Qeveria e Kosovës ka marr të mërkurën vendim që të vendosen masa mbrojtëse prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për të vendosur taksë prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja e Hercegovina, e ka miratuar kabineti qeveritar.
“Nga sot t’i vendoset masa prej 100 për qind produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja”, tha Shala.
Ai po ashtu ka kërkuar edhe largimin e të gjitha produkteve në të cilat shkruan “Kosova e Metohija”.
Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se e përkrahë këtë propozim për vendosjen e këtyre masave.
“Një kohë të gjatë Kosova është penguar, është penguar në transport, në analiza. CEFTA nuk ka fuksionuar në mes Kosovës dhe Serbisë. Unë e përkrahi propozimin e juaj”, tha ai.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, kishte vendosur taksë prej 10 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, e cila kishte pasur efekte në rritjen e të hyrave për buxhetin e shtetit. /Telegrafi/