Përfundon raundi i dytë i zgjedhjeve lokale 2021 - mbyllen vendvotimet

- 14/11/2021 19:38-Dalja e qytetarëve në raundin e dytë të zgjedhjeve është 37.88 për qind, fillon publikimi i rezultateve preliminare
- 14/11/2021 19:15-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Gjakovën: Ardian Gjini mposht Mimoza Kusarin
- 14/11/2021 19:14-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Prizrenin: Mytaher Haskuka fiton edhe një mandat
- 14/11/2021 19:13-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Gjilanin: Alban Hyseni 52.1%, Haziri 47.9%
- 14/11/2021 19:12-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Prishtinën: Arben Vitia prin me 50.9%, Rama 49.1%
- 14/11/2021 18:00-Një orë nga mbyllja e qendrave të votimit
- 14/11/2021 17:19-Tahiri: Jemi në disponim, kjo do të jetë datë historike për AAK-në
- 14/11/2021 17:16-Prokuroria deri tani ka hapur dy raste në Junik dhe një në Vushtrri për parregullsi në procesin e votimit
- 14/11/2021 16:58-Gara e balotazhit: Blerje e fotografim i votës, falsifikim i dokumentit e kanosje, 21 raste të raportuara në polici
- 14/11/2021 16:04-Deri në ora 15:00 në Prishtinë votuan mbi 50 mijë qytetarë – kjo është përqindja për komunat tjera
- 14/11/2021 15:53-Balotazhi, RTV Dukagjini në ora 19:00 publikon rezultatet e EXIT POLL-it për 21 komunat
- 14/11/2021 15:48-Përfundon procesi i votimit në Institucionet Korrektuese, 339 të burgosur refuzuan të votonin
- 14/11/2021 15:46-DnV: Në pjesën e dytë të ditës – dalje më e ulët në votime krahasuar me raundin e parë
- 14/11/2021 15:40-KQZ: Procesi zgjedhor po shkon pa incidente, deri në orën 15:00 kanë votuar 23,55 për qind e qytetarëve
- 14/11/2021 15:28-LVV thotë se Policia ka ndaluar një aktivist të LDK-së në Podujevë për blerje votash
- 14/11/2021 14:42-Szunyog viziton qendrat e votimit, bën thirrje që qytetarët të dalin dhe të votojnë
- 14/11/2021 14:26-Çitaku: Këto zgjedhje janë ekskluzivisht për qytetarët, procesi zgjedhor po shkon mirë
- 14/11/2021 14:26-Vetëvendosje akuzon PDK-në për presion ndaj votuesve në Prizren
- 14/11/2021 14:03-Arrestohet një person në një qendër votimi në Viti, ishte në gjendje të dehur
- 14/11/2021 13:51-AAK raporton për incidente zgjedhore në Junik
- 14/11/2021 13:31-Ambasada amerikane: Raportoni parregullsitë
- 14/11/2021 13:29-Limaj: Qytetarët sot të zgjedhin të preferuarit e tyre
- 14/11/2021 13:23-Konjufca: Uroj që ky proces të shkojë mbarë e mirë
- 14/11/2021 13:21-Kastrati kërkon nga qytetarët të votojnë për të mirën e Malishevës
- 14/11/2021 13:14-Dalja e qytetarëve në 21 komuna deri në orën 11:00
- 14/11/2021 12:38-Bulliqi fton qytetarët të dalin masivisht në votime
- 14/11/2021 12:23-Voton Ajazi: Sot do të vendoset se si do të udhëhiqet komuna e Drenasit në katër vitet e ardhshme
- 14/11/2021 12:21-Voton Osmani: Sot është ditë e rëndësishme që përcakton fatin e komunave
- 14/11/2021 12:16-Lladrovci fton qytetarët të dalin të votojnë
- 14/11/2021 12:14-Votoi Ekrem Hyseni, fton qytetarët e Podujevës të dalin të votojnë
- 14/11/2021 12:09-DnV: Respektim jo i kënaqshëm i masave antiCOVID nga qytetarët, dalje më e madhe në komunat e vogla
- 14/11/2021 12:05-Voton Kurti: Kosova ka dëshmuar se është shtet demokratik
- 14/11/2021 11:52-Mandl nga misioni vëzhgues i BE-së: Qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës
- 14/11/2021 11:44-Voton edhe Memli Krasniqi
- 14/11/2021 11:40-Kryetari i KQZ-së: Procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht
- 14/11/2021 11:25-KQZ: 7.23% dalja në votime deri në orën 11:00
- 14/11/2021 11:10-Gjini fton qytetarët që ta shfrytëzojnë ditën e mirë, të dalin të votojnë
- 14/11/2021 10:58-Voton Kusari Lila: Kjo është ditë e bukur për demokracinë
- 14/11/2021 10:55-Zgjedhjet lokale, 12 ekipe mobile janë angazhuar për balotazhin në Prishtinë
- 14/11/2021 10:36-Ambasada amerikane fton qytetarë të dalin në votime
- 14/11/2021 10:30-Haradinaj: Duke mos votuar ndëshkojmë veten, ju lutem votoni të gjithë
- 14/11/2021 10:25-Haziri: Ftoj qytetarët të dalin të votojnë në këtë ditë të bardhë
- 14/11/2021 10:19-Voton Alban Hyseni: Qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar
- 14/11/2021 10:16-Abdixhiku pas votimit: Fitues janë të gjithë, fitues është Kosova
- 14/11/2021 10:16-Haskuka pas votimit fton qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës
- 14/11/2021 10:16-Totaj voton: Sot është një ditë e rëndësishme për Prizrenin
- 14/11/2021 09:21-Voton Përparim Rama, thotë se sot është ditë e mirë për Prishtinën
- 14/11/2021 09:19-Voton kandidati i LVV-për kryetar të Prishtinës: Sot vendoset fati i kryeqytetit tonë
- 14/11/2021 08:53-Prokuroria në mbrojtje të votës, të angazhuar mbi 50 prokurorë dhe staf mbështetës
- 14/11/2021 08:42-DnV: Procesi i votimit fillon në kohë
- 14/11/2021 08:08-KQZ: Janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimit
- 14/11/2021 08:01-Ndalet rryma në disa qendra të votimit në Gjakovë
- 14/11/2021 07:29-Hapen me kohë qendrat e votimit
- 14/11/2021 06:45-Balotazhi, KQZ ka pranuar 1 mijë e 571 pako me fletëvotime
Ka përfunduar pa incidente edhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale 2021.
