gjeografik ky vend shënon pikën më perëndimore në hartën e Britanisë së Madhe. Nga aty Londra është larg 515 kilometra, kurse qyteti tjetër më i afërt në drejtim (drejtvizor) të perëndimit është New Yorku në largësi prej 5,064 kilometrave.

Jo më shumë se 2-3 kilometra larg kësaj pike shtrihet Sennen Cove me një plazh tejet të bukur. Ky vend është fshat i peshkatarëve në brigjet e të cilit vijnë valë të larta të oqeanit. Kjo është arsyeja që këtu mblidhen të rinjtë britanikë, por edhe evropianë për surfing.

Vizita në Cornwall nuk është e plotë nëse nuk shkoni në St. Ives, i cili qytet, pa kurrfarë dyshimi, është perla bregdetare britanike. Është qytet mesjetar që është zhvilluar nga një fshat i vogël por piktoresk i peshkimit. Dendësia e vizitorëve që shihen rrugëve apo lokaleve flet për nivelin e lartë të popullaritetit që gëzon ky qytet. St. Ives është vendi të cilin rrezet e diellit e ndriçojnë më së shumti në Britani të Madhe. Prandaj, është vend që vizitohet nga piktorët dhe nga kjo me siguri është edhe qyteti më i pikturuari në botë. Qyteti është aq i rëndësishëm për artin sa që Tate (institucioni britanik për koleksionin dhe ruajtjen e veprave artistike) ka hapur galerinë e vet. Brenda vitit këtë galeri e vizitojnë 210,000 veta.

St. Ives

Kur shkoni në St. Ives duhet ta provoni ‘Cornish Pasty’ që është specialiteti i Cornwallit. Ky ushqim i shijshëm është një lloj byreku me djathë, mish apo perime, por nga forma më shumë përngjanë në ‘pizza calzone’. Kur jemi te ushqimi, nuk duhet ta harrojmë kripën. Kujtimin më të mirë që mund ta merrni me vete në formë të suvenirit apo mëlmesës për përdorim nga Cornwalli është kripa e kualitetit të lartë që vjen në forma dhe ngjyra të ndryshme. Një kilogramë kripë e Cornwallit kushton nga 5-11 funte. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Disa shënime mbi traditën moderne greke

Disa shënime mbi traditën moderne greke

Fjala+
Qyteti më i vjetër në botë!

Qyteti më i vjetër në botë!

Kulture
Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Kulture
Thënie për gruan: Të arsimosh një femër do të thotë të arsimosh një shoqëri

Thënie për gruan: Të arsimosh një femër do të thotë të arsimosh një shoqëri

Fjala+
PARAJA

PARAJA

Poezi
ME U ZGJUE

ME U ZGJUE

Poezi
Kalo në kategori