Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka shpallur gratë sipërmarrëse të Ballkanit Perëndimor për vitin 2023.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se nga rreth 250 nominime juria ka përzgjedhur gjashtë gratë sipërmarrëse.
“Gratë Sipërmarrëse të Vitit të Ballkanit Perëndimor për 2023 janë: Rigerta Loku – Gruaja Sipërmarrëse “Green”; Ilda Humić – Sipërmarrëse në rrjetet sociale; Hana Qerimi – Gruaja e Re Sipërmarrëse; Nikolina Kovaçeviq – Gruaja Sipërmarrëse e Turizmit; Irena Chaushevska Danilovska – Gruaja Sipërmarrëse e TIK-ut; dhe Marija Ivanković Jurišić – Gruaja Artiste Sipërmarrëse”, thuhet në njoftim. ; siç u njoftua në një ceremoni të organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) të mbajtur mbrëmë në Sarajevë.
Amer Kapetanoviq, Shef i Departamentit Politik të RCC në fjalën e tij përshëndetëse në emër të Sekretares së Përgjithshme të RCC tha se duhet vlerësim dhe duartrokitje për ata që frymëzojnë me suksesin e tyre.
“E di që pas secilit prej jush ka një histori të mundimit, netëve pa gjumë, sakrificave, por edhe forcës, këmbënguljes, përkushtimit dhe guximit. Gratë sipërmarrëse janë një kontribuues jetik në prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe nëpërmjet kësaj nisme, ne u japim një vlerësim modest grave të guximshme dhe të forta që guxuan të luftojnë stereotipat dhe të sjellin ndryshimin”, tha Kapetanoviq.
“Për të ilustruar stereotipat e vazhdueshme, do të përmend vetëm disa të dhëna. Një në dy gra në Ballkanin Perëndimor është pa punë, ndërsa vetëm një në katër pronare biznesi janë gra. Vetëm 18% e anëtarëve të bordit në kompanitë më të mëdha në rajon janë gra. Këto stereotipa dhe statistika jo të favorshme nuk mund t’i përmendim vetëm më 8 mars me buqetën e bukur, një kuti çokollate dhe sigurisht jo vetëm me fjalë.
Ne kemi nevojë për një ndryshim sistematik që vjen nga një kuptim i qartë se gratë përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të kapitalit njerëzor në shoqëritë tona. Ne në RCC e jetojmë atë që po predikojmë. Jo rastësisht, krijuam një Rrjet Rajonal të Grave në Sipërmarrje, i cili njeh rëndësinë e rrjeteve mbështetëse në edukimin e grave sipërmarrëse dhe kjo njohje është pjesë e kësaj nisme”, përfundoi Kapetanoviq. /Telegrafi/