Qytetarët e 21 komunave iu janë drejtuar kutive të votimit, për t’i zgjedhur kryetarët.
Të gjitha qendrat e votimit u hapën me kohë në orën 07:00 të mëngjesit dhe të njëjtat janë mbyllur në orën 19:00.
KQZ-së, ka thënë se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje deri në orën 19:00 është 38.48% apo 378 mijë e 730 qytetarë kanë votuar.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve të drejtë vote kishin 1 milion e 260 mijë e 571 qytetarë.
Numri i qendrave të votimit ishte 575 kurse vendvotime ishin 1,638.
Në raundin e dytë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka garuar në 12 komuna: Prishtinë, Prizren, Gjilan, Shtime, Gjakovë, Rahovec, Fushë Kosovë, Podujevë, Kaçanik, Obiliq, Viti dhe Kamenicë.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka garuar në nëntë komuna: Prishtinë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Istog, Fushë Kosovë, Dargash, Podujevë dhe Junik.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka garuar në tetë komuna: Drenas, Kaçanik, Shtime, Vushtrri, Malishevë, Prizren, Dragash dhe Klinë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka garuar në pesë komuna: Gjakovë, Klinë, Rahovec, Junik dhe Istog.
Ndërsa, partia NISMA Socialdemokrate ka garuar vetëm në Komunën e Malishevës.
Pas pak do të dalin edhe rezultatet e para preliminare të këtyre zgjedhjeve. Telegrafi nga orët e mëngjesit ka raportuar dhe po vazhdon të raportoj në kohë reale për këtë proces zgjedhor. /Telegrafi/
14/11/2021 19:38-Dalja e qytetarëve në raundin e dytë të zgjedhjeve është 37.88 për qind, fillon publikimi i rezultateve preliminare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se procesi i sotëm zgjedhor ishte i qetë.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se në orën 19:00 ka përfunduar procesi i votimit dhe janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit.
Radoniqi tha se sipas të dhënave preliminare deri në orën 19:00 dalja e qytetarëve në votime ishte 475 mijë e 751 qytetarë apo 37.88% nga 1 milion e 260 mijë e 571 qytetarë.
14/11/2021 19:15-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Gjakovën: Ardian Gjini mposht Mimoza Kusarin
Qytetarët e 21 komunave kanë votuar sot në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2021.
Sipas EXIT POLL-it të realizuar nga RTV Dukagjini dhe kompania UBO-Consulting del që Komunën e Gjakovës do ta qeveris sërish Ardian Gjini nga AAK.
Lajmin e plotë lexoni KËTU.
14/11/2021 19:14-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Prizrenin: Mytaher Haskuka fiton edhe një mandat
Qytetarët e 21 komunave kanë votuar sot në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2021.
Sipas EXIT POLL-it të realizuar nga RTV Dukagjini dhe kompania UBO-Consulting del që Komunën e Prizrenit do ta qeveris sërish Mytaher Haskuka nga LVV.
Lajmin e plotë lexoni KËTU.
14/11/2021 19:13-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Gjilanin: Alban Hyseni 52.1%, Haziri 47.9%
Qytetarët e 21 komunave të Kosovës u janë drejtuar sot për herë të dytë kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarët e ardhshëm.
Sipas EXIT POLL-it të realizuar nga kompania UBO-Consulting për RTV Dukagjinin në Komunën e Gjilanit fitues është kandidati i LVV Alban Hyseni.
Lajmin e plotë lexoni KËTU.
14/11/2021 19:12-EXIT POLL-i nga UBO në RTV Dukagjini për Prishtinën: Arben Vitia prin me 50.9%, Rama 49.1%
Qytetarët e 21 komunave të Kosovës u janë drejtuar sot për herë të dytë kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarët e ardhshëm.
Sipas EXIT POLL-it të realizuar nga kompania UBO-Consulting për RTV Dukagjinin në Komunën e Prishtinës fitues është kandidati i LVV Arben Vitia.
Lajmin e plotë lexoni KËTU.
14/11/2021 18:00-Një orë nga mbyllja e qendrave të votimit
Që nga ora 07:00 e mëngjesit të sotëm, qytetarët e 21 komunave ku garohet në raundin e dytë të zgjedhjeve, iu janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e ardhshëm.
Tashmë kur kanë mbetur edhe një orë nga mbyllja e qendrave të votimit, procesi në përgjithësi është raportuar se po ecën mirë pa incidente të theksuara.
Sipas KQZ-së, deri në orën 15:00 dalja e qytetarëve në votime ishte 23.55%.
Kujtojmë se të drejtë vote në raundin e dytë kanë 1 milion e 260 mijë e 571.
14/11/2021 17:19-Tahiri: Jemi në disponim, kjo do të jetë datë historike për AAK-në
Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Besnik Tahiri në një konferencë për media ka thënë se kjo datë do të jetë historike për AAK-në.
Ai u shpreh se në komunat ku garojnë në balotazh kanë informacione pozitive nga atje.
“Në komunat ku ne garojmë kemi marr informacione se pasdite ka pasur një dalje më të mirë, nuk kemi pasur probleme të theksuara. Ajo që për ne është me rëndësi, është që ky proces të kaloj sa më mirë. I ftojmë ata qytetarë që ende nuk kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre, të dalin dhe ta ushtrojnë atë të drejtë. Për AAK jam i bindur që kjo datë ka me qenë historike për konfirmimin e fuqisë tonë politike në zgjedhjet lokale. Jemi në disponim dhe po e presim me bindje të thellë mbylljen e procesit”, tha Tahiri.
14/11/2021 17:16-Prokuroria deri tani ka hapur dy raste në Junik dhe një në Vushtrri për parregullsi në procesin e votimit
Tri raste janë hapur nga Prokuroria e Kosovës na lidhje me parregullsi nëpër qendra të vendvotimit.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në të gjitha drejtoritë rajonale ka pranuar rreth 21 informacione të ndryshme të raportimeve për parregullsi gjatë procesit të votimit në Kosovë, prej të cilave deri më tani janë hapur tri raste.
“Me vendim të prokurorëve kompetent deri më tani janë hapur tri (raste) prej tyre, (1) rast në Junik - Pejë " Pengim i procesit të votimit" ku një person i dyshuar është ndaluar për 48 orë, (1) rast po ashtu në Junik – Pejë " Prishje e rendit dhe qetësisë publike" ku personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt dhe (1) rast në Vushtrri " Falsifikim i dokumentit", i cili po ashtu ka vazhduar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
14/11/2021 16:58-Gara e balotazhit: Blerje e fotografim i votës, falsifikim i dokumentit e kanosje, 21 raste të raportuara në polici
Policia e Kosovës ka njoftuar se në të gjitha drejtoritë rajonale ka pranuar rreth 21 informacione të ndryshme të raportimeve për parregullsi gjatë procesit të votimit në Kosovë.
