Në fjalimin e tij të fitores para mbështetësve në sheshin Skënderbej, Kryeministri Edi Rama listoi të gjitha prioritetet për mandatin e tij të katërt

Prioritet e qeverisjes së ardhshme, sipas tij, përfshijnë rritjen e prodhimit kombëtar, rritjen e rrogave e pensioneve, zhvillimin e turizmit, industrisë, bujqësisë dhe shëndetësisë.


“Do të rrisim prodhimin kombëtar nga 25 miliardë euro në 35 miliardë euro. Do të rrisim të ardhurat për frymë nga 10,400 euro në të paktën 15,000 euro. Do të rrisim pagën mesatare në sektorin publik nga 1,000 euro në 1,200 euro, pagën e përgjithshme mesatare nga 830 euro në 1000 euro. Do të çojmë pensionin minimal në 200 euro, ndërkohë që paga minimale do të arrijë në 500 euro dhe në 2030 paga minimale do të jetë 650 euro. Ky është mandati për Shqipërinë turistike, ky është mandati me një industri të rilindur, ushtarake dhe agroushqimore, me kamera inteligjente në shkolla për sigurinë e fëmijëve”

Rama theksoi se ky është një mandat për investime në shëndetësi, për shërbime më moderne për qytetarët dhe për një arsimin më të zhvilluar.

“Do të investojmë në Shqipërinë me korridorin blu dhe korridorin e tetë, portin e madh tregtar të Durrësit që do të hyjë në operim, katër aeroportet në funksionim dhe hekurudhat kryesore në kantier. Ky është mandati me besim të lartë për Shqipërinë”tha ai.

Ndërsa falënderoi të gjithë votuesit, bashkëpunëtorët dhe familjen e tij, Rama një mesazh e kishte edhe për partitë e reja, ku deri tani mandat kanë marrë partia e Agron Shehajt, partia e Arlind Qorit dhe ajo e Adriatik Lapajt.

Rama i përgëzoi dhe tha se uron që të jenë alternativa në këtë parlament të ri e në vijim.

“I përgëzoj udhëheqësit e partive të vogla opozitare që bënë betejat e tyre jo të lehta dhe i mbijetuan presionit të ajrit mes forcave politike kryesore. Uroj mos ecin në gjurmët e opozitës së vjetër, por të gjejnë mënyra për t’u rritur si alternativa”, tha Rama.