Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për tërheqjen nga procedurat e shqyrtimit në Kuvend, të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për financimin e subjekteve politike.
Kryeministri Haradinaj, në një shkrim të bërë në Facebook, ka thënë se ky vendim është marrë pas rekomandimit të Shoqërisë Civile.
“Pas rekomandimit të Shoqërisë Civile, për ndryshimet e pësuara në Komisionet Parlamentare, miratuam vendimin për tërheqjen e Projektligjit për Financimin e Subjekteve politike dhe për Zgjedhje të Përgjithshme në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, transmeton Telegrafi.
Shoqëria civile kishte kundërshtuar ashpër projektligjin për financimin e subjekteve politike.
Ata kishin zhvilluar edhe një protestë para Kuvendit të Kosovës.
Organizatat e shoqërisë civile kishin vlerësuar së Projektligji për financim të subjekteve politike është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe reformën zgjedhore të iniciuar nga Kuvendi i Kosovës.
Po ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kishte qenë kundër projektligjit për financimin e subjekteve politike.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook kishte shkruar se organizatat e shoqërisë civile me të drejtë po kundërshtojnë këtë projektligj, dhe se sipas tij, asnjë projektligj, e aq më pak ky për Financimin e Partive Politike, i cili bie ndesh me frymën kushtetuese dhe parimet zgjedhore sipas standardeve të BE-së, nuk do të përkrahet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Edhe partia tjetër opozitare, Vetëvendosje kishte kundërshtuar projektligjin për financimin e partive politike./Telegrafi/