Në 21 komuna ku po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve janë raportuar raste të fotografimit të votës, blerje e votës, kanosje, ndërhyrje në votim, falsifikim të dokumentit e disa të tjera.
“Bazuar në informacionet e deritanishme të siguruara nga të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë së Kosovës, deri më tani janë pranuar rreth njëzet e një (21) informacione të ndryshme, të cilat përmbajnë kryesisht raportime rreth; ndërhyrje në votim (1), fotografim të votimit (5), fjalosje në qendër të votimit (1), grumbullim të personave në afërsi të qendrave të votimit (7), blerje e votës (2), kanosje (1), bezdisje e qytetareve (1), falsifikim i dokumentit të bexhit (1), person i dehur në qendër të votimit (1) dhe mosmarrëveshje në qendër të votimit (1) informatë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
14/11/2021 16:04-Deri në ora 15:00 në Prishtinë votuan mbi 50 mijë qytetarë – kjo është përqindja për komunat tjera
Është duke vazhduar procesi i votimit në 21 komuna të cilat kanë shkuar në balotazh. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri në ora 15:00 dalja e qytetarëve në votime është 23,60%.
Dalje më të madhe në votime deri tani ka pasur në Prishtinë, Podujevë, Drenas, Gjakovë, Gjilan, Kamenicë.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë, e që u takojnë këtyre 21 komunave, është 1,260,571.
Pjesëmarrja në zgjedhje e qytetarëve deri në ora 15:00:
Drenas, numri i votuesve që kanë votuar 13 mijë e 358 apo 24,33%
Gjilan, numri i votuesve që kanë votuar 27 mijë e 282 apo 27,00%
Gjakovë, numri i votuesve që kanë votuar 24 mijë e 317 apo 21,49%
Kaçanik, numri i votuesve që kanë votuar 8 mijë e 417 apo 25,78%
Dragash, numri i votuesve që kanë votuar 6 mijë e 677 apo 17,09%
Fushë Kosovë, numri i votuesve që kanë votuar 7 mijë e 640 apo 18,96%
Istog, numri i votuesve që kanë votuar 10 mijë e 606 apo 22,24%
Obiliq, numri i votuesve që kanë votuar 6 mijë e 410 apo 26,12%
Klinë, numri i votuesve që kanë votuar 9 mijë e 212 apo 19,07%
Kamenicë, numri i votuesve që kanë votuar 10 mijë e 452 apo 29,73%
Rahovec, numri i votuesve që kanë votuar 9 mijë e 377 apo 16,27%
Podujevë, numri i votuesve që kanë votuar 25 mijë e 662 apo 30,71%
Prishtinë, numri i votuesve që kanë votuar 53 mijë e 205 apo 27,15%
Viti, numri i votuesve që kanë votuar 10 mijë e 576 apo 21,99%
Prizren, numri i votuesve që kanë votuar 32 mijë e 413 apo 18,70
Junik, numri i votuesve që kanë votuar 1 mijë e 844 apo 40,73%
Malishevë, numri i votuesve që kanë votuar 12 mijë e 598 apo 23,32%
Vushtrri, numri i votuesve që kanë votuar 15 mijë e 500 apo 21,62%
Shtime, numri i votuesve që kanë votuar 8 mijë e 710 apo 32,24%
Kllokot, numri i votuesve që kanë votuar 1 mijë e 367 apo 37,20%
Mamushë, numri i votuesve që kanë votuar 1 mijë e 889 apo 44,73%
14/11/2021 15:53-Balotazhi, RTV Dukagjini në ora 19:00 publikon rezultatet e EXIT POLL-it për 21 komunat
Qytetarët e 21 komunave të Kosovës u janë drejtuar sot për herë të dytë kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarët e ardhshëm.
Radio Televizioni Dukagjini ka bërë të ditur se do të publikojë rezultatet e EXIT POLL-it të realizuar nga kompania UBO-Consulting.
Rezultatet e këtij EXIT POLL-i do të bëhen publike menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 19:00, ku do të informoheni me rezultatet e komunave të mëdha të Kosovës.
14/11/2021 15:48-Përfundon procesi i votimit në Institucionet Korrektuese, 339 të burgosur refuzuan të votonin
Qytetarët e 21 komunave të Kosovës u janë drejtuar sot për herë të dytë kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarët e ardhshëm.
E këtij procesi i janë nënshtruar edhe të burgosurit. Ku tashmë në të gjitha Institucionet Korrektuese ka përfunduar procesi i votimit të të burgosurve.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i SHKK-së, Florent Gashi.
“Ka përfunduar procesi i votimit të të burgosurve në të gjitha Institucionet Korrektuese. Sipas listave të KQZ-së, të drejtë vote kanë pasur gjithsej 736 të burgosur, prej tyre të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 397 të burgosur, ndërsa 339 të burgosur kanë refuzuar”, ka thënë Gashi.
14/11/2021 15:46-DnV: Në pjesën e dytë të ditës – dalje më e ulët në votime krahasuar me raundin e parë
Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV), pjesëmarrja e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 është 23.6 për qind, rreth 2 për qind më e ulët se në raundin e parë të zgjedhjeve.
Komunat me daljen më të madhe vazhdojnë të jenë Mamusha (45%), Juniku (41%) dhe Kllokoti (37%) kurse ndërsa dalja më e ulët deri në 15:00 është regjistruar në komunën e Prizrenit (19%) dhe Dragashit (17%).
Sipas DnV, Fushë Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Vushtrria dhe Mamusha janë ndër komunat që krahasuar me daljen e votuesve në raundin e parë, kanë shënuar rënien më të madhe.
Rritje domethënëse në trendin e votimit, krahasuar me raundin e parë, është shënuar në Junik, Podujevë dhe Shtime.
“Trendi i njëjtë i mosrespektimit të masave mbrojtëse kundër COVID 19 ka vazhduar edhe gjatë pjesës së dytë të ditës, si nga ana e stafit zgjedhor ashtu edhe nga qytetarët”, thuhet në njoftim.
14/11/2021 15:40-KQZ: Procesi zgjedhor po shkon pa incidente, deri në orën 15:00 kanë votuar 23,55 për qind e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se dalja e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 është 23.55% apo 294 mijë e 157 votues nga gjithsejtë 1 milion e 260 mijë e 571 sa kanë të drejtë vote.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në konferencë për media, tha se procesi është duke shkuar në rregull.
