Real Madridi padyshim do të futet në tregun e transferimeve këtë verë për një mesfushor të ri, pas pensionimit të Toni Kroos vitin e kaluar dhe largimin e mundshëm të Luka Modric në një të ardhme të afërt.
‘Los Blancos’ janë lidhur me disa mesfushorë gjatë muajve të fundit, duke përfshirë edhe brazilianin Ederson (Atalanta), por më shumë me yllin spanjoll Martin Zubimendi (Real Sociedad).
Për këtë të fundit interesim të fortë ka shprehur edhe Arsenali me ‘Topçinjtë’ që po luftojnë fortë për nënshkrimin e tij.
Tani sipas një raportimi nga The Daily Briefing, Real Madridi ka shprehur interesim edhe për mesfushorin gjerman Angelo Stiller (Stuttgart).
23-vjeçari ishte përcjellë edhe nga Barcelona verën e kaluar, pasi tekniku gjerman Hansi Flick është një fans i lojës së tij, por tashmë kësaj gare i janë bashkuar edhe madrilenët.
Christian Falk ka shpjeguar se Stiller ka një klauzolë lirimi prej 36.5 milionë eurosh në kontratën e tij, që do ta bënte atë një opsion të përballueshëm për standardet e Real Madridit.
Për më shumë, Stiller së fundmi i është bashkuar agjencisë Sports 360, e cila përfaqësohet nga Volker Struth.
Ky i fundit një kohë ishte agjent i Kroos, me këtë të fundit që tashmë ka një përqindje të aksioneve tek Sports 360.
Legjenda e Real Madridit do të ketë një rol ku do të përfshihet këshillimi i lojtarëve të rinj dhe kjo mund t’i konvenojë gjigantit spanjoll./Telegrafi/