Ai theksoi se deri tash nuk ka pasur incidente.
14/11/2021 15:28-LVV thotë se Policia ka ndaluar një aktivist të LDK-së në Podujevë për blerje votash
Lëvizja Vetëvendosje, Dega në Podujevë përmes një reagimi publik thotë se Policia e Kosovës ka ndaluar një aktivist të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si i dyshuar për blerje votash.
LVV thotë se aktivisti është Arsim Syla, transmeton Telegrafi.
“Policia e Kosovës sot ka ndaluar aktivistin e LDK-së, Arsim Syla në Gllamnik të Podujevës për blerje votash, i cili është intervistuar si i dyshuar. Lëvizja Vetëvendosje ka informacione nga tereni se edhe aktivistë të tjerë të LDK-së po bëjnë të njëjtën gjë. Prandaj kërkojmë nga organet e rendit që të veprojë shpejt dhe t’i ndalojë këto veprime të kundërligjshme dhe që cenojnë demokracinë rëndë”, thuhet në reagim.
14/11/2021 14:42-Szunyog viziton qendrat e votimit, bën thirrje që qytetarët të dalin dhe të votojnë
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar vendvotimin në Fakultetin Filologjik në Prishtinë.
Szunyog përmes një postimi në Twitter, ka ftuar qytetarët të dalin në votime.
“Sapo vizitova qendrën e votimit në Fakultetin Filologjik në Prishtinë. Unë u bëj thirrje njerëzve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në këtë balotazh, në mënyrë që ata të vendosin se kush do t’i përfaqësojë”, ka shkruar ai.
14/11/2021 14:26-Çitaku: Këto zgjedhje janë ekskluzivisht për qytetarët, procesi zgjedhor po shkon mirë
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në një konferencë për media u ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Çitaku u shpreh se sot është ditë vendimtare për të ardhmen katër vjeçare të komunave.
“Më 17 tetor, disa prej komunave të vendit përmbyllën garën me sukses në raundin e parë dhe tashmë kanë kryetarët e zgjedhur me votë demokratike për katër vitet e ardhshme. Sot, qytetarët e komunave në balotazh e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë të komunave të tyre. Andaj, i ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin në mënyrë sa më masive ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të japin verdiktin e tyre se kush dëshirojnë që t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme”, u shpreh ajo.
14/11/2021 14:26-Vetëvendosje akuzon PDK-në për presion ndaj votuesve në Prizren
Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prizren, ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës se përmes militantëve partiakë po iu bënë presion dhe trysni qytetarëve.
Shefi i shtabit zgjedhor, Visar Shehu në një konferencë për medie tha se kanë raportuar në polici grumbullimet e militantëve të PDK-së në dy qendra të votimit.
“Në disa nga qendrat e votimit, përkatësisht në shkollën ‘Motrat Qiriazi’ në lagjen Kurillë dhe ish-shkollën e mjekësisë në lagjen 2 Korriku ka pasur grumbullime të personave të caktuar… Disa nga këta persona në dy lagjet që i përmenda janë intervistuar në stacionin policor. Të njëjtën kohe i bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që hasin në këso parregullsi apo trysni në procesin e votimit të paraqesin në polici këto raste”, tha ai.
Shehu iu bëri thirrje qytetarëve që mos të bien në ndikim e këtyre personave.
“Qytetarët të mos bien pre e ndikimit të personave të tillë pasi për ne këta persona janë të njohur për publikun dhe janë militantë dhe financues të partisë kundërshtarë”, shtoi ai.
Në balotazhin për kryetar të Prizrenit garojnë Shaqir Totaj i PDK-së dhe Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendosje.
14/11/2021 14:03-Arrestohet një person në një qendër votimi në Viti, ishte në gjendje të dehur
Një person është arrestuar në një qendër të votimit në komunën e Vitisë.
Arrestimin e tij e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i policisë në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Arrestimi i tij nuk lidhet me votim. Në bazë të informacioneve dyshohet se një person në gjendje të dehur ka shkaktuar incident, por për momentin nuk ka informata se lidhet me zgjedhje”, ka thënë Hashani.
Në pamjet që ka publikuar Klan Kosova, shihet se si dy pjesëtar të Policisë së Kosovës i kanë vendosur prangat një qytetari.
14/11/2021 13:51-AAK raporton për incidente zgjedhore në Junik
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se është informuar për disa incidente që sipas tyre kanë ndodhur në komunën e Junikut.
Në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri, ka akuzuar LDK-në dhe LVV-në në Junik për presion dhe kërcënim të zyrtarëve përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Fatkeqësisht na duhet të ju informojmë edhe për disa incidente të vogla. Fillimisht në komunën e Junikut është regjistruar një person nga Lidhja Demokratike e Kosovës i cili është munduar dhe ka ndikuar në procesin e votimit, kjo është raportuar edhe në media, pastaj është një informatë tjetër një ish-kandidat i Vetëvendosjes i cili e ka sulmuar një komisioner të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Dhe së fundi e kemi një lajm ku djali i kandidat për kryetar të komunës në Junik nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës është ndaluar nga policia për shkak se në një qendër te votimit e ka kërcënuar drejtoreshën e shkollës, respektivisht menaxheren e asaj shkolle për proces të votimit”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se dalja e qytetarëve në votime deri në këtë kohë është më e vogël krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Ai ka ftuar qytetarët që të dalin të ushtrojnë të drejtën e tyre te votës.
AAK është në balotazh në pesë komuna të Kosovës.
14/11/2021 13:31-Ambasada amerikane: Raportoni parregullsitë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë , u ka bërë thirrje qytetareve që të raportojnë çdo parregullsi dhe shkelje që shohin sot gjatë procesit zgjedhor.
Ambasada nëpërmjet një postimi në Facebook ka apeluar që raportimet të bëhen në polici, prokurori, autoritetet zgjedhore ose media.
“Nëse sheh diçka, thuaj diçka. Raportoni çdo parregullsi dhe shkelje lidhur me zgjedhjet në Policinë, Prokurorinë, autoritetet zgjedhore ose mediat e Kosovës. Zgjedhjet Komunale të Kosovës 2021”, thuhet në njoftim.
14/11/2021 13:29-Limaj: Qytetarët sot të zgjedhin të preferuarit e tyre
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se dita e sotme është një rast i mirë për çdo qytetar që të zgjedhë kryetarin e komunës ku jeton.
Pasi ka votuar në Shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, Limaj ka thënë se komunave të Kosovës u nevojiten kryetarë me energji pozitive e vullnet të mirë.
“Ditë e mirë, një rast i mirë për çdo qytetar të komunave të Kosovës për të dalë për të zgjedhur të preferuesin e tyre ose për të dalë për të konfirmuar vullnetin e qytetarëve të komunave të shprehur. A ka më mirë se në këtë ditë me diell e ditë të mirë, me vullnet të mirë e me energji pozitive. Besoj se është ajo që i duhet çdo qyteti të Kosovës. Shpresoj që në mbrëmje të kemi kryetarë me energji pozitive që do të reflektojnë pozitivitet dhe do të ndriçojnë në shërbim të njerëzve aty ku zgjidhen”, ka thënë Limaj.
14/11/2021 13:23-Konjufca: Uroj që ky proces të shkojë mbarë e mirë
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin e Edukimit. Pasi ushtroi të drejtën e votës ai kërkoi që qytetarët sa më shumë të dalin dhe të votojnë.
Kryeparlamentari uroi që ky proces i raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të shkojë mirë dhe në mbrëmje të përmbyllet ndershëm dhe secili të pranojë rezultatin e zgjedhjeve.
“Sapo e shfrytëzova të drejtën demokratike e qytetare për të votuar kështu mendoj se duhet të bëjnë qytetarët e Kosovës në mënyrë sa më masive meqenëse sot është vendimi për të zgjedhur kryetarët e komunave anë e mbarë Kosovës. Pra, në këtë pjesë të balotazhit do zgjedhën edhe më shumë kryetar komunash sesa që u zgjedhën në raundin e parë e para është që sa më shumë qytetar është e rëndësishme që të dalin në zgjedhje kurse e dyta është se urojmë që procesi zgjedhor të shkoj mbarë e mirë që mos të ketë parregullsi të për përmbyllet në mbrëmje në mënyrë të ndershme dhe fer dhe që pastaj secili ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve”, theksoi ai.
14/11/2021 13:21-Kastrati kërkon nga qytetarët të votojnë për të mirën e Malishevës
Kandidati i Nismës Socialdemokrate për kryetar të Malishevës, Ekrem Kastrati, pasi ka votuar në zgjedhjet e sotme, ka thënë se sot është një ditë e rëndësishme për secilin qytetarë të komunës së Malishevës.
Ai ka thënë se është shumë i lumtur teksa qytetarët tanë po vendosin përmes të drejtës së tyre me votë, për drejtuesin e Malishevës për 4 vitet e ardhshme.
“Pavarësisht dallimeve partiake e bindjeve politike, kërkoj nga secili qytetar i yni, të dalin dhe të votojnë, që t’i kontribuojnë ecurisë së mirë të kësaj dite zgjedhore, që ta ndihmojnë demokracinë, sepse këto zgjedhje janë për qytetarët tanë, janë për të mirën e Malishevës”, ka thënë Kastrati.
14/11/2021 13:14-Dalja e qytetarëve në 21 komuna deri në orën 11:00
Sot në Kosovë është duke u zhvilluar raundi i dytë i zgjedhjeve lokale 2021. Qytetarët e 21 komunave janë duke e ushtruar të drejtën e tyre të votës, ku do të zgjedhin kryetarët që do të qeverisin me komunat përkatëse.
Deri në orën 11:00 sipas KQZ-së, dalja e qytetarëve në votime në këto 21 komuna është 7.22%.
Në komunën e Gjakovës dalja e qytetarëve në votime deri në orën 11:00 është 6.58% apo 7,442 qytetarë nga 113 mijë e 165 sa kanë të drejtë vote. Në Drenas dalja e qytetarëve deri në këtë orë është 6.84% apo 3,757 nga 54 mijë e 908 qytetarë që kanë të drejtë vote, shkruan Telegrafi.
14/11/2021 12:38-Bulliqi fton qytetarët të dalin masivisht në votime
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me gruan e tij, ka votuar në qendrën e votimit në fshatin Llugë.
Ai ka ftuar qytetarët e që të dalin në votime.
"Sot është një ditë e veçantë për qytetarët e Llapit dhe Gollakut. Një ditë si kjo me diell do të sjell të parin e tyre, i cili do të udhëheq në katër vjetët e ardhshme. Shpresojmë që qytetarët tanë të përgjigjen masovikisht në këto zgjedhje dhe të vazhdojnë ndryshimet, për të pasur progres përpara. Esenciale është që qytetarët t’u përgjigjen votimeve. Për popullin, qytetarët ndryshimi është i mirëseardhur. Ftoj qytetarët të dalin se vota është për ndryshimin e të mirave dhe prosperitetin e tyre”, ka thënë Bulliqi.
14/11/2021 12:23-Voton Ajazi: Sot do të vendoset se si do të udhëhiqet komuna e Drenasit në katër vitet e ardhshme
Kandidati për kryetar të Drenasit nga radhët e Demokratëve për Drenasin, Driton Ajazi ka hedhur votën e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Ajazi ka thënë se sot është një ditë e vullnetit të lirë qytetarë, ku përmes votimit përcaktohet e ardhmja e komunës tonë për katër vitet e ardhshme.
“Sot është një ditë e vullnetit të lirë qytetarë, ku përmes votimit ju e përcaktoni të ardhmen e komunës tonë për katër vitet e ardhshme. Me këtë rast ftoj të gjithë qytetarët e Drenasit që të dalin dhe ta japin votën lirshëm e të pandikuar, sepse vetëm kështu tregojmë për demokracinë e kultivuar në shoqërinë tonë”, ka shkruar Ajazi.
14/11/2021 12:21-Voton Osmani: Sot është ditë e rëndësishme që përcakton fatin e komunave
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka votuar para pak çastesh.
Osmani gjatë procesit të votimit ka qenë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, transmeton Telegrafi.
Presidentja në një prononcim për media, deklaroi se qytetarët duhet të dalin dhe të votojnë, në mënyrë që të kenë më shumë të drejta.
“Detyrimi qytetarë për të kontribuar në demokracinë e vendit tonë nuk ka përfunduar më 17 tetor, sot është një ditë po aq e rëndësishme që përcakton fatin e komunave, ku gjithsecili prej jush dhe prej nesh jeton, prandaj është shumë më rëndësi që qytetarët t’i përgjigjen këtij detyrimi qytetar, në mënyrë që nesër pasnesër të kenë më shumë të drejta.
Shpresoj që sikur në të kaluarën, të kemi pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe të mos ketë incidente”, theksoi ajo.
Raundi i dytë i zgjedhjeve është duke u zhvilluar në 21 komuna.
14/11/2021 12:16-Lladrovci fton qytetarët të dalin të votojnë
Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, i cili edhe aktualisht udhëheq me këtë komunë, Ramiz Lladrovci ka ushtruar të drejtën e tij të votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Lladrovci u ka bërë thirrje qytetarëve të Drenasit që të dalin dhe të votojnë.
"Pas fushatës së qetë që mund ta quaj shembullore, i ftoj qytetarët e komunës së Drenasit, të dalin të votojnë për kryetarin e Drenasit, ta votojnë kryetarin i cili do të punojë bashkë me qytetarët në qeverisjen e ardhshme. Faleminderit”, ka shkruar Lladrovci.
14/11/2021 12:14-Votoi Ekrem Hyseni, fton qytetarët e Podujevës të dalin të votojnë
Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Ekrem Hyseni, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka votuar në një qendër të votimit në Batllavë.
Ai ka ftuar qytetarët e Podujevës që të kryejnë obligimin e tyre qytetar dhe dalin e të votojnë.
“Dolëm dhe kryem obligimin tonë qytetarë. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin dhe të votojnë, qenka një ditë e mirë, mbrëmja do të jetë edhe më e mirë. Ka pasur entuziazëm, ka pasur përkrahje e di që do të jetë një rezultat i mirë. I ftoj të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës për me tregua vullnetin aty ku e kanë mundësinë, kështu fuqia e tyre është në votën e tyre dhe këtë fuqi mos ta lënë pa e shfrytëzuar”, ka thënë Hyseni.
14/11/2021 12:09-DnV: Respektim jo i kënaqshëm i masave antiCOVID nga qytetarët, dalje më e madhe në komunat e vogla
Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV), pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e votimit në 21 komunat ku po zhvillohet balotazhi është përafërsisht e njëjtë me raundin e parë, rreth 7%.
Komunat me daljen më të madhe janë: Mamusha (18%), Juniku (17%), Kllokoti (12%) dhe Shtimja (11%), ndërsa dalja më e ulët është regjistruar në komunën e Dragashit (4%).
Deri më tani është raportuar për nivel jo të kënaqshëm të respektimit të masave anti-COVID nga ana e komisionerëve (70%), ndërsa qytetarët po tregojnë edhe më pak kujdes në respektim të masave (në nivelin 56%).
Raportohet edhe për vështirësi në gjetjen e emrit në listën e votuesve, ndonëse në nivele shumë më të ulëta sesa në raundin e parë.
14/11/2021 12:05-Voton Kurti: Kosova ka dëshmuar se është shtet demokratik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hedhur votën e tij.
Kurti para mediave tha se komunat janë shumë të rëndësishme, transmeton Telegrafi.
“Po sa ushtrova të drejtën demokratike, për të zgjedhur kryetarin e komunës. Komuna është shumë e rëndësishme, është qeliza e Republikës. Inkurajoj të gjithë të dalin dhe përcaktojnë për vetën e tyre përmes udhëheqësve. Më 14 nëntor po e përmbyllim një vit të suksesshëm, i cili nisi më zgjedhjet e 14 shkurtit. Republika e Kosovës ka dëshmuar se është shtet demokratik”, deklaroi Kurti.
Kryeministri uroi qytetarët për përmbylljen e suksesshme të vitit elektoral.
14/11/2021 11:52-Mandl nga misioni vëzhgues i BE-së: Qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës
Shefi i misionit vëzhgues të Bashkimit Evropian për zgjedhjet në Kosovë, Lukas Mandl ka vizituar qendrën e votimit me numër 1903e në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë.
Ai ka thënë se çdo gjë sot ka të bëjë me demokracinë dhe ka ftuar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Kur them se gjithçka ka të bëjë me demokracinë, dua të inkurajoj çdo qytetar në këto 21 komuna ku sot po zhvillohen zgjedhjet, që të ushtrojnë të drejtën e votës për të votuar njërin apo tjetrin kandidat. Por për të kontribuar për demokracinë, sepse BE po bën shumë, komisionarët në qendrat e votimit dhe qendrat e votimit po bëjnë shumë, por kontributi më i rëndësishëm për demokracinë është ai i qytetarëve që shkojnë të votojnë, kontributi i tyre nëpërmjet votës është më i rëndësishmi për të forcuar demokracinë në Kosovë”, ka thënë Mandl.
14/11/2021 11:44-Voton edhe Memli Krasniqi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka hedhur votën e tij.
Krasniqi gjatë votimit ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, transmeton Telegrafi.
“Edhe sot në raundin e dytë të zgjedhjeve votuam në Prishtinë. Është obligimi të gjithëve pavarësisht se kush ka vazhdu garën që qytetarët të dalin në votime. Zgjedhjet lokale janë për qytetarët dhe jo për politikanët. Është ditë e bukur shpresoj që të jetë ditë e shkëlqyeshme edhe për demokracinë”, ka deklaruar Krasniqi para mediave.
14/11/2021 11:40-Kryetari i KQZ-së: Procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në ora 11:00 kanë dalë për të votuar 7.22 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Kryetari i KQZ, Kreshnik Radoniqi në një konferencë për media tha se procesi i votimit është duke u zhvilluar normalisht.
“Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor Komisionit Qendror Zgjedhor është në bashkëpunim të vazhdueshëm me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit”, tha ai.
Sipas tij, sipas të dhënave preliminare të mbi 97 për qind të vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 88,622 votues, ose 7.22 për qind.
Ndryshe, sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në 21 komuna të Kosovës, ku po konkurrojnë 42 kandidatë për kryetarë komune.
Deri tani nuk janë raportuar parregullsi të mëdha, ndërsa në orët e mëngjesit komuna e Gjakovës është përballur me mungesë të energjisë elektrike.
14/11/2021 11:25-KQZ: 7.23% dalja në votime deri në orën 11:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në ora 11:00 kanë dalë për të votuar 7.23 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Ndryshe, sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në 21 komuna të Kosovës, ku po konkurrojnë 42 kandidatë për kryetarë komune.
Deri tani nuk janë raportuar parregullsi të mëdha, ndërsa në orët e mëngjesit komuna e Gjakovës është përballur me mungesë të energjisë elektrike.
14/11/2021 11:10-Gjini fton qytetarët që ta shfrytëzojnë ditën e mirë, të dalin të votojnë
Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Gjakovës, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka votuar në njërën nga qendrat e votimit në këtë qytet.
Pas hedhjes së votës tha se e shpreson se të gjithë qytetarët e Gjakovës do ta kryejnë obligimin e tyre qytetar.
"Sot është një ditë e mirë dhe ftoj të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të dalin e të votojnë", tha ai.
14/11/2021 10:58-Voton Kusari Lila: Kjo është ditë e bukur për demokracinë
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka votuar në njërën nga qendrat e votimit në Gjakovë.
Kusari, duke ftuar qytetarët e kësaj komune që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor, tha se kjo është një ditë e bukur për demokracinë.
“Zgjedhjet e kanë një rëndësi të veçantë sepse qytetarët sot kanë mundësinë që të flasin”.
“Ka qenë fushatë e mbarë dhe e mirë dhe uroj që të përmbyllet me sukses. Ftoj qytetarët që të dalin, pak minuta votim janë katër vjetët e ardhshme”, është shprehur ajo.
Ajo ka komentuar edhe takimin e së shtunës me Kryeministrin Albin Kurti në Gjakovë, duke thënë se Kurtin e ka mik dhe se diskutimi ishte për përgatitjet e përgjithshme për procesin zgjedhor.
14/11/2021 10:55-Zgjedhjet lokale, 12 ekipe mobile janë angazhuar për balotazhin në Prishtinë
Numri i qytetarëve të cilët janë të infektuar me COVID dhe që kanë kërkuar të votojnë në shtëpitë e tyre krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve lokale është shumë më i ulët, pasi që ka përmirësim të gjendjes së numrit të personave të prekur coronavirus.
Hapësirat e Fakultetit të Edukatës Fizike dhe Sportive mëngjesin e sotëm janë shfrytëzuar për nisjen e ekipeve mobile për personat e infektuar me COVID, por edhe të atyre me nevoja të veçanta, shtëpinë e të moshuarve dhe në qendrat e paraburgimit.
Ekipet mobile janë të organizuara nga secila komunë në qytetin përkatës dhe janë në përcjellje të Policisë së Kosovës.
Valentina Demolli-Koliqi, trajnere e Komisionit Komunal Zgjedhor në Prishtinë, thotë se janë 12 ekipe mobile të cilat janë të përcaktuar për Qendrën Klinike Universitare të Kosovë (QKUK), për shtëpinë e të moshuarave, si dhe për qendrën e paraburgimit në Hajvali.
14/11/2021 10:36-Ambasada amerikane fton qytetarë të dalin në votime
I ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe ka ftuar sot qytetarët që të dalin në votime dhe t’i formësojnë prioritetet lokale.
Giacobbe në një postim në Twitter thotë se duhet votuar për të siguruar demokracinë.
“Mos e humbisni mundësinë për të formësuar prioritetet dhe vendimmarrjen në qeverisjen lokale. Dilni dhe votoni për të siguruar demokracinë për ju dhe familjen tuaj”, shkruan ai.
14/11/2021 10:30-Haradinaj: Duke mos votuar ndëshkojmë veten, ju lutem votoni të gjithë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur votën e tij në shkollën e mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Haradinaj ka ftuar qytetarët që të dalin dhe të votojnë.
“Ushtruam të drejtën tonë të votës, i lus qytetarët që të votojnë gjithë, raundi i dytë nuk është më pak i rëndësishëm se raundi i parë. Duke mos votuar ndëshkojmë vetën pasi gjatë katër viteve që vijnë jetojmë me rezultatin, me nivelin, me kualitetin e jetës ose të qeverisjes që ka ndikim direkt në jetën tonë. Pra ju lutem votoni të gjithë”, ka thënë Haradinaj para mediave.
Raundi i dytë i zgjedhjeve po zhvillohet në 21 komuna të Kosovës.
14/11/2021 10:25-Haziri: Ftoj qytetarët të dalin të votojnë në këtë ditë të bardhë
Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka hedhur votën në njërën nga qendrat e votimit në Gjilan, për garën e balotazhit.
Pasi ka kryer procesin e votimit, Haziri ka ftuar qytetarët të dalin masivisht të votojnë.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Gjilanit që në këtë ditë të bardhë të dalin të votojnë dhe të zgjedhin kryetarin që do t’i udhëheq në katër vitet e ardhshme”, tha Haziri.
14/11/2021 10:19-Voton Alban Hyseni: Qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e Gjilanit, Alban Hyseni ka thënë se është me rëndësi që gjatë ditës së sotme dalja në votime të jetë masive.
Gjatë votimit, Hyseni ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.
“Është ende mëngjes dhe kam shfrytëzuar të drejtën dhe kohën të ushtrojë të drejtën kushtetuese dhe ligjore të votojë. Në këtë rast bëjë apel tek të gjitha qytetarët e Gjilanit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese në mënyrë që të jenë pjesë e procesit të votimit për të ndikuar, ndryshuar apo shprehur mendimin dhe bindjen e tyre politike”, tha ai.
14/11/2021 10:16-Abdixhiku pas votimit: Fitues janë të gjithë, fitues është Kosova
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shfrytëzuar të drejtën për të votuar.
Abdixhiku gjatë votimit ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, teksa në një deklarim për media ka uruar qytetarët për festën e demokracisë, transmeton Telegrafi.
“Është ditë kur vendimmarrja kalon te qytetarët. Falënderoj zyrtarët e KQZ-së, falënderoj komisioneret, vëzhguesit.. Uroj qytetarët për festën e demokracisë, shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Fitues janë të gjithë, fitues është Kosova”, ka thënë Abdixhiku.
14/11/2021 10:16-Haskuka pas votimit fton qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka ka ftuar sot qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.
Haskuka pas votimit tha se koha është e mirë dhe qytetarët duhet të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.
“Sapo votova. Është një ditë për katër vite... Qytetarët duhet të votojnë dhe është një farë besimi për punën e bërë dhe punët që presin”, tha ai.
14/11/2021 10:16-Totaj voton: Sot është një ditë e rëndësishme për Prizrenin
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj tha se sot është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e qytetit.
Ai pas votimit tha se shpreson se kjo ditë të jetë shembull se si organizohen zgjedhjet dhe çdo gjë të shkojë në rregull.
“Sot është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e qytetit dhe besoj se sot qytetarët do të dalin në zgjedhje”, tha ai. /Telegrafi/
14/11/2021 09:21-Voton Përparim Rama, thotë se sot është ditë e mirë për Prishtinën
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ka votuar para pak çastesh.
Rama gjatë votimit ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, transmeton Telegrafi.
Pas votimit, Rama tha sot është ditë e mirë për Prishtinën.
“Ftoj të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë rastin dhe të votojnë. Unë sot votova në këtë ditë të mirë me diell, ditë e mirë për Prishtinën”, deklaroi ai para mediave.
Raundi i dytë i zgjedhjeve është duke u mbajtur në 21 komuna të Kosovës.
14/11/2021 09:19-Voton kandidati i LVV-për kryetar të Prishtinës: Sot vendoset fati i kryeqytetit tonë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arben Vitia ftoi sot të gjithë qytetarët që të votojnë dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre, pasi sot vendoset fati i kryeqytetit.
Ai ishte gjatë votimit ishte i shoqëruar nga bashkëshortja, ndërsa pas votimit tha se dita e zgjedhjeve është thelbësore për demokracinë dhe shtetin.
“Sapo shfrytëzova të drejtën e votës. Dita e zgjedhjeve është thelbësore për demokracinë dhe shtetin. Sot vendoset fati i kryeqytetit tonë dhe ndaj është e rëndësishme që secila dhe secili të marrin pjesë në këtë proces të votimit. Bëj ftesë masivisht që të gjithë të dalin në këto zgjedhje, ta forcojmë demokracinë dhe të japim shembull të demokracisë sikur vitet e kaluar”, tha ai.
14/11/2021 08:53-Prokuroria në mbrojtje të votës, të angazhuar mbi 50 prokurorë dhe staf mbështetës
Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se është duke përcjellë me vëmendje procesin zgjedhor, saktësisht raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që po zhvillohet në 21 komuna.
Në njoftimin për media thuhet se që nga ora shtatë e mëngjesit janë të angazhuar mbi 50 prokurorë dhe staf mbështetës, për të përcjellë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit.
Po ashtu, prokurori i shtetit me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria, të gjitha pretendimet për keqpërdorim të votës. /Telegrafi/
14/11/2021 08:42-DnV: Procesi i votimit fillon në kohë
Demokracia në Veprim po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 90 vëzhgues nëpër qendra të votimit në 21 komuna ku po zhvillohet balotazhi.
Përkundër garës së fortë midis kandidatëve që janë në balotazh, të dhënat nga terreni, tregojnë që në afërsi të Qendrave të Votimit, në 98% të rasteve, nuk ka pasur vendosje të posterëve të subjekteve politike apo kandidatëve. Ashtu siç ishte raportuar edhe në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, rreth ¼-ta e Qendrave të Votimit vazhdojnë të jenë të pa qasshme për persona me aftësi të kufizuar fizike.
Në rreth 90% të hyrjeve të qendrave të votimit, janë parë zyrtarë policorë për të garantuar sigurinë e procesit zgjedhor, ndërsa në raste të izoluara ata janë parë brenda hapësirave të qendrave të votimit për shkak të motit të ftohtë.
Sipas vëzhgueseve, 97% të Qendrave të Votimit dhe vendvotimeve janë dezinfektuar para hapjes ndërsa udhëzimet si të votohet sigurt duke respektuar masat anti-COVID në fuqi janë vendosur në 93% të QV-ve ku po zhvillohet balotazhi.
Në anën tjetër, në mëngjes është raportuar se komisionerët janë të pajisur me pajisje personale mbrojtëse (maska dhe dezinfektues) në mbi 92% të vendvotimeve, ndërsa pajisja me dorëza është në nivelin afër 46%. Vetëm në 3% të Qendrave të Votimit është raportuar se pajisjet mbrojtëse kundër COVID kanë munguar në tërësi
14/11/2021 08:08-KQZ: Janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimit
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është bërë e ditur se janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimeve në 21 komuna, ku po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media tha se janë hapur me kohë të gjitha vendvotimet, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.
Ai tha se numri i qendrave të votimit është 575, me 1638 vendvotime.
“Numri i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë, e që u takojnë këtyre 21 komunave, është 1,260,571”, tha ai, duke ftuar qytetarët e këtyre 21 komunave ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.
14/11/2021 08:01-Ndalet rryma në disa qendra të votimit në Gjakovë
Të gjitha qendrat e votimit në Komunën e Gjakovës janë hapur në orën 7:00, ani pse një pjesë e vendvotimeve në këtë komunë po përballen me mungesë të energjisë elektrike.
Zyrtari i Komunal Zgjedhor në Gjakovë, Armir Rexhaj, bëri të ditur se një pjesë e vendvotimeve në Komunën e Gjakovës janë pa energji elektrike, për çka tha se janë duke komunikuar me institucionet përgjegjëse që të rregullohet ky problem.
Ai përmes telefonit bëri të ditur se të gjitha qendrat e votimit në këtë komunë janë hapur me kohë, raporton Kp.
14/11/2021 07:29-Hapen me kohë qendrat e votimit
Janë hapur me kohë pothuajse të gjitha qendrat e votimit në 21 komuna të vendit, ku zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.
Deri tani është raportuar se me kohë janë hapur shumica e qendrave të votimit, si në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Fushë Kosovë, Podujevë, Viti, Drenas, Prizren etj.
Është hapur me kohë edhe qendra më e madhe e votimit në Komunën e Gjakovës në shkollën Yll Morina, në të cilën qendër kanë të drejtë vote 15 mijë e 15 qytetarë.
Por kjo qendër e votimit po ka probleme me energji elektrike, megjithatë ka hapur dyert për qytetarët që duan të votojnë.
14/11/2021 06:45-Balotazhi, KQZ ka pranuar 1 mijë e 571 pako me fletëvotime
Procesi i votimit përmes postës për komunat në të cilat mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave ka përfunduar të premten në mesnatë.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi një ditë më parë ka thënë për Telegrafin se kanë pranuar 1,571 pako të supozuara me fletëvotime.
“Gjatë periudhës së votimit përmes postës (29 tetor – 12 nëntor) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 1,571 pako të supozuara me fletëvotime”, deklaroi ai.
Të drejtën për të votuar për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave e kanë vetëm votuesit e komunave në të cilat do të ketë zgjedhje.
Numri i votuesve jashtë Kosovës për secilën komunë ku mbahet raundi i dytë është: Gjakovë (1,089), Gllogoc (175), Gjilan (607), Dragash (1,090), Istog (707), Kaçanik (166), Klinë (437), Fushë Kosovë (135), Kamenicë (442), Obiliq (60), Rahovec (382), Podujevë (337), Prishtinë (666), Prizren (921), Shtime (116), Viti (754), Vushtrri (174), Malishevë (714), Junik (1,054), Mamush (192), Kllokot (10). /Telegrafi